LAJMI I FUNDIT:

Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve

Liburn Aliu, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: E lypnim vdekjen, veç të gjallë të mos biem në duar të serbëve

U bënë 17 vite nga masakra e tmerrshme e Dubravës. Ditët, nga 19-24 maji 1999, ishin më të errëtat dhe më të pashpresat për të burgosurit politikë shqiptarë që gjendesh aty. Këtë tmerr e përjetoi edhe Liburn Aliu, që atëherë ishte vetëm 24 vjeç.

Aliu sot drejton Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në komunën e Prishtinës. Më 17 janar të vitit 1997, si 21-vjeçar, ai ishte arrestuar nga Policia serbe si pjesëtar dhe aktivist i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).

Në Burgun e Prishtinës Aliu ka qëndruar 10 ditë. Ndërsa, në Burgun e Lipjanit një vit të tërë. Maltretimet dhe torturat – si ato psikike dhe fizike – nuk i janë ndalur asnjëherë teksa mbahej në burgjet serbe.

“Në janar të vitit 1998 jam transferuar në Burgun e Dubravës. Aty isha në kontakt me të burgosurit tjerë politikë, si: Avni Klinaku, Enver Dugolli, Dylber Beka, Ekrem Kastrati, Avdi Mehmeti etj. Ishim në pavijonin e izoluar – C”, thotë Aliu për Telegrafin.

Në fund të prillit të vitit 1998, nga Burgu i Dubravës ai dërgohet për Burgun e Mitrovicës së Sremit.

“Trajtimi ka qenë shumë i rëndë, me tortura të mëdha. Na qitnin jashtë, në dimër, në të ftohtë, dhe na lagnin me ujë”.

Deri në fund të muajit prill të vitit 1999, ai ka qëndruar në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Pastaj, i kanë dërguar në Burgun e Nishit.

“Në Burgun e Sremit ka qenë edhe Ukshin Hoti. Na Nish na kanë torturuar tre ditë pa ndërprerë. Prej aty na nisën për në Dubravë. Aty krijohej përshtypja se gjithçka ishte më qetë, meqë aty-këtu ndodhte që të torturohej dikush. Ukshin Hoti ka qenë me ne. Kemi mundur të komunikojmë nga dhoma në dhomë. E kam parë për herë të fundit Hotin, nga grilat, më 16 maj 1999”.

19 maji ishte dita kur filluan bombardimet e para të NATO-s. Ishte ky fillimi i masakrave serbe ndaj të burgosurve të pambrojtur shqiptarë.

Liburn Aliu 02

“Sulmi i parë i NATO-s ka ndodhur diku në mesditë. Kam qenë në pavijonin B. Përnjëherë e kanë goditur pavijonin C, me të burgosur brenda. Nuk vonoi asnjë minutë dhe u bombardua kuzhina. Iu thashë të burgosurve që të mos rrinë tek grilat. Fati deshi të mos goditemi. Gardianët ishin të gjithë jashtë, në momentin që bombardonte NATO. Pas bombardimeve, u qetësuam”.

Gardianët u kthyen pas bombardimeve të asaj dite. Të burgosurit u vendosën në katin e parë të objekteve të burgjeve, pasi rrezikoheshin nga bombardimet tjera të NATO- s.

“Na thanë që të qëndrojmë në katin e parë. Ata që kanë qenë në katin e dytë, erdhën poshtë, duke u ngushtuar njëri me tjetrin. Ashtu kemi qëndruar deri më datë 21 maj. Atë ditë filluan sërish bombardimet. Fillimisht goditeshin pavijonet jashtë perimetrit të brendshëm të burgut. Pastaj filluan të godasin brenda. Goditja e parë brenda ka qenë në kuzhinë. Ishte ditë e tmerrshme. Të gjithë ramë përtokë që të mbroheshim. Kur u çova, kisha afër vetes katër të plagosur e një të vdekur në vend. Unë pata fat e nuk u plagosa”, vazhdon rrëfimi i tij i tmerrit, për të plagosurit që i vdisnin para syve të tij.

“Dy djem të axhës ishin plagosur rëndë. Njëri e kishte këmbën e këputur. Ashti i kishte dalë. Bënim përpjekje t’ia ndalnim gjakun, por gjendja e tij ishte shumë e rëndë. Njëri ka pasë plagë të rënda. Një tjetër të plagosur e kishin goditur në kokë, për çka trutë i kishin dalë jashtë. Një tjetër djalosh, rreth moshës 16-vjeçare, ishte plagosur. I ofrova ndihmë, mirëpo e kishte humbur veten e nuk dinte ç’bënte. Shkuam tek fusha e sportit. Ishim në mes dhe goditeshim. Bombat binin kudo. Njerëzit që lëviznin, copat e bombardimeve iu binin”.

Në mbrëmje janë ndalur bombardimet. Të burgosurit e palënduar janë marrë më përkujdesjen e të plagosurve dhe gjetjen e ushqimeve.

“Diku rreth 50 veta ishim të organizuar. Disa vdisnin nga plagët e rënda. Gjithë natën kemi qëndruar jashtë, tek fusha e sportit. Disa tjerë kanë qëndruar nëpër puseta. Në përkujdesje të plagosurve kishim teknikun medicinal, Bislim Zogaj. U mundonim të ndihmonim ashtu si mundnim”.

E nesërmja i gjeti të burgosurit po në atë fushë. Nga njëri karakoll bëhet thirrja të rreshtoheshin ata.

“U renditëm e nuk e kishim idenë se çdo të bëhej. Gardianët e armatosur ishin të fshehur mbrapa një muri. Unë isha në rreshtin e parë. Një i burgosur nga Burgu i Mitrovicës së Sremit tha që të dalim krejt mbrapa, ne që kishim ardhur bashkë nga ai burg. Ashtu bëmë. Përnjëherë filluan të na gjuanin me mitraloza, granata, revole etj. Shumë kush vritej në vrapim e sipër. Pastaj filluan të vrasin duke marrë në shenjë. Në fund të terrenit të sportit ishte një pjerrtësi. Aty shkova. Prita derisa u qetësuan. Dola pak më poshtë, në mes dy objekteve. Isha i mbrojtur nga të gjitha anët. U takova me një shok tjetër. Fillova vrapin duke kapërcyer edhe rrethojat. Të burgosurit i shikoja tek vraponin dhe rrëzoheshin nga plumbat që merrnin nëpër trup e kokë. Shkova në kuzhinë. Hyra në bodrum. Kërkonim diçka që të kishim në dorë, që të mbrohemi e të sulmojnë, të vriteshim, por të gjallë të mos binim në duart e tyre” .

Ajo ditë të gjithë të burgosurve të mbijetuar u shkoi brenda, nëpër pavijone dhe në kuzhinën e burgut. Jashtë serbët vrisnin. Ata edhe nëpër objekte gjuanin granata. Të burgosurit e pashpresë kishin filluar organizimin për të ndihmuar të plagosurit e shumtë.

Liburn Aliu 03

“Te dritaret kur kalonim, u kërrusnim se të gjuanin. Gjetëm një tigan, vaj dhe miell, e filluam të përgatisim petulla. Ishte njëri që gatuante. Ia merrja brumin dhe i piqja në vaj. Ashtu të gatuara ua dërgoja shokëve. Korridori i bodrumit kishte një dritare. Shumë pak dritë shihje. Në kuzhinë ka pasë shumë të plagosur. Ka qenë situatë e rëndë dhe dëshpëruese. Kur ka dal mëngjesi, kam parë që po na sulmojnë. Jam kthyer brenda. Filluan të gjuanin me mortaja dore. Bënin thirrje që të dalim. Pastaj gjuanin granat. Dikur të burgosurit filluan të dilnin nga kuzhina. Mbetëm nja 10 veta që nuk donim të dilnim. Nuk ishte ideja e rezistencës, por që mos të biem të gjallë në dorë të tyre, sepse e dinim çfarë do të na bëjnë”.

Aliu tregon momentin e daljes, kur përballen me gardianët serbë e kur nuk dinin se çfarë do të ndodhte me ta.

“Na grumbulluan në një vend. Pas një kohe na thanë që të shkojmë tek salla e sportit. U krijua përshtypja që do të na vrasin. Na paralajmëruan që afër mureve të rrethojës mos të afrohemi, se përndryshe do të na vrisnin. Pastaj thanë të ushqehemi ashtu si të kemi mundësi”.

Nga ai moment, të gjithë u angazhuan të kujdesen edhe më shumë për njëri-tjetrin.

“Nëpër puseta kishte të vdekur. Në një puset njëri kishte vdekur, e dy të tjerë kishin shpëtuar. Më vonë, në vitin 2003, kur kam punuar në Burgun e Dubravës, kam hyrë pikërisht në këtë puset. Kam parë që s’kishin prekur asgjë. Dyshekët, brushat e dhëmbëve dhe një patike. Kur pata hyrë me nxjerr Avdyl Xhemilalimanin, i cili ka qenë i plagosur, ia kam hequr patiken ngaqë e kishte këmbën keq të lënduar. Ajo patike ishte ende aty. E thirra në telefon e i thash: ‘E ke harru patiken në Dubravë’”, thotë Aliu për Telegrafin, teksa i vjen rastësisht një e qeshur.

Por, ajo e qeshur nuk zgjat shumë, sepse i kujtohen shqiptarët tjerë të ekzekutuar.

“Në podrume ishin futur disa të burgosur. Gardianët serbë i kanë pushkatuar. Vetëm njëri mbeti gjallë. Vjen një i shok dhe tregon për të. U futëm brenda me Bylbyl Dorakun e Prizrenit. Trupat e të vdekurve i kishte përmbi. Ia hoqëm. Ishte i plagosur në këmbë e në krahë. Mezi fliste. U kujdesëm për të, por vdes”.

Sipas Aliut, të vrarë në këtë masakër kanë qenë diku 150 persona, ndërsa të plagosur rreth 200.

“Nga aty na largojnë për në Burgun e Lipjanit, ku kemi qëndruar 17 ditë. Më kanë rrahur mizorisht në hyrje. Deri më 10 qershor ishim aty, të lidhur dhe të mbështetur për muri. Kemi fjetur mbi trupa të njëri-tjetrit. Mëngjesin e 10 qershorit kemi dëgjuar rrahjen e një personi. Ai ishte Albin Kurti. Ajo rrahje e rënd zgjati një orë. Dëgjohej gjithçka. Në Lipjan kemi kuptuar se po tërhiqen forcat serbe, por nuk dinim asgjë saktë se çfarë po ndodhte. Gardianët nga mllefi hynin nëpër dhoma dhe na torturonin. Na shanin dhe thoshin se për shkakun tonë serbët po largohen nga Kosova. Përkundër torturave, prapë ndihesha mirë. Pastaj më dërgojnë në Burgun e Nishit, ku përjetova torturat e njëjta. Aty më kanë mbajtur deri më 27 mars të vitit 2001, kur edhe jam liruar”, përfundon rrëfimin e tij, Liburn Aliu, i mbijetuari i një prej masakrave më të tmerrshme që kanë përjetuar shqiptarët, por për ndriçimin e së cilës institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Avokati Kërveshi dhe kompania

Avokati Kërveshi dhe kompania "Kërveshi & Partners" shpallen më të suksesshmit në Kosovë për vitin 2023-2024 nga “The Legal500”

Lajme
Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Lajme
Kalo në kategori