LAJMI I FUNDIT:

MASH Maqedoni premton korrigjimin e tekstit ku përmendet BDI

MASH Maqedoni premton korrigjimin e tekstit ku përmendet BDI

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me tekstin shkollor të Gjuhës Shqipe për klasën e 5-të, të cilët kanë deklaruar se Arsimi është sistem politikisht neutral, dhe të njëjtit premtojnë se do të korrigjohen lëshimet në këtë tekst shkollor.

Nga MASH sqarojnë se procesi i miratimit të një teksti shkollor udhëhiqet nga Komisioni Nacional i teksteve shkollore dhe sipas tyre, të njëjtit në asnjë rast dhe në asnjë aspekt nuk ndikojnë strukturat udhëheqëse të ministrisë, dhe asnjë lloj faktori politik.

“Duke marrë parasysh se Arsimi dhe i gjithë procesi edukativo-arsimor janë politikisht neutrale dhe jashtë politikave ditore partiake, me qëllim të shmangies së përfshirjes së një partie ose strukture të caktuar politike në tekstet shkollore, MASH i bën thirrje autorit të tekstit shkollor të theksuar dhe Shërbimit Pedagogjik, të veprojnë sipas Ligjit për tekstet shkollore”.

Nga atje gjithashtu theksojnë se menjëherë pas veprimit të autorit dhe Shërbimit Pedagogjik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në komunikim me operatorin ekonomik i cili është zgjedhur t’i botojë tekstet shkollore për nxënësit e arsimit fillor, në afat sa më të shkurtër kohor dhe pa shpenzime shtesë të buxhetit, do të bëjë korrigjimin e lëshimeve dhe gabimeve të bëra.

Ndërkaq, reagim të tillë ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme nga partitë opozitare shqiptare, të cilët kanë kërkuar që ky tekst, të hiqet sa më shpejtë nga libri i Gjuhës Shqipe për klasën e 5-të, ata madje kanë kërkuar përgjegjësi për këtë skandal. Opozitarët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Arsimit.