LAJMI I FUNDIT:

Mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, Osmani falënderon Gjermaninë, Francën dhe Poloninë

Mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, Osmani falënderon Gjermaninë, Francën dhe Poloninë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Gjermaninë, Francën dhe Poloninë, të cilat përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit të tri shteve të njohura si “Trekëndëshi i Vajmarit”.


Osmani përmes një postimi në Twitter, ka falënderuar Gjermaninë, Francën dhe Poloninë për angazhimin e tyre të vendosur për liberalizim të vizave për popullin e Kosovës.

“Ky proces i vonuar është vendosur prapë në rrugën e duhur përmes punës së palodhshme dhe agjendës së qartë të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë”, ka thënë Osmani, transmeton Telegrafi.

Edhe kryeministri Kurti, ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilat kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, përkushtimin ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se mirëpret riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së.

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit.

Këto tri shtete thonë po ashtu se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme për përparimin e dy vendeve.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i lejon Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, vazhdon deklarata e përbashkët.

Vendet janë pajtuar për një vizitë tripalëshe në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në. /Telegrafi/