LAJMI I FUNDIT:

Mbi 21 mijë raste të gripit për katër muajt e fundit në Kosovë

Mbi 21 mijë raste të gripit për katër muajt e fundit në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrje edhe raportimin për gripin sezonal.

IKSHP përmes një komunikate për media, tregon se aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.


“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”.

Më tutje thuhet se nga 01 tetori 2017 (java e 40 –të) deri më 21 janar, 2018 (java 03-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 21350 raste të dyshimta në grip (ILI), 3036 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 54 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

“Gjatë javës 03-të (15 – 24 janar 2018) janë raportuar 2.910 raste ILI, 360 raste ARI dhe 9 raste SARI. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK deri më 25 janar 2018 janë testuar gjithsej 174 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 68 mostra kane rezultuar pozitive: 27 mostra Inf.A, prej tyre 1rast A(H1)v dhe 41 mostra Inf.B”, thuhet në komunikatë.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit A(H3N2) në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës thotë se ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do të informoheni me kohë.

IKSHP tregon se si të mbrohemi nga gripi sezonal:

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë./Telegrafi/