LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Dubravës, rrëfimi i Naim Lushit nga Peja: Unë qëndroja i shtrirë, njerëzit e vrarë mbi mua

Masakra e Dubravës, rrëfimi i Naim Lushit nga Peja: Unë qëndroja i shtrirë, njerëzit e vrarë mbi mua
Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova

Ishte pranvera e vitit 1999 e forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bënin luftë të ashpër me forcat armike serbe në çdo cep të Kosovës. Ndërsa, Aleanca Euroatlantike (NATO) me urdhërin e presidentit të atëhershëm të SHBA, Bill Clinton më 24 mars të vitit 1999 filloi bombardimet e para kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

Për humbjet që pësonin në frontet e luftës dhe nga bombat e NATO-s, ushtria dhe policia serbe, krahas hakmarrjes mbi popullatën civile shqiptare duke kryer maltretime, dhunime e vrasje, po kryente edhe një krim tjetër mbi të burgosurit shqiptarë.


Pushteti serb në maj të vitit 1999 organizoi një krim të planifikuar mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës. Ky burg i sigurisë së lartë (në atë kohë), gjatë luftës së fundit në Kosovë përdorej edhe si vend strehimi i forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë. Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohej ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë: ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)

I burgosuri politik si dhe pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që nga dita e parë e fillimit të luftimeve – i plagosur në vijën e frontit në Loxhë të Pejës – ku kishte marr shtatë plagë në trup, Naim Lushi nga Qyshku i Pejës në një rrëfim për Telegrafin ka treguar përjetimin e tmerrshëm në Burgun e Dubravës.

Ai si shumë shqiptarë të tjerë u nxor në fillim të muajit maj nga Burgu i Pejës, për ta transferuar në Burgun e Dubravës, ndonëse ende nuk iu kishin shëruar plagët në trup.

Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)

“Më 03 maj 1999, mua dhe shumë të burgosur të tjerë na nxorën nga Burgu i Pejës ku isha për pak më shumë se katër muaj dhe na transferuan për në Burgun e Dubravës. Akoma nuk isha i shëruar plotësisht nga plagët që kisha marr, në një aksion të njësitit tonë të UÇK-së më 13 nëntor të vitit 1998 dhe pas operimit që më kishin bërë mjekët shqipëtarë Hysen Mazrekaj dhe Ramë Salihaj në Spitalin e Pejës. Këmbën e djathtë akoma e tërhiqja zvarrë”, tha ai.

Masakra në Burgun e Dubravës, 1999 /Foto: Ridvan Slivova

Nxjerrja nga Burgu i Pejës për Lushin ishte një tmerr i vërtetë.

“Rrapëllimat e dyerve, ulërimat kriminale të gardianëve e britmat e të burgosurve të dhunuar, vetëm sa na freskonin përjetimet reale të ‘Ferrit të Dantes’, të cilat ishin bërë mënyra jonë e jetesës së imponuar. Na bartën me autobusë deri atje, ashtu të lidhur e të përkulur me kokën posht ku çdo lëvizje trupi, qoftë edhe e pavetëdijshme, përcillej nga goditjet e shfrenuara e shtazarake të gardianëve kriminelë”, u shpreh ai.

Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)

Arritja te Burgu i Dubravës dhe ‘mikëpritja’ përmes ‘murit të gjallë’ nga gardianët serbë

Lushi tregoi se pranë portës së Dubravës gjetën “mikëpritjen” e zakonshme, “vetëm se me një ‘bujari’ më të madhe dhune”.

“Te porta e jashtme e murit rrethues të Burgut të Dubravës na zbritën nga autobusët. Ishim të lodhur dhe të uritur. Të lodhur nga dhuna, e të uritur sepse që nga 24 marsi 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s, neve na ishte reduktuar ushqimi, në sasi aq të vogël sa pothuajse nuk kishte fare. Por, pranë portës së Dubravës gjetëm ‘mikëpritjen’ e zakonshme, vetëm se me një ‘bujari’ më të madhe dhune. Gardianë e policë, kishin ndërtuar atë që disa nga ne të burgosurit ia vumë emrin ‘tuneli i gjallë’, përmes të cilit ne duhej të kalonim nga sipërfaqja e një ferri, në thellësinë e një ferri tjetër më të egër, të quajtur Dubravë. Në të vertetë, po futeshim në kasaphanën serbe të dedikuar enkas për zhdukjen tonë, në Aushvicin e fundshekullit njëzet që edhe njëherë po vishte me të zezë Evropën”, vazhdoi rrëfimin ai.

Mirëpo, “tuneli i gjallë”,  ishte ndërtuar në atë mënyrë që nga të dyja anët qëndronin gardianë e policë serbë, të pajisur me armë e mjete të forta të lloj-llojshme, me të cilat i godisnin derisa të burgosurit shqiptarë kalonin përmes tij.

Skica e Burgut të Dubravës

“Kur arrinim në fundin e tij, atë e rindërtonin sërish. Nuk e di se sa është gjatësia e rrugës nga porta hyrëse e murit të jashtëm të burgut deri te pavijoni C ku na dërguan, por e di që na janë dukur kilometra të tëra derisa na kanë futur në qelitë e atij pavijoni, duke ecur nëpër një tunel të tillë, i cili nuk mbaronte asnjëherë. Për ironi të fatit, qelia na u duk vendi i shpëtimit. Por nuk ishte ashtu, për asnjërin nga ne. Ishte vetëm një mashtrim i përkohshëm të cilin, në situata të tilla, mbase është shpresa që na sygjeron. Torturat nuk ishin vetëm të përditshme, ato na i jepnin pa kursim disa herë në ditë, në vend të racioneve të ushqimit. Madje shpesh na ‘ushqenin’ edhe natën, prandaj flinim ashtu të veshur, me shumë rroba në trup, të cilat donim të besonim që na mbronin nga dhimbjet e goditjeve”.

Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja

Lushin e kanë nxjerr shpesh nga qelia për ta torturuar, të cilit i thoshin: ”A e di se sa nëna serbe ka mbetur duke qarë për shkak tëndin”.

Mirëpo, kjo fjali për Lushin edhe pse i dërmuar ishte si t’i jepnin një medalje.

Naim Lushi

Ai gjatë rrëfimit thotë se teksa e dëgjonte këtë fjali gjatë torturimit që i bënin, ndjehej superior.

“Mua më nxirrnin shpesh nga qelia, për të më torturuar. Pothuajse secili ndërrim i gardianëve, mbase duke marrë shkas nga aksioni i UÇK-së në Spitalin e Pejës për nxjerrjen time nga atje, i kryer nga luftëtarët Besnik Shala dhe Mervete Maksutaj ku mbeti e vrarë heroina Mervete. Teksa më torturonin, zakonisht ulërisnin duke thënë: ‘A e di se sa nëna serbe ka mbetur duke qarë për shkak tëndin’. Më duhet ta pranoj se teksa dëgjoja këtë ulërimë të tyre, ndjehesha superior. Sikur ata po më godisnin, por unë po i torturoja. Fakti që përballë kishin një njeri, i cili i paska bërë të qajnë, më dukej shpagim i drejtë, ndonëse i pamjaftueshëm, për vajin e mijëra nënave shqipëtare dekada me radhë. Ndaj ndjehesha i fortë dhe fitimtar. ‘Mos shpreso që do të dalësh i gjallë nga këtu’, më thoshin, por tashmë ky nuk përbënte shqetësimin tim, mbase të asnjërit prej nesh, sepse ishim lodhur nga gjithë ajo mynxyrë”, u shpreh ai.

Burgu i Dubravës, 1999 Foto: Ridvan Slivova

Por, ai e dinte që kjo që i thoshin nuk ishte një profeci, por siç tha ai: “Ishte një plan kriminal serb, për eliminimin e njerëzve me emër e mbiemër, i cili kishte filluar të zbatohej me 16 maj me Ukshin Hotin, për të vazhduar me datën 17 maj me Shkelzen Pepshin dhe me 18 maj me Haki Dinaj, të cilët edhe sot e asaj dite mbetën të zhdukur”.

Fillimi i ekzekutimit të burgosurëve përmes planit serb ‘Bombardimet e NATO-s’

Lushi tha se zhurma e avionëve dhe bombat që u binin përreth burgut trazuan edhe njëherë tmerrin dhe shpresën e tyre.

“Ky plan kriminal i tyre u ndërpre më 19 Maj, kur filluan bombardimet. Zhurma e avionëve dhe bombat që po binin përreth burgut trazuan edhe njëherë tmerrin dhe shpresën tonë. Shpresën për fundin e çfarëdoshëm. Kishte nga ata që luteshin të binin mbi pavijon, vetëm e vetëm që tmerri të merrte fund. Dhe si për ironi, ndodhi pikërisht ashtu”, tregoi Lushi.

Në fillim siç tha ai, dy bomba bombarduan pavijonin C dhe të burgosurit ishin të tmerruar.

“Dy bomba goditën pavijonin C, brenda të cilit edhe unë mbahesha i burgosur. Xhamat e dritares së qelisë u bënë copë-copë dhe brendësia e saj u mbush me tym e pluhur të denduar saqë nuk dalloje më dot asgjë. Vetëm pas një kohe relativisht të shkurtër, tymi filloj të davaritej dhe në drejtim të derës dallohej një katrorë dritë më i theksuar. Ishte vendi i derës e cila ishte përplasur tej në korridor, për shkak të forcës detonuese të bombës së hedhur nga avioni. Dolëm jashtë në korridorin i cili megjithatë ishte i mbyllur me grila, dhe pam edhe një numër të vogël të burgosurish të cilëve poashtu forca e detonimit ua kishte hapur dyert. Por shumica e qelive ishin të mbyllura dhe nga brenda tyre dëgjohej britma e të burgosurve të tmerruar që s’po arrinin të hapnin dyert”, tha tutje Lushi.

Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim... vdekjen! (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim... vdekjen! (Foto)

Të burgosurit edhe pse të lodhur, pa ushqim e të stër munduar nga torturat që i përjetonin, me aq forcë sa ju kishte mbetur u përpoqën që të hapnin dyert e burgjeve.

“U përpoqëm që të ju ndihmojmë nga jashtë dyerve, por aq të forta sa ishin ato dhe aq të dobët sa ishim ne, s’po arrinim të bënim dot asgjë. Nuk vërehej asgjëkundi gjurmë gardiani, ata kishin ikur nga sytë këmbët, e ne kishim mbetur të ngujuar e të pafuqishëm për të bërë çkadoqoftë. Nga korridori, tashmë mund të shikonim qiellin përtej çatisë e cila kishte rënë, ndaj shikonim në mos po kthehej sërish ndonjë avion. Ishte e tëra çfarë mund të bënim, tek po qëndronim mbi gërmadha në perpjekje të pashpresë për të ju ndihmuar shokëve që të dalin. Dhe teksa shpresa gjithnjë e më shumë po venitej, pamë duke ardhur me vrap të burgosurit të shumtë të tjerë nga një pavijon tjetër për të na dalur në ndihmë. Dukej sikur dora e zotit po na përkëdhelte tani. Dallova në mesin e tyre Naitin, Bislimin, Asllanin, Njaziun e shumë të tjerë. Dikush nga ata gjetën qelësat në dhomën e gardianëve, të cilët i kishin lënë aty në ikje e sipër. Së pari hapën grilat e korridorit dhe pastaj një nga një edhe ato të qelive”.

Masakra e Dubravës, 1999 /Foto: Ridvan Slivova

Të burgosurit shqiptarë arritën të dilnin jashtë në oborr, dhe Lushi thotë se për pak minuta u rrethuan nga forca të armatosura të policëve dhe paramilitarëve serb.

“Dolëm jashtë qelive dhe u bëmë grumbull në oborrin e burgut, ku nuk vonoj shumë dhe u rrethuam me forca të mëdha të armatosura të policëve e paramilitarëve serb. Disa nga të burgosurit u dërguan brenda pavijonit, prej nga nxorrën ata që kishin humbur jetën ose kishin ngelur të plagosur rëndë gjatë bombardimit. E tëra kjo bëhëj me tytën e automatikëve mbi kokë. I ngarkuan në rimorkio e një makine dhe më nuk dinim se çfarë po bëhej me ta. Gjithsesi edhe ne të tjerët në ato rrethana e dinim që ishim vetëm disa të vdekur që akoma po lëviznim e po frymonim”, vazhdoi rrëfimin Naim Lushi.

Qëndrimi jashtë në qiell të hapur, deri në mëngjes

Lushi tha gardianët serbë u thanë të qëndronin aty dhe të mos dilnin jashtë burgut, pasi do të vriteshin pa paralajmërim.

“Zatën këtë e dinim edhe ne vet, por edhe po të donim ishte e pamundur ta kalonim gjithë atë murë të lartë, aq më tepër që shumë nga ne mezi lëviznim nga lodhja e mundimi i tepërt. Vendosëm të qëndrojmë së bashku, me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin deri në fundin e përbashkët. Natën e kaluam në qiell të hapur, pa ushqim e pa përkujdesje mjekësore e cila për pothuajse secilin ishte e nevojshme. Bislim Zogaj ishte ndër të paktët që kuptonte pak a shumë nga mjekësia, pasi me profesion ishte radiolog, ndaj mori përsipër detyrën e përkujdesjes ndonëse nuk kishte asnjë pajisje që do të ja mundësonte atë. Së paku moralisht i ndihmonte secilit në nevojë. Të nesërmen u futem në spitalin e burgut ku morëm gjithçka që mund të na duhej për ndihmë mjekësore. Në të vërtetë, gjithçka që kishte. E ndjenim që më e keqja akoma nuk ka ardhur”, tha ai.

Mëngjesin e 21 Majit të vitit 1999, Lushi tregoi se filluan sërish bombardimet e NATO-s, arsyen e së cilës nuk e dinin. Por atë e mësuan më vonë.

“Ditën pasuese me 21 Maj 1999, që në mengjes, sërish filluan bombardimet e avionëve të NATO-s. Ne nuk e kuptonim pse po ndodhë e tëra kjo, pse NATO po godet një burg? Arsyen e kuptuam shumë më vonë, atëherë kur u liruam dhe u kthyem në Kosovën e lirë. Në Burgun e Dubravës, para se të sillnin të burgosurit aty, kishin qenë të vendosura forcat paramilitare serbe dhe gjithashtu ishte vendosur rrjeti kryesor i telekomunikimit ushtarak serb për veprim në Kosovë. NATO e kishte zbuluar këtë, ndaj e kishte vendosur në pikat e saj operative të goditjes. Shteti serb e kishte kuptuar këtë përmes ndonjë informatori, apo kushedi se si dhe, menjëherë kishin vepruar për të larguar focat paramilitare që andej dhe burgun ta mbushnin me të burgosur shqiptarë. Ata kishin bartur të burgosur shqiptarë nga të gjitha burgjet. Madje edhe nga ato në Serbi, me qëllim që të bëhen cak i asgjësimit nga bombardimi i NATO-s, duke menduar se po i japin vetes një avantazh propagandistik ndaj asaj që ata e quanin agresion i NATO-s. Shqiptarët e burgosur aty ishin mish për top, të bërë me vetëdije nga shteti kriminal serb”, tregoi Lushi.

Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova

Me llampa të neonit shkruajtën: “HELP NATO WE ARE PRISONERS”

Mundësia për t’ju treguar forcave të NATO-s se nuk janë ata cak i tyre, dhe se janë viktimë e kurthit të pushtetit serb, ata me disa llampa të neonit të cilat i gjetën në pavijonet e burgjeve, i dhanë një sinjal avionëve të NATO-s.

Lushi tha se veprimi i tyre doli i suksesshëm pasi drejtimi i bombardimeve mori kahje tjetër.

Mirëpo, siç tha ai nga ky moment filloi ekzekutimi i të burgosurëve nga gardianët serb.

“Bombardimet vazhduan tërë ditën, e ne po qëndronim në qiell të hapur, pa patur asnjë vend ku të strehoheshim për të shpëtuar. Të gjendur në një situatë pa shtegdalje, u mblodhëm të gjithë në fushën e sportit dhe aty shkruam me llampat e neonit që morëm nëpër ndërtesa: ‘HELP NATO WE ARE PRISONERS’, me shpresën që kjo do të ua tërheq vëmendjen e tyre. Duket që kjo u tregua e suksesshme, sepse megjithse bombardimi nuk ndaloi, ndryshoi drejtimi i ardhjes së avionëve, të cilët më parë vinin nga drejtimi i jugut, tani po vinin nga veriu në të cilën pjesë ishim vendosur edhe ne. Bombat e hedhura nga ky drejtim, në forcën e tyre shtytëse, ciflat i hidhnin në drejtim të jugut, gjë që mundësoi dëmtimin sa më minimal tonin. Duke parë këtë që po ndodhë, dhe se plani i tyre për asgjësim sa më masiv tonin po dështon, forcat serbe u tërbuan fare dhe sapo iknin avionët ata futeshin shpejt e shpejt, vrisnin disa prej nesh dhe ktheheshin sërish në strofullën e tyre, për t’i lëshuar sërish radhë ardhjes dhe bombardimit të avionëve”.

Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)
Lexo po ashtu Masakra e Dubravës dhe sakrifica për të plagosurit: Shpëtimtari, Bislim Zogaj (Foto)

Përjetuan tmerrin e radhës, por heroi i shumë të plagosurëve ishte Bislim Zogaj

Bislim Zogaj /Foto: Ridvan Slivova

“Dita kaloi mes këtij tmerri alternimesh, dhe në mbrëmje pushoi gjithçka. Shumë nga shokët tanë ishin vrarë. Shumë të tjerë kishin mbetur të plagosur. Secili përpiqej të bënte diçka për të ndihmuar. Kishte edhe të atillë që donin vetëm shpëtimin e kokës së tyre, por gjithsesi edhe ajo ishte një ndihmë në atë kohë. Ndër ata që ndihmonin shquhej Bislim Zogaj, të cilin edhe kur ne të tjerët shtriheshim atë e shihje tek vepronte duke i ndihmuar ndonjë të plagosuri. Poashtu njëjtë edhe Nait Hasani, Asllan Selimi, Isak Shabani, Nijazi Kryeziu me studentët e Prizrenit, e shumë të tjerë, kush më pak e kush më shumë”, tha Lushi për Telegrafin.

Ekzekutimi  i radhës te fusha e sportit me breshëri plumbash e bomba

Ai tutje tha se edhe pse ishin vrarë e plagosur shumë nga ta, etja e serbëve nuk ndjehej e shuar, pasi siç tregoi ai të nesërmen në mëngjes i’u kërkuan që të rreshtoheshin.

Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve
Lexo po ashtu Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve

Lushi mezi ecte dhe për këtë gjatë atij aksioni kriminal të serbëve, ai u shtri në tokë dhe mbi të binin trupa të pajetë të burgosurëve shqiptarë.

“Ishin vrarë shumë e ishin plagosur shumë, por serbët ishin të pakënaqur me këtë. Etja e tyre gjakpirëse nuk ndjehej e shuar. Prandaj të nesërmen në mëngjes, meqë pothuajse të gjithë po qëndronim te fusha e sportit, na thanë që të rreshtohemi aty sepse po vijnë autobusat për të na larguar nga këtu, meqë nuk ka siguri. Kush mund ta besonte këtë që ata të cilët na vrisnin dje po shqetësohen për sigurinë tonë sot. Por njerëzit filluan të rreshtohen pa menduar gjatë dhe kështu përfunduam të gjithë në rresht afër murit. Nuk vonoi shumë dhe filluan breshëritë e armëve nga karakollat dhe të bombave të hedhura nga përtej murit mbi neve. Mbetën shumë të vrarë e të plagosur aty. Disa morën arratinë për të shpëtuar dhe vriteshin gjatë vrapit, të tjerë qëndronin shtrirë pa lëvizur. Ashtu qëndrova edhe unë me njerëz të vrarë mbi mua. Nuk më shkonte mendja që të vrapoj duke e ditur që nuk do të ja dilja me atë këmbën që akoma e tërhiqja zvarrë”.

Pasi mendoi që mund të ketë mbaruar ky aksion i përgjakshëm, Lushi u çua në këmbë dhe me shumë vështirësi arriti që të largohet.

Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova

Por, gjatë largimit ai ndihmoi dhe shokun tjetër, Reshat Nurbojen i cili kishte marrë një plagë në këmbë.

“Pas disa çastesh kur krismat pushuan kam parë që përreth nuk kishte kriminelë të armatosur. Jam ngritur dhe kam shpejtuar që të largohem. Këmba që më lëshonte bënte që të rrëzohesha shpesh kurse nga karakollat sërish filluan gjuajtjet, mbase me snajper. Arrita deri në tatpjetën në fund të fushës së sportit dhe aty gjeta Sami Gashin me Reshat Nurbojen që kishte marr një plagë në këmbë dhe s’po lëvizte dot. E mora në krah, por lëvizja ishte tejet e vështirësuar. Reshati i plagosur e unë më këmbën zvarrë ecnim aq ngadal sa do të ishim një shenjestër e përkryer. Fati e deshi që të mos qëllohemi dhe arritëm që të futemi në brendësinë e një ndërtese. Aty brenda, kam hequr bluzën time që kisha veshë, e kam shqyer dhe me të ia kam lidhur plagën. Pas një kohe i ka pushuar gjakderdhja dhe ky ishte suksesi më i madh për neve, kur arrinim që një të plagosuri t’ia ndalojmë gjakderdhjen. Në të vërtetë ishte e tëra çfarë mund të bëjmë. Reshati u bë mirë pas kësaj dhe, edhe pse në gjendje të vështirë për vetën e tij, përpiqej të ndihmonte të tjerët”, tha ai.

Heroi më i madh në këtë katrahurë, i cili ndihmonte të plagosurit Lushi tha se ishte, Bislim Zogaj.

“Një pjesë e të burgosurve të shpërndarë u strehuan në ndertesën e trapezarisë së burgut, të tjerët në pavijonin C. Filloj lufta për të shpëtuar sa më shumë të plagosur ku heroi më i madh i kësaj ngjarje mbetet padiskutueshëm Bislimi. Shumë nga të plagosurit e Dubravës, sot janë gjallë vetëm falë angazhimit të tij”, tha më krenari Lushi.

Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim
Lexo po ashtu Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim

Mirëpo siç vazhdoi rrëfimin e tij prekës, Lushi theksoi se tashmë prisnin sulmin e radhës nga gardianët serb, sa që sipas tij ata kishin armatosur edhe të burgosurit serb.

“Tashmë ishte e padyshimtë që pritej sulmi i radhës i kriminelëve serb ndaj nesh. Për këtë qëllim ata kishin armatosur madje edhe të burgosurit serb. Naiti sygjeroj vetëmbrojtjen, prandaj u organizuam me çfarë mundëm për diçka të tillë, por ajo dështoj sepse mbase serbët të informuar për këtë nga ndonjë i burgosur i lig, nuk erdhën fare atje. Ata shkuan dhe, mund të themë zunë peng të burgosurit që ishin në trapezari kurse neve na dërguan porosinë: ose dilni ose do t’i vrasim të gjithë këtu në trapezari. Askush nuk ishte në gjendje të marr përgjegjësinë për vrasjen e gjithë atyre njerëzve. Dolëm duke e ditur që mund të vritemi, por pa ndjerë përgjegjësinë për vrasjen eventuale të të tjerëve”.

Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova

“Me fat ju qoftë liria e Kosovës, për neve mos mbani zi”, ishte një nga mbishkrimet e të burgosurve shqiptarë

I grumbulluan te salla e sportit dhe e shkollës, e cila ishte e vetmja ndërtesë e pa bombarduar.

Lushi tha se ata ishin bërë gati për komplet ekzekutimin e tyre dhe se filluan të përshëndeten me njëri-tjetrin, mirëpo një mesazh nga “dikush” i shpëtoi ata.

“Na grumbulluan në sallën e sportit dhe të shkollës, e vetmja ndërtesë e pa bombarduar nga avionët dhe e cila në atë kohë po rrethohej me tym nga një avion tjetër, veprim të cilin ata zakonisht e bënin para se të qëllohej ndonjë cak. Në dritaret shiheshin shumë të uniformuar që bartnin armë dhe maska në fytyrë. E kuptuam që ky ishte fundi ynë ndaj filluam të përshendetemi mes vete duke uruar që të takohemi në botën tjetër. Naiti mbajti një fjalim aty. Më ka mbetur në mendje vetëm thirrja: ‘Burra për Kosovë jemi duke vdekë ndaj mos të ligemi para një vdekje kaq të bukur dhe të vlerë’. Në një tabelë në murë dikush shkroi: ‘Me fat ju qoft liria e Kosovës, për neve mos mbani zi’. Më duket ishte Asllan Selimi. Nuk e di çfarë ndodhi pastaj por një thirrje në radiolidhje më duket se ndryshoj gjithçka. Polici i uniformuar doli jashtë dhe pas asaj thirrje u kthye sërish pas disa çasteve. Na tha: ‘Mund të dilni jashtë, nga ky moment nuk do të ju ngacmoj kush, por gjenduni si të mundeni sepse ne as ushqim e as ilaçe nuk kemi për ju’”, vazhdoi rrëfimin ai.

Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)
Lexo po ashtu Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)

Naim Lushi tutje tha se vdekjet vazhduan si pasojë e plagëve të mbi 350 të plagosurve, “vazhduam ashtu deri më 24 maj 1999 kur ne u detyruam sërish të kalojmë nëpër ‘tunelin e gjallë’, tashmë të ndërtuar për ‘mikëpritjen’ tonë në Burgun e Lipjanit”, përfundoi rrëfimin e tij, Naim Lushi nga Peja. /Telegrafi/

Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova
Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova
Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova
Burgu i Dubravës /Foto: Ridvan Slivova