Masiela Lusha, qysh si shtatëvjeçare u nis në rrugëtimin e saj për të realizuar ëndrrën e madhe: artiste e filmit. Fillimisht kishte ndaluar në Hungari e pas pak ishte vendosur në Vjenë, ku mbaroi shkollën e baletit dhe vallëzimit. Me këtë ‘kapital’, së bashku me familje u nis drejt Amerikës, në Shtetin e ëndrrave

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Aty, u shpalos talenti i saj në shumë fusha. Por, spikati filmi, me çka dëshmoj një talent të rrallë.

Po, cila ishte rruga e saj deri këtu, ndiqni intervistën ekskluzive për portalin tonë!

Qysh në moshën shtatëvjeçare keni treguar talent për artin. A mund të na thoni se si u zbulua talenti juaj?

Fëmijëria ime ka qenë pak interesante. Në moshën shtatëvjeçare unë flisja katër gjuhë të huaja si shqip (sigurisht), hungarisht, gjermanisht… dhe kur fillova klasën e parë në ShBA, fillova të mësoja anglisht. Më pas kisha një kuriozitet të madh në drejtim të artit në përgjithësi. Pasioni im shtrihej në drejtime të ndryshme si baleti, poezia dhe tenisi ishin një pjesë e përditshme e atyre viteve. Mbas ardhjes në Los Angeles të Kalifornisë, jeta ime ndryshoi përfundimisht; dedikimi dhe pasioni ju kushtua artit, mbasi një agjenci aktrimi erdhi ne Michigan ku jetonim në atë kohë nga Hollywoodi në kërkim të talenteve të reja për kinematografi. 600 fëmijë erdhën me prindërit e tyre për t’u zbuluar, por agjenti zgjodhi vetëm tre dhe unë isha njëra prej tyre. Aktrimi është i ndërlidhur me talentet e tjera dhe kështu që gjuhët e huaja, poezia, tenisi, edukimi shkollor (ky ishte më i rëndësishmi), ishin një pjesë e pandarë e jetës sime të viteve të fëmijerisë. Tani që po shkruaj mendoj… e çuditshme.

Nga Tirana, Budapesti, Vjena dhe më pas ShBA- ishte një rrugëtim i gjatë, por që ja ka vlejtur?

A ja vlen të ekzistosh me të vërtetën dhe pastërtinë shpirtërore? Po. Kjo ishte pyetja kryesore që i bëja vetes shumë shpesh. Ishte e vështirë? Patjetër. Ishin aty komplikime dhe probleme të përditshme. Po. Në çdo drejtim. Ne ishim mbledhur, shtyrë e tërhequr nga presionet e ndërlikuara të jetës në një identitet të ri nëpërmjet një kulture të re. Dashuria dhe respekti për Hungarinë dhe Austrinë, gjithashtu për Amerikën, më shton edhe më shumë admirimin dhe malli për Shqipërinë bëhet edhe më i fuqishëm. Me çdo kulturë të re që prezantohem dhe në cilindo shtet që jetoj, padashur e krahasoj me Shqipërinë, me kulturën, artin, njerëzillëkun dhe ndjej që dashuria për Shqipërinë bëhet edhe më e fuqishme.

Ju jeni një artiste filmi, autore librash, producente dhe humaniste. Po sigurisht jeni më e realizuar në film, sidomos në seritë televizive. Na përmendni disa?

E konsideroj veten të frymëzuar nga shumë drejtime, sepse secili pasion ka një lidhje me suportimin dhe të mirën e njerëzimit. Pasioni im kryesor më bën të ndjej një kënaqësi të rrallë kur në fund të ditës them me vete: “Kjo ditë kaloi mirë. Ndihmesa ime në këtë shoqëri ngriti nivelin e fëmijëve, shtoi dashurinë e tyre për leximin, familjen, mirëqenien dhe dashurinë për botën në përgjithësi.” Ndonjëherë e shohim nëpërmjet aktrimit, ndonjëherë tjetër prej librave që shkruajmë, dhe natyrisht, me punën humanitare të cilës i kushtoj një vëmendje të veçantë.

Jeni e njohur më së miri për punën humanitare. Keni qenë dhe ambasadore për World Assembly of Youth, Sentebale, and Athgo International. Tani juve jeni dhe avokate për UN Women. A mund të na thoni, cili është frymëzimi që ju motivon për këtë punë humanitare?

Si mundet njeriu në këtë jetë të mos jetë i motivuar për të ndihmuar në mirëqenien e botës? Për të ngritur nivelin shoqëror dhe intelektual, ekonomik dhe paqedashur në qoftëse mundësia të afrohet? Me çdo punë humanitare angazhimi im ka qenë të ngre nivelin e këtyre shoqërive të pafat, sadopak nga vuajtjet që jo për fajin e tyre, janë gërshetuar në shoqërinë botërore. Si të ngremë nivelin intelektual dhe shërojmë plagët e krijuara nga jeta shumë e vështirë që në fëmijëri? Çdo detyrë humanitare për mua kishte një mision të vetëm: të bëhem ‘melhem’ për plagët e krijuara, dhe të ndihmoj sadopak për të realizuar dhe ngritur potencialin e njerëzimit kur jeta i ndëshkon pa e merituar. Secili prej nesh ka talent për të vënë pak ‘melhem’ në plagët e shoqërisë që vuan dhe lëngon. Mundohem të ofroj ndihmesën time nëpërmjet vargjeve, t’i tregoj botes së trishtuar se patjetër në fund të një tuneli të errët, shoqëria humanitare shikon dritën që përshkon.

Sa e vështirë ishte për ju që të depërtoni në një ambient të mbushur plot talent në çdo profesion?

Puna e vështirë, dedikimi, dashuria e vërtet në çdo aspekt, të motivon kur të jepet mundësia. Kur vjen koha për të marrë çmimin se cili është aktori më i mirë apo poeti… aty mblidhen të gjithë profesionistët e secilës kategori dhe votojnë. Është ky një nderim i përsosur kur zgjidhesh “Më i miri/mira” nga shokët dhe shoqet e të njëjtit profesion. Është kjo një kënaqësi e veçantë. Nuk di nëse jepen këto çmime në Shqipëri.

Kujt ia dedikoni sukseset tuaja të gjithanshme?

Sigurisht, fillon me nënën. Ajo ishte poezia, drejtimi, dhe muza për çdo hap të jetës të atyre viteve. Por suksesi nuk mjafton me kaq. Fillimi është kryesor, por po të filloj të numëroj të gjithë ata që kontribuuan deri në ndërtimin tim përfundimtar, do të jetë kohë e humbur për mua dhe për ju. Universi dhe drejtimi që dëshiroja të kem në jetë, më finalizoi.

Jeni shkrimtarja më e re në botë. Si ndjeheni?

Jo më. Në ato kohë, kënaqësia ishte e papritur. Ne nuk e dinim se do të ishin dhe këto çmime botërore derisa libri u botua. Kohët e fundit dëgjova se tani ka shumë autorë të rinj nëpër botë dhe më i fundit, është një djalosh katërvjeçar, quhet Nadim Shamma-Sougens. Libri i tij me poezi do të botohet verën që vjen. Mbasi lexova disa vargje të tij, mu kujtua fëmijëria ime dhe libri im i parë “Inner Thoughts”, apo në shqip ‘Mendime të brendshme’.

Keni luajtur në filmin e Fatmir Koçit “Koha e kometës” rolin e Anjezës, sipas motiveve të romanit të Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”. Si është pritur filmi dhe a jeni e gatshme edhe për një film tjetër shqiptar?

“Koha e Kometës” më bëri ta shikoj botën nga një këndvështrim tjetër. Gjuha shqipe është një art me vete. Më duhej të përktheja nëpërmjet ‘Anjezës’. U përpoqa t’ia prezantoj Anjezën spektatorit me ngjyrat e vërteta të asaj kohe, sigurisht me aq sa munda. Kam dëgjuar se filmi është pëlqyer shumë nga publiku shqiptar dhe Fatmir Koçi është një talent i vërtetë. Shoqëria botërore ka shumë nevojë për talentin e tij. E quajta veten të nderuar për të punuar nën drejtimin e tij në ato ditë shumë të nxehta të verës. Ai është një lider i vërtetë.

Unë mendoj se karakteret e Ismail Kadaresë në këtë film u luajtën në mënyrë të mrekullueshme, gjithashtu, po të ishte përkthyer në anglisht, bota internacionale do të ishte e interesuar të shikonte këtë film. Kultura e atyre viteve ishte shumë e veçantë.

Edhe sot e kësaj dite, kur e gjej veten nëpër male dhe kodra, me të nxehtin dhe erën e ngrohtë që të gudulis hundën, nostalgjia më kthehet mbrapa nga ato eksperienca e rrethuar nga njerëz shumë të dedikuar dhe të talentuar; dhe të gjithë bashkë si një familje e madhe realizuam filmin “Time of the Comet”. Unë nuk do ta harroj kurrë atë kohë.

Keni qenë edhe në Kosovë. A ka Shqipëria dhe Kosova talentë të filmit?

Patjetër! Si aktor ne kemi mënyrën tonë të interpretimit të njerëzimit, të inspiruar në mënyrë të veçantë nga kultura të ndryshme, dhe unë absolutisht kam një simpati të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën e sidomos mënyrën se si i paraqesin eksperiencat njerëzore. Lëvizjet fizike që bëjnë, e tregon menjëherë se çfarë do të thonë. Aktorët shqiptarë dhe ata kosovarë, në fakt, ballkanezët, e shpjegojnë aktrimin fizikisht, e thonë këtu në Amerike, ata flasin me trupin e tyre. Po t’ia ulësh zërin televizorit dhe të shikosh filmin me aktorët tanë… është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar filmi. Incredible!

Kush është idhulli juaj në film?

Sandra Bullock. Energjia e saj është e veçantë dhe e zjarrtë. Ajo ishte bosi im. Mësimet e saj ishin me shumë vlera.

Po në muzikë?

Vivaldi.

Po në balet?

Misti Copeland. Jo vetëm një talent i mrekullueshëm, po historia e saj dhe këmbëngulja e jashtëzakonshme, e bëri Mistin e para femër afrikane-amerikane, të jetë promotor si ‘principal ballerina’ në baletin amerikan në 75 vjet që nga krijimi i teatrit në Amerikë.

Po në krijimtari?

Ismail Kadare, sigurisht. Marc Lucgjonaj, Adrienne Rich, Robert Frost, Jusef Komunayaka.

Keni fituar shumë çmime si aktorja më e mirë dhe e re, çmime për veshjen elegante, për humanizëm. Si ndjeheni për këto?

I kujtoj me kënaqësi. Çdo moment ka vlerat e saj, punën që i dedikohesh dhe frutin që merr prej tyre. Jam shumë mirënjohëse, pavarësisht. Bota ka nevojë për të njohur shqiptarët e vërtetë. Ky ka qenë frymëzimi im kryesor… mbi të gjitha, ne jemi shqiptarë dhe si të tillë ambasador në botë. Kudo që jemi… në fillim unë jam shqiptare.

Duket se edhe Ish-Presidenti Clinton ju ka inkurajuar që të vazhdoni karrierën?

Letra e tij, fjalët e tij betonuan frymëzimin tim për të vazhduar të ëndërroj dhe të shkruaj. Mësova se ne duhet t’i frymëzojmë njësoj edhe fëmijët tanë nëpërmjet aprovimit për t’i inkurajuar për një të ardhme gjithnjë më të ndritur. Fëmijët na shikojnë në sy në mënyrë që ne të aprovojmë që sjellja e tyre, mençuria e tyre është e rrallë, dhe ashtu le të vazhdojnë.

Jeni bërë edhe nënë? Apo jo? Çfarë ndjenje është kjo?

Dikush më tha njëherë: “Kur je nënë e një fëmije, ti quhesh nënë; nënë e dy fëmijëve quhesh prind.” Vetëm tani do ta aprovoja këtë thënie. Në fillim mendova se më duhej ta ndaja dashurinë e madhe që kisha për djalin… dhe vajza lindi. Megjithatë, kur ke dy fëmijë, tani e kuptoj se dashuria nuk ndahet por rritet, forcohet, ta ngroh zemrën dhe shpirtin, zmadhohet më shumë çdo ditë dhe kurrë nuk zvogëlohet më. E quaj veten me shumë fat që kam dy fëmijë, eksperienca e të cilëve s’ka mbarim. Kur shikoj fytyrat e tyre që më shikojnë me aq dashuri dhe kërkojnë vëmendje… Oh, çfarë kënaqësie! Jam shumë e lumtur!

Angazhimet tuaja janë në shumë fronte, si po ja dilni?

Nga dita në ditë. Populli shqiptar thotë: “Punën në kohë e ndaj, çdo punë ka kohën e saj.” Nëna ime gjithnjë m’i recitonte thëniet popullore.

A keni nëpër duar ndonjë projekt? Çfarë angazhimi keni momentalisht?

Covid-19 është një fatkeqësi e madhe që po rrethon botën. U bënë muaj me radhë që jemi të izoluar nëpër shtëpitë tona dhe ne i themi këtu ‘regroup’, të grupohemi nga fillimi.

Momentalisht, jam një nënë e re dhe fëmijët kanë nevojë për ndihmën time në çdo sekondë të jetës së tyre që sapo filloi. Në situatat e sotme vetëm fëmijët e vegjël janë të kënaqur, sepse kanë prindërit e tyre në 24 orët e ditës dhe të natës. Gjej kohë të shkruaj poezi dhe jetojmë çdo sekondë duke qenë shumë të kujdesshëm që të mos na ngjitet virusi. Po jetojmë momente interesante.

A keni ndonjë plan për të vizituar Shqipërinë dhe a ndjeni mall për të?

Sigurisht që e ndjej mungesën e mëmëdheut tim. Ndjej mungesën e detit Adriatik, malit të Dajtit, gjithashtu njerëzit dashamirë të mbushur plot respekt për miq.

Cili është hobi juaj?

Jam mirënjohëse e hobit tim i cili është pasioni! Dhe pasioni është karriera! Kohët e fundit i thashë djalit se ai ka mundësinë të ndjekë çdo karrierë që dëshiron, por ai duhet ta dashurojë në fillim. Ky quhet pasion, i thashë. Ti duhet ta kërkosh ‘Pasionin’ çdo mëngjes më para se të dalë dielli; s’ka problem se çfarë është, mund të ndryshojë nga njëra ditë në tjetrën derisa të mbetet njëra që nuk ndryshon. Ai tani për tani përsërit çdo mëngjes: “dua pasionin”.

Çka i porosisni ata që ëndërrojnë të ndjekin rrugën tuaj?

Shko mbas çdo ëndrre që dashuron. Mos e gënje veten. Në një mënyrë apo tjetër sinqeriteti ka mënyrën e tij për t’u paraqitur, shpesh, për t’i shkatërruar planet për të cilat punove e ëndërrove aq shumë.

Bëhu në imagjinatën tënde një person i tretë dhe analizo për çdo ditë se çfarë realizove sot. Kritikoje veten dhe përgjigju për kritikat që bën derisa të mos gjesh më gabime. Mbas gjithë këtyre, në qoftëse ëndrra vazhdon të të paraqitet çdo ditë, atëherë është koha për të filluar punën në drejtim të realizimit të saj. Është shumë e rëndësishme të jesh njeri i mirë sepse ky ves do të të ndihmojë në jetë më shumë se çdo gjë tjetër. Ne jemi pjesë e pandarë e botës shoqërore. Gjej vendin tënd aty, forcoje, ndërto kështjellën tënde me dinjitet, punë të vështirë, me drejtësi dhe më pas, rrite atë pozicion në përmasa gjigande, kur të gjesh veten të pazëvendësueshëm thuaji vetes me krenari. Po! Unë jam realizim i ëndrrës time!
Nuk është e thjeshtë po njerëzit e kanë realizuar atë.

Vesi juaj?

Kujdesi për fëmijët dhe tani për tani, lajmet internacionale.

Pengu juaj?

Tani për tani… asgjë. Haha

Ushqimi juaj?

Ushqimi shqiptar: kafe turke, dollma, djathë i bardhë me bukë të thekur. Trehana. Ushqim mediteran.

Thank you! Masiela

/Telegrafi/