LAJMI I FUNDIT:

Matoshi: Pa teknologjinë e fundit të filtrave nuk japim leje për termocentralin ‘Kosova e Re’

Matoshi: Pa teknologjinë e fundit të filtrave nuk japim leje për termocentralin ‘Kosova e Re’

Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filtrave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin “Kosova e Re”, ka deklaruar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatw vizitws nw Komunwn e Obiliqit.

Matoshi së bashku me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, kanë vizituar njërën nga deponitë ilegale të mbeturinave në këtë komunë, e cila gjatë këtij aksioni është pastruar dhe do të shndërrohet në park për banorët e Obiliqit.


Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Komuna e Obiliqit është prioritet i Qeverisë për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

“Jemi duke bashkëpunuar me KEK-un dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vendosjen e filtrave të ri në ‘Kosovën B’. Është një donacion nga Komisioni Evropian mbi 70 milionw euro dhe shpresojmë shpejt që do të vendosen filtrat në ‘Kosova B’. Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filtrave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin ‘Kosova e Re'”, deklaroi Matoshi.

Ai po ashtu bëri të ditur se MMPH-ja është e fokusuar që të ndalojë edhe shitjen e thëngjillit në mënyrë ilegale.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tregoi se kjo komunë ka larguar 19 deponi ilegale.

“Ne e kemi në fokus çështjen e ambientit në vazhdimësi, duke u bazuar që në komunën tonë janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë po mundohemi që deponitë inerte, deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që t’i shndërrojmë në pjesë të gjelbëruara”, deklaroi Gashi.

Aksionit për pastrimin e Komunës së Obiliqit, i është bashkangjitur edhe drejtori i Shërbimeve të KEK-ut, Edmond Nulleshi si dhe vullnetarë nga organizata Let’s do it Kosova. Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018. /Telegrafi/