Pas skadimit të afatit të dhënë dhe mosrespektimit të njoftimit të datës 13.02.2026, Trepça Sh.A. ka njoftuar se ka filluar aksioni për lirimin e pronës, përfshirë rrënimin e të gjitha objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në parcelën nr. 02537-1.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të Trepça Sh.A. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.


"Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim. Aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të Trepça Sh.A", thuhet në njoftim.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani një prononcim për Telegrafin ka thënë se kanë asistuar në lirimin dhe rrënimin e disa garazhave në veri.

Sipas tij, nuk kanë hasur në ndonjë problem gjatë asistimit.

“Kemi pranuar një kërkesë për asitencë nga ndërmarrja Trepça për disa garazha përball burgut. Kemi ofruar asistencën tonë dhe nuk kemi has në ndonjë problem”, ka thënë Elshani./Telegrafi/