ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Gjykata Themelore Penale e Shkupit ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e lëndëve të vjetërsuara, duke i përgjysmuar ato brenda një viti, sipas Raportit të fundit mbi punën e gjykatës, të publikuar në buletinin elektronik të brendshëm më 2 korrik.


Të dhënat zyrtare tregojnë se më 30 qershor 2025 në Gjykatën Penale ishin evidentuar gjithsej 873 lëndë të vjetra aktive. Ndërkaq, deri më 30 qershor 2026, ky numër ka rënë në 410 lëndë, që paraqet një ulje prej 53 për qind.


Sipas raportit, lëndë të vjetërsuara konsiderohen ato raste gjyqësore që kanë mbetur në procedurë për më shumë se dy vjet, pa marrë një epilog përfundimtar.

Ulja e numrit të këtyre lëndëve konsiderohet një tregues i përmirësimit të efikasitetit në punën e Gjykatës Penale të Shkupit, në një kohë kur sistemi gjyqësor në vend vazhdon të përballet me kritika për zvarritjen e procedurave dhe nevojën për reforma.

Raporti i publikuar në buletinin e brendshëm të gjykatës tregon se përpjekjet për zvogëlimin e grumbullimit të lëndëve të vjetra kanë dhënë rezultate konkrete, megjithëse mbeten edhe 410 raste që presin përfundimin e procedurave gjyqësore.