LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim… vdekjen! (Foto)

Masakra e Dubravës (5): Të gjithë prisnim… vdekjen! (Foto)

Rrëfimet e të burgosurve për Masakrën e Dubravës janë plot trishtim. Nexhdet Syla e përjetoi këtë tmerr, që e la me pasoja në tërë trupin e tij.

LEXO PO ASHTU:
Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)
Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Masakra e Dubravës (3): Krim institucional i Serbisë (Foto/Video, +18)
Masakra e Dubravës (4): Të rrethuar nga vdekja

Ishte 1 prilli i vitit 1998, kur si 25-vjeçar u rreshtua krah UÇK-së në Jabllanicë. Më 23 prill 1998, në fshatin Gllarevë, bashkë me shokun e tij Hasan Berisha, kanë rënë në pritë nga punëtori i Policisë serbe, Ramadan Bala.

“Në Stacionin e Policisë në Klinë na kanë rrahur e torturuar me gjësende të ndryshme: me kabull të rrymës, me boksa fytyrës, me shkop të bejsbollit… Mandej na dërguan në Polici të Pejës dhe më pas në burgun e Pejës nën akuzën për terrorizëm, neni 139.1.”, thotë ai për Telegrafin.

Nexhdet Syla

Syla më 5 dhjetor 1998 transferohet në burgun e Dubravës.

“Kordoni për të hyrë brenda ka qenë tmerr. Më futën në pavijonin C, të izolimit – në qelinë e vetmisë. Më vonë më dërguan në një tjetër qeli, po në atë pavijon, ku ishin të burgosurit Visar Demiri, Naim Zenaj, dhe Iljaz Sadria”.

NATO bombardon më 19 maj 1999. Objekti i parë që ka bombarduar NATO ishte pavijoni C, aty ku ishte edhe Syla.

“Komplet tavani i betonit u shndërrua në zhavorr. Një pjesë e tavanit të betonit i ra në shpinë Mehmet Ademajt. Aq shumë ishte bërë pluhur, sa që njëri-tjetrin nuk e shihnim. Vetëm me zë u merrnim vesh. Me ndihmën e të burgosurve të tjerë të lirë, kemi thyer derën e dhomës. Ka pasur të vrarë dhe të lënduar. Personeli i burgut, kur ka bombarduar NATO, ka qenë brenda në objekt. Më pas ata ikën për t’u kthyer kur ndaluan bombardimet. Të lënduarve u kemi dhënë ndihmë, ashtu si kemi mundur”.

Bombardimi i dytë filloi pas dy ditësh. Përderisa gjatë bombardimit të parë u vranë tre persona, këtë herë numri i tyre, më 21 maj, u katërfishua.

“NATO ka filluar sërish të bombardojë, tërë ditën. Një gjendje lemerie e kaosi u krijua aty. Por, edhe numri i viktimave u katërfishua nga bombardimi i parë. Atë natë e kaluam në fushën e sportit”.

Por, edhe këtë herë ai mbijeton. Plagët më të madh i ka marrë një ditë më pas, më 22 maj.

“Të nesërmen, në pesë të mëngjesit, një gardianë nga karakolli na ka thënë që të rreshtohemi për dy apo për katër, në mënyrë që të na numëronin për të na tërhequr nga aty. U çuam. Ishim afër 1000 veta. Ende nuk ishim rreshtuar si duhej, kur ka filluar sulmi me lloj-lloj arsenali mbi trupat tanë: minahedhës, kallashnikovë, snajperë… Ka pas të vrarë dhe shumë të plagosur. Unë jam dëmtuar në shpinë, në shpatull në anën e djathtë, si dhe në këmbë me copa të granatave. Nuk e di se si kam mundur të largohem nga aty. Vetëm fuqia e Zotit më ka ndihmuar. Kam shkuar tek shokët, në një strehimore në korridor ku më humbi vetëdija. Shokët më kanë dhënë ndihmën e parë: më dhanë ujë dhe më pastruan plagën. Gjatë atij tmerri, në burg nuk e kam menduar që do të dalim gjallë. Mirëpo, Agron Tolaj dhe Nait Hasani janë marrë me ne duke na dhënë kurajo që ta mbanim veten e mos të bënim ndonjë gjë”.

Për viktimat, që të identifikoheshin, u kujdesën Tolaj, Hasani dhe disa të tjerë. Këta vënin në një letër shkruanin emrat e atyre që njihnin dhe i fusnin në xhepat e të vrarëve.

Masakra nuk përfundon këtu, sepse Syla tha se serbët hynin gjatë natës dhe vrisnin kënd e kanë gjetur jashtë pavijoneve e edhe nëpër puseta ku ishin fshehur të burgosurit. Në puseta ata gjuanin granata.

“12 veta kanë qenë të fshehur me një pusetë. E kishin mbyll kapakun e pusetës me një shufër të hekurit në mënyrë që gardianët serbë mos ta hapnin. Ata shpëtuan, e të tjerët jo”.

Copat e granatës ende i mban në trup!

Të gjithë të burgosurit janë organizuar që të vetëmbrohen, edhe pse e dinin që shpëtim për jetë nuk kishin. Serbët vrisnin që t’ua linin fajin forcave të NATO-s.

“Të nesërmen kanë hyrë serbë të armatosur dhe me maska. Na urdhëruan të shkonim në sallën e sportit, me qëllim që të na bombardonin e të gjithë e fajin me ia lënë NATO-së. Në radiolidhje dëgjova që i kanë pyetur se sa janë të vrarë dhe sa janë të plagosur (nuk më kujtohet shifra), e më pas u thanë: lërini, se boll paska! Aty na kanë dhënë cigare dhe ujë. Pritëm deri sa erdhi urdhri për të dalë jashtë. Kur dolëm jashtë mureve të burgut, shikuam trupa të pajetë tetë burgosurve. Ata kishin tentuar të iknin dhe e kishin pësuar me jetën e tyre. Të plagosurit i kanë dërguar me kamionë, ndërsa të tjerët me autobusë për në burgun e Lipjanit”.

Sipas Sylës, janë 200 të vrarë dhe 350 të plagosur që kanë pësuar në tmerrin e Dubravës. Ndër të plagosurit ishte edhe ai, që sot e atë ditë mban një pjesë të granatës në shpinë. /Elfije Boletini/Telegrafi/


“DARKA SOLEMNE” E MUHAMET KIQINËS

Për personat fatkeq që e përjetuan Masakrën e Dubravës, shpëtimi i tyre i vetëm në ato momente tmerri ishte vdekja. Muhamet Kiqina, më 25 janar të vitit 1999 plagoset nga Policia serbe dhe arrestohet si rob lufte.

“Isha 20 vjeçar, kur më 25 janar të vitit 1999, afër shkollës së mesme ‘Skënderbeu’ në fshatin Pokleku i Ri në Drenas, punoja si automekanik. Atë ditë më plagosi Policia serbe. Prej aty më kanë marrë duke më dërguar në Stacionin e Policisë në Drenas, ku ka filluar maltretimi i tyre ndaj meje. Më vonë, po atë ditë, më kanë transferuar në Spitalin e Prishtinës. Momentin e dërgimit dhe të operimit tim nuk i kam ndjerë, sepse kam qenë i pavetëdijshëm. Më datën 26 janar, pas mesditës ,e kam marr veten dhe kam parë që ndodhem në spital. Aty më kanë dërguar për të vdekur. Fati që ka qëlluar një teknik me emrin Sali e që ka parë që jam gjallë. Këto janë fjalë të mjekëve që më treguan më vonë. Më ka operuar doktor Sadri Bajraktari. Një mjek serb donte të ma këpuste dorën, por ai ka intervenuar me arsyetimin se ‘është i ri dhe pavarësisht a i shpëton dora a jo unë do t’ia operojë kështu si është’”, thotë Kiqina për Telegrafin.

Muhamet Kiqina

Deri më datën 4 shkurt ai ishte në Spitalin e Prishtinës, e më pas transferohet në Qendrën Mjekësore të Burgut të Beogradit, CZ. Aty ka qëndruar deri më 18 mars të vitit 1999, ku gjatë tërë kohës i është nënshtruar dhunës. Atë ditë transferohet në Burgun e Pozharevcit.

Transferimi i tij do të ndodhë mëngjesin e 19 marsit, nga ku do të kalojë nëpër sfida të dhunës, duke mos e përjashtuar darkën solemne, e cila do t’i ofrohet në shenjë mirëseardhje në burgun e Prishtinës.

“Të nesërmen, më 19 mars, më kanë dërguar në Burgun e Prishtinës. Kisha 24 orë pa hëngër bukë. Polici u thotë në gjuhën shqipe gardianëve të burgut: ‘Merreni dhe dërgojeni në dhomën Nr. 1, dhe jepjani një dark solemne’ . U tregova naiv në atë rast, sepse në Pozharevc nuk më maltretuan edhe pse ushqim nuk më sollën. Duke gjykuar me bark dhe jo me logjik, mendova me vete: ‘Ku na doli ky serb kaq i mirë që të thotë jepja një darkë solemne‘!? Kur shkova në dhomën Nr. 1, ajo ishte dhoma e vetmisë. Aty kishte plot gardianë, në errësirë. Një gjë mbaj mend: kur ka çel mëngjesi kam qenë në dysheme”.

Transferimet e tij nuk përfundojnë këtu, pasi që ai do të dërgohet në Burgun e Lipjanit dhe më pas në Burgun e Dubravës.

“Pas Prishtinës më dërguan në Burgun e Lipjanit. Ndërkaq, transferimi në Burgun e Dubravës ka ndodh mëngjesin e hershëm, më 29 prill. Nuk e kam ditur ku po na dërgojnë, meqë Kosovën nuk e kisha shëtitur gjeografikisht. Aty na kanë futur në pavijonin B. Më i moshuari nga ne ka qenë Hasan Drellaku, ndërsa të burgosurit tjerë ishin: Astrit Elshani, Xhema i Rahovecit, Visar Ballovci… Qëndruam në pavijonin B, ku përpos shokëve të qelisë ishin edhe Nait Hasani, Hasan Zeneli, Bislim Zogaj, Shaban Beka, Dylber Beka, Liburn Aliu, Nebih Tahiraj, Avni Klinaku, Raif Qela, Ukshin Hoti etj. d.m.th. grupi i vitit 1997. Për çudi, nuk kemi pasë maltretime, deri në ditën e bombardimeve. Për të burgosurit e izoluar, në bazë të informatave që na vinin, e kishin pak më ndryshe. Pavijoni B i ka pasë katër krahë ku edhe u ushqenim në menzë”.

Ditët e tmerrit vijnë sipas tij pikërisht më 19 maj, ku edhe ndodhi bombardimi i parë i NATO-s.

“Më datën 19 maj ka bombarduar NATO pas dreke, duke i rënë pavijonit C. Aty pash dy gardianë të pluhurosur duke ikur. Por, jo vetëm ata, sepse doli i gjithë personeli i burgut. Të burgosurit e lirë dhe ne kemi filluar të thyenim të gjitha dyert, që të dalim nga aty. Por, unë kam qenë i paaftë për t’ju ndihmuar, ngaqë isha i plagosur. Sidoqoftë, të paktën fizikisht e kam parë ngjarjen. Dolëm në oborrin e burgut ku edhe qëndruam aty. Pasi u qetësua situata, gardianët kanë hyrë prapë të armatosur, kinse të na numëronin, për dalë përsëri nga aty. Jemi organizuar ashtu si kemi mundur”.

Pas bombardimit të parë vriten tre të burgosur. Kiqina thotë se 20 maji ka qenë i qetë, ndërsa në pavijon thoshin: “Çfarëdo që të ndodh me ne, vëllezërit do të jenë të lirë”.

“Më datë 21 maj ka bombarduar prapë NATO brenda në pavijone, mirëpo pavijonit B nuk i ka rënë asnjëherë. Ka pasë të vrarë dhe të plagosur. Atë natë kemi fjetur jashtë. Në mëngjesin e hershëm të 22 majit, ka dal një gardian duke na thënë: ‘Shkoni merrni të gjitha gjërat që i keni dhe ejani se duam t’ju transferojmë në burgun e Nishit’. Për ta zbatuar një urdhëresë të tyre, shkuam për të marr diçka edhe pse s’kishim çka. Shkuam tek Fusha e Sportit përball karakollit. Sapo filluam të bëheshim rresht, nisën të gjuajnë. Armët ishin të llojeve të ndryshme: mitraloza, granata dore, minahedhës etj” .

Dihet, qëllimi ishte që kinse NATO është ajo që i ka vrarë të burgosurit gjatë bombardimeve.

“Unë dhe disa nga shokët jemi shtrirë e nuk kemi lëvizur. Ka qenë një llahtari. Të burgosurit janë të garantuar me konventa ndërkombëtare dhe shteti që i arreston është i obliguar që t’ju ofrojë siguri. Por, këtu ishte e kundërta. Pasi kanë pushuar granatimet e serbëve, ne kemi ikur kush nga ka mundur. Unë ika në pavijonin B. Pasi kanë pushuar të shtënat, kam shkuar në pavijonin C. Aty janë organizuar të gjithë për t’ju dhënë ndihmë të plagosurve në fushën e granatimit. Tretmanin të gjithë të plagosurve ia ka dhënë Bislim Zogaj. Ne të tjerët kemi dhënë ndihmën tonë, ashtu si kemi pasë mundësi. Nait Hasani është plagosur më 22 maj duke i tërhequr të plagosurit”.

Pas një periudhe në kompleksin e burgut kanë prapë paramilitarët. Të gjithë që i kanë parë si pakicë e mbledhur apo në biseda, i kanë vrarë. Riza Xhakla ka qenë në pusetë dhe i ka mbijetuar atij tmerri. Të gjithë të burgosurit ishin pajtuar me fatin: vdekje! Ndaj, Kiqina thotë se gjërat i merrnin me gjakftohtësi.

“Më 23 maj kanë ardhur në mëngjes duke na urdhëruar të gjithëve për të dalë jashtë. Shumica e tyre kanë qenë të maskuar. Na urdhëruan që të gjithë të ulemi në dy gjunjët. Më vonë kanë filluar të na sjellin cigare dhe ujë. Në njëfarë forme menduam që ky është moment i fundit për ne. Të gjithë me gjakftohtësi e morëm: çkado që të bëhet, ne do ta përballojmë. Asllan Selimi, Nait Hasani e Bislim Zogaj për mua janë njerëz të mëdhenj për qëndrimin që kanë mbajtur. Pas një kohe ka ardhur njëri me uniformë të hirtë. Maska e tij në pjesën e syve ka qenë komplet e hapur. Ai na ka thënë që brenda burgut të bëjmë çfarë të duan, por të mos dalim, se nesër do të na dërgonin në një vend më të sigurt. Kemi fjet atë natë në pavijonin B. Të nesërmen, më 24 maj, kemi dal jashtë. Na hipën nëpër autobusë e të plagosurit në kamionë. Jemi dërguar në burgun e Lipjanit, ku kemi qëndruar deri më 10 qershor”. /Elfije Boletini/Telegrafi/


ÇAUSH SELCA, I MBIJETUAR I MASAKRËS SË DUBRAVËS: DËSHMIA E DHËNË NË VITIN 2002, NË JAVOREN “ZËRI”

NE KEMI NEVOJË PËR KLITHMËN E VIKTIMAVE QË TË DIJMË T’I KUJTOJMË…

…Tregimet për Dubravën, tmerrësisht janë identike, por dallojnë vetëm në tonet që u japin dramat individuale…

Ndodhi në qershor 1998

Çaush Selca atëbotë ishte i inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Djali i tij Florenti ishte sëmurë, ndaj pas disa muajsh larg familjes, Çaushi viziton në shtator fshatin e tij, Baran (Pejë), ku së bashku me Ibrahim Gashin nisen drejt spitalit të Pejës, për ta dërguar sa më parë Florentin e sëmurë. Rrugës Policia serbe i ndal disa herë. Në fund në fshatin Raushiq, Çaushi urdhërohet të shkojë në spital dhe askund tjetër. Në dalje nga spitali dy policë i arrestojnë – edhe Ibrahimin edhe Çaushin – me preteksin se jeni të kërkuar.

Çaushi më parë, në kohën e autonomisë kishte qenë komandant i Policisë në Gjakovë, ndaj për të policia kishte mësuar se ishte i inkuadruar në UÇK, dhe ishte shumë i kërkuar nga ta. Fillimisht i kishin dërguar në stacionin e Policisë në Pejë. Nën torturat makabre ai kishte refuzuar se ishte pjesëtar i UÇK-së, edhe pse pas çdo refuzimi pasonin torturat psikike dhe fizike mbi të. Pas 48 orësh të maltretimit mbi të ai para UDB-së kishte pranuar akuzat pjesërisht.

“Aty kam takuar një ish-punëtor timin, Calia Milan, i cili të tjerët i sillte të më maltretonin, e pastaj vinte e më drejtohej kinse që të më ndihmojë, duke më thënë: ‘S’qenke mirë, çfarë ke’? Ai priste që unë t`i përkulesha, ta lusja të më ndihmonte. Ai këtë e bënte duke më kushtëzuar që të zbuloj sekretet e Ushtrisë sonë. Mirëpo, unë gjithnjë i përgjigjesha se nuk kam asgjë”, rrëfen Çaushi për ditët e fillimit të tragjedisë. “Më 17 shtator, duke më dërguar në gjyq hetues, m`u kërcënuan duke më thënë që të pranoj se jam komandant i UÇK-së”.

“Më 5 janar 1999 më kanë dërguar në burgun e Dubravës. Ishim rreth 45 veta. Një mbikëqyrës i burgut të Pejës u tha gardianëve të Dubravës për mua: ‘Keni kujdes, për këtë, është komandant i Policisë dhe i UÇK-së”, rrëfen Çaushi.

Pas dërgimit në pavionin C të burgut, fillojnë t`i thërrasin me emra. Kur e thërrasin emrin e Çaush Selcës, e marrin me vete dhe duke e rrahur e dërgojnë në një dhomë burgu dy me një metër, në vetmi.

“Kishte qenë kanalizimi i dëmtuar e dhoma ishte mbushur ujë deri në gjunjë. E pastrova disi”, rrëfen Çaushi, “mirëpo nuk isha gjithmonë i vetmuar, se në 12 të natës vinin e më nxirrnin nga dhoma në korridor, më detyronin të zhvishesha e të qëndroj vetëm në rrobat e brendshme, t’i vendosi këmbët në disa hekura, ku dy vetë më goditnin këmbëve, duke u vendosur nën hekura, e dy të tjerë trupit, kështu që çdo lëvizje për të mbrojtur veten ishte e pamundur. Nën një presion të tillë më detyronin të bërtas për Serbinë dhe Milosheviqin. E kur unë përsërisja me të vogël fjalët e tyre, ata duke më rënë kondak shpinës e këmbëve më urdhëronin të bërtas fortë, që të më dëgjojnë shokët që ndodheshin në katin e dytë”.

Më 10 mars Çaushi me shumë shokë ishte dërguar në gjyqin e Pejës, ku ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj, nën akuzën tashmë të njohur të tyre “për terrorizëm”. Më 19 mars e kishin vendosur në një dhomë së bashku me pesë të burgosur tjerë. Me Hajdar Pepën nga fshati Kodrali (i vrarë), me Fadil Bezeraj nga fshati Rashiq (i vrarë), Agim Gashin nga fshati Raushiq, i plagosur (tani në burgjet e Serbisë) dhe me Kastriot Jetishin nga Gjakova (po ashtu i burgosur).

Ndodhi më 19 maj 1999

Nata e parë e bombardimeve mbi burgun e Dubravës. Tre të vdekur. Të burgosurit nën mëshirën e fatit. Gardianët braktisin burgun, ikin të shpëtojnë veten. Të burgosurit prapa grilave heshtin. Presin mos dikush do ua hap dyert, por jo. Zhurma e avionëve të NATO-s thyen heshtjen. Të burgosurit kërkojnë zgjidhje. Hekurat e krevateve të fjetjes të palëvizshëm, të ngjitur për mure. Bombardimet i përçajnë muret, lëkunden hekurat e krevateve. Viganët e burgosur duan të mbijetojnë. Nuk dorëzohen e duan jetën e duan edhe për një orë, për një çast. Thyejnë hekurat e krevateve dhe ua mësyjnë dyerve.

Mrekullia e Zotit, disa dyer arrijnë të hapen vetë nga trandja e bombardimeve. Ngado rrëmujë, zëra plot klithje. Ku të fshihen, nga t`ia mbajnë. Të moshuar, të rinj, studentë, fëmijë… por të fortë, të pathyeshëm.

Duke mos besuar as në çastin e ardhshëm, ata përqafohen mes veti. Pa ditur nga t`ia mbajnë dalin në oborrin e burgut. Bombardimet pushojnë kur para tyre shfaqen mbi 200 kriminelë serbë duke u thënë: “Tash duhet t`ju vrasim të gjithëve, terroristë, për shkakun tuaj e shihni ç’u bë”.

Të gjithë grumbull i dërgojnë në shkollën e burgut, duke mos i lënë të hyjnë në klasa, por ashtu një mbi një i lënë në korridor. Atë natë qëndrojnë aty në korridor, por pa zhurmë, pa bombardime.

“Më 21 maj prapë fillojnë bombardimet e NATO-s. U vranë rreth 15 veta. Sërish ishim vetëm. Gardianët kur bombardohej burgu zhdukeshin dikah”, thotë Çaushi. “Prapë filluam të kërkojmë shpëtim: disa u futëm në puset e ujit, disa në fushën sportive e kudo që shpresonim se do të na shpëtojë shpirti. Unë me 15 shokë kemi fjetur atë natë në një pus. Morëm barin e oborrit që ishte kositur dhe e vendosëm në pus, se ishte i mbushur ujë”.

“Në mëngjesin e 22 majit na ftuan të rreshtohemi duke na thënë se për sigurinë tuaj do t`ju dërgojmë në burgun e Nishit. Njëri nga ta, nga lart me një altoparlant, na thoshte rreshtohuni si të doni, vetëm më shpejt. Vetë fakti se na rreshtuan në fushën e sportit e jo tek dyert e burgut më bënte të dyshoj në fjalët e tyre, se nuk ishte në pyetje një mëshirë e tyre, që donin të na ndihmonin. Megjithatë, heshta se nuk doja t’i frikësoj shokët, meqë në mesin tonë kishte shumë të rinj”.

“U rreshtuam para murit të sallës mbi 1000 të burgosur. Visar Demiri, një student i Pozharanit, kishte marrë pak marmelatë me vete, meqë më herët na thanë t’i marrim edhe rrobat, që i kishim me vete, se kinse po na dërgonin për në Nish. Ato çaste Visari ishte duke më lutur për një lugë marmelatë, e unë pa ofruar gojën tek luga, kanë filluar të shtënat nga të gjitha anët. Kanë gjuajtur me bomba, minahedhës, me zolla, me ç`rast u plagosa në dorë. Shumë shokë mbetën të vdekur në vend, shumë të tjerë u plagosën. Një shok imi, Zahir Agushi, për të shpëtuar është gjuajtur në tokë, ku fatkeqësisht, para tij ka rënë një bombë e cila deri në ato çaste nuk ka eksploduar. Ai ka rënë në të dhe ka vdekur tmerrësisht”, shpalos kujtime të pavyshkura me plot tmerr Çaushi.

Mbi 200 të burgosur ishin vrarë atë ditë nga forcat kriminale serbe. Derisa atë ditë të kobshme gjuajtjet vazhdonin, të burgosurit kishin filluar të ikin duke tërhequr me vete edhe të plagosurit. Ishin futur kush në dhoma të burgut, kush në kuzhinë, kush në puse, kush në korridore, ngado që shpinin këmbët, ngado që vente mendja e trupi… ngado që shpinte shpirti i etur për dritë jete.

“U organizuan menjëherë grupe të burgosurish që tërhiqnin të plagosurit, që i dërgonin në Pavionin C. Frashër Shabani, student i mjekësisë, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar për të plagosurit, pastaj Reshat Nurboja e shumë të tjerë”, kujton Çaushi. “E thyen një ambulant të burgut, ku morën pak barëra që kishte, morën çarçafë për t’i lidhur plagët. Edhe në çastet më të vështira, të burgosurit nuk mendonin vetëm për veten e tyre, por kujdeseshin për ne të plagosurit. Atë mbrëmje e kalova në kuzhinën e burgut me pesë të plagosur tjerë. Natën vdiq një fëmijë 17-vjeçar, nga Kaçaniku, nga plagët e marra. Nga dritaret e thyera na u hodhën katër bomba, por për fat, shpëtuam pa viktima. Në mëngjes erdhën gardianë të burgut dhe vranë gjashtë veta, që ishin jashtë kuzhinës. Na urdhëruan të dalim edhe ne nga kuzhina, por nuk dolëm. Rreth 15 veta i kishin vrarë pasi i kishin zbuluar të fshehur në puseta. Dhjetë të tjerë i kishin vrarë pasi që i kishin hetuar se janë strehuar brenda gypave të ngrohtores për të shpëtuar jetërat. I kishin nxjerrë nga gypat dhe i kishin pushkatuar në afërsi”, shpjegon Çaushi çastet më kritike të tragjedisë dubravase.

“Më 23 maj na thanë të dalim të dorëzohemi. Dolëm të gjithë. Na dërguan në sallën e sportit. Ishin rreth 200 gardianë me maska të zeza, u shiheshin vetëm sytë dhe goja. Para neve i vendosën të plagosurit rëndë. Njëri nga gardianët me 10-15 pako cigare, filloi t’i lusë të burgosurit nëse donte dikush nga një cigare. Përnjëherë m`u kujtua ligji që thotë se para pushkatimit të burgosurin duhet lutur për dëshirën e fundit, e ajo mund të jetë një cigare, apo një gotë ujë”, kujton frikën, që kishte pasur atëbotë Çaushi, pas fjalëve të gardianit, i cili sikur t`ia lexonte mendjen Çaushit, kishte vazhduar t`i pyes të burgosurit edhe për ujë.

“Në praninë tonë i hapën dritaret e sallës dhe në të gjitha vendosën zolla, duke na i drejtuar neve. Të gjithë prisnim çastin kur do të fillojnë të na vrasin. Filluam të kërkojmë hallallin prej njëri-tjetrit duke uruar njëri -tjetrin që të shihemi në Parajsë. Përqafoheshim, pa ditur se cili çast është i fundit për ne”, shprehet i emocionuar Çaushi.

Ai në ato çaste kishte dëgjuar kur dikush nga kriminelët serbë kishte kontaktuar me gardianin nëpërmjet të radiolidhjeve. Ai e kishte pyetur se sa janë të vrarë, sa të plagosur, e pastaj e kishte shprehur kënaqësinë e tij. Ata e kishin qëllimin që këto vrasje t`ia mveshnin NATO-s, kinse të gjithë ishin vrarë gjatë bombardimeve.

“ Pas bisedës gardiani na tha se jeni të lirë deri në mëngjes. Eh… u gëzuam se na u zgjat jeta për disa orë, e prapë filluam të përqafohemi, të shtrëngojmë fuqishëm njëri-tjetrin. Jeta ishte e ëmbël, ashtu në gjendje të mjerueshme, dëshira për jetë, lajmi për zgjatjen disaorëshe të saj na gëzoi pa masë”, rrëfen Çaush Selca, i cili nga 90 kilogramët që kishte para se të hyjë në burg, kishte rënë në 40, nga torturat, nga tmerri. Megjithatë e donte jetën, ushqente shpresën për Kosovën e lirë e mbi të gjitha donte që shokët e tij të shpëtonin. “Për mua nuk qe e thënë të shpëtoj. Kishte studentë, kishte fëmijë aty që i priste jeta, i priste liria, se për mua nuk ishte me rëndësi nëse do të shpëtoja apo jo, edhe pse jeta prapë ishte e ëmbël”, flet plot zemërgjerësi ai.

Ndodhi më 24 maj 1999

Para burgut autobusë dhe kamionë. Të plagosurit vendosen në kamionë, të tjerët në autobusë. Për Istog-Klinë dërgohen në burgun e Lipjanit. Gjatë gjithë rrugës duke u maltretuar në mënyrë më mizore.

“Në Lipjan më pyesnin: ‘Ku je i plagosur’? E kur iu tregova, njëri nga policët filloi të më torturojë plagën. Me kondak më mëshonte në plagë derisa m`u lëshua gjakderdhja. Edhe atje vazhduan torturat deri më 9 qershor, kur erdhën gardianët na thirrën me emra të gjithëve, ndërsa në mëngjes me autobusë na nisën drejt Nishit. Në Nish nuk kishte vende të lira e na dërguan në Pozharevc. Ende pa zbritur nga autobusi dëgjonim klithjet, britmat e dënesjet e atyre, që maltretoheshin para nesh. Atë ditë nga torturat vdiq një i burgosur nga fshati Skivjan”.

Të dënuarit i kishin ndarë nga të padënuarit dhe i kishin sjellë në burg në Mitrovicë të Sremit. Ai është liruar më vonë, por ende është i pakënaqur. “Liria është e gjysmuar, derisa shokët tanë vuajnë atje në tokën e armikut ne nuk mund ta ndjejmë vetën të lirë”. /Antigona Uka/Telegrafi/

(FUND)

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori