LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)

Masakra e Dubravës (2): Na bënë mish për top (Foto)
Foto: Ridvan Slivova

Ishte 27 janari i vitit 1997 kur kryetarin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Avni Klinakun, e arrestuan sërish - për herë të tretë - forcat policore serbe. Këtë herë ai do të përjetojë vuajtjet dhe përjetimet më të rëndat e më të tmerrshme të jetës së tij.

LEXO PO ASHTU: MASAKRA E DUBRAVËS (1): KRIMI QË NUK DUHET TË HARROHET (FOTO EKSKLUZIVE)

“Jam burgosur më 27 janar në vitin 1997, si kryetar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, LKÇK-së, organizatë kjo me karakter politiko-ushtarak, për përgatitjen e luftës së armatosur kundër pushtuesit serb. Për të vuajtur dënimin na kanë dërguar në burgun e Dubravës, në vitin 1998. Në prill të vitit 1998 na kanë larguar për në burgun e Mitrovicës së Sremit, me arsyetimin e sigurisë tonë ‘për shkak të shpërthimit të luftës’. Burgun e Dubravës serbët e patën shndërruar në një lloj kampi ushtarak serb. Kur situata në Kosovë eskalonte deri në humbje të kontrollit, na sollën nga të gjitha burgjet e Serbisë dhe të Kosovës aty. Shumë shpejtë u zbulua arsyeja pse: qëllimi i pushtetit serb ka qenë për të na bërë caqe të forcave të NATO-s, e pastaj të tyre, me akuzën se gjoja aleanca perëndimore vrau të burgosurit shqiptarë. Me një gurë donin t’i vrasin dy zogj”, ka thënë Klinaku për Telegrafin

SULMI I PARË DHE I DYTË I NATO-s

Sipas Klinakut, dita e 19 majit ishte ai çast kur forcat serbe i kanë bërë shqiptarët ‘mish për top’ për bombat e NATO-s.

“Më 19 maj, në orën 10:00 të mëngjesit, NATO ka bombarduar për herë të parë në burgun e Dubravës. Dubrava është një prej masakrave më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë, sidomos kur njerëzit kanë qenë duarlidhur dhe nuk kanë pasë në asnjë mënyrë mundësinë e mbrojtjes. Na kanë bërë mish për top për bombat e NATO-së. Fillimisht, ata kanë goditur pavijonin C, ku kanë qenë të burgosurit e izoluar. Kanë mbetur të vrarë Enver Topalli, Abdullah Tahiri e Gjokë Ndrecaj. Ndërmjet pavijonit C dhe B, ishte pavijoni i zbrazët i cili u godit pas 10 minutave. E, pas kësaj, logjikisht prisnim goditjen e pavijonit B, ku kam qenë unë. Në ato momente askush s’ka qenë i qetë. Kemi mësyrë dyert e burgut me ndihmën e të burgosurve të pavijonit A. Ndihmën më të madhe e ka dhënë Istref Hasani (i burgosur për vrasje). I kemi hapur dyert për të dalë në oborr. Çuditërisht, pavijoni B nuk është sulmuar atë ditë. Kemi dhënë ndihmën tonë ashtu si kemi mundur. Ai që më shumë e ka organizuar ndihmën në aspektin mjekësor, ka qenë Bislim Zogaj”.

Avni Klinaku

Pas bombardimit të parë, ku mbetën tre të vrarë dhe shumë të tjerë të lënduar, ata vazhduan të qëndrojnë në fushë të hapur.

“Forcat policore nuk kanë ditur për sulmin. Ka pasë të lënduar edhe nga ta. Gardianët tjerë janë tërhequr nga rrethojat. Ruanin vetëm nga jashtë burgun. Më datë 21 maj NATO ka sulmuar sërish. Sulmi ka zgjatur tërë ditën, deri në orën 24:00. Vendosja në terren të hapur ishte një punë shumë e mençur nga ana e të burgosurve. Në hapësirën qiellore ne shikuam tymin e aeroplanëve i cili formoi një rreth me një shigjetë në mes. Ne menduam që NATO na dha sinjal që të drejtohemi andej në drejtim të shigjetës. Për çudi ne shkuam, por i shpëtuam bombardimeve, edhe pse kjo është e pakapshme”.

Pas përfundimit të sulmeve të NATO-së, diku 24-26 të burgosur shqiptarë kanë qenë të vdekur. Edhe të plagosur ka pasë shumë, sidomos nga ciflat e granatave.

MASAKRA E TMERRSHME: EDHE TË BURGOSURIT SERBË BËHEN EKZEKUTORË

“Në mëngjesin e së nesërmes, më 22 maj, kanë ardhur forcat serbe. Nuk kanë hyrë brenda, mirëpo nga rrethojat na ftuan të rreshtohemi. Na thanë që duhet t’ju numërojmë sa jeni, në mënyrë që të na tërheqin nga aty, kinse se do të hyjnë autobusë për të na dërguar në Nish e kudo tjetër. U mblodhëm të gjithë”.

Klinaku thotë se para se t’i vendosnin në rresht kinse për t’i “numëruar”, ai i kishte vërejtur automatikët e vendosur në muret e shpuara.

“Nga ciflat e granatave muret ishin shpuar vende-vende dhe në disa prej tyre unë i vërejta automatikët. Ishim në radhën e parë. Ju thash tërhiquni nga aty e të dalim diku tjetër, se diçka s’është në rregull. Në momentin që jemi larguar nga ai rresht, kanë filluar të na gjuajnë me bomba, me granata, me automatikë e shumëçka tjetër. Kemi qenë afërisht 1000 të burgosur shqiptarë, sepse të burgosurit serbë janë tërhequr nga burgu. Shumica e tyre janë mobilizuar si gardianë, por kanë kryer edhe krime. Shumë prej tyre edhe i kemi njohur. Përveçqë kemi parë njerëz të shtrirë, të plagosur e të vrarë, kemi parë edhe të burgosur trupat të cilëve fluturonin në ajër nga bombat”.

Ikja e tyre ka qenë në mënyrë të shkapërderdhur: kush të shpëtojë kokën e vet, ngaqë ndihma për shoku-shokun ka qenë e pamundur.

“Kemi ikur ashtu si mundëm. Shumica dërrmuese e të burgosurve janë stacionuar në pavijonin ku ka qenë kuzhina. Pasi ka qenë një prej objekteve më të mëdha brenda atij muri, aty kemi qenë mbi 600 të burgosur. Edhe në pavijonin C janë strehuar diku 150 të burgosur. Të tjerët kudo që kanë mundur, dikush nëpër puseta e dikush në pavijone tjera”.

Edhe pse snajperët ishin përreth, ata ashtu si mundën i tërhoqën trupat e të plagosurve që kishin mbetur në fushë.

“Forcat serbe nuk kanë hyrë brenda rrethojës. Është dashur të ruhemi shumë, për shkak të snajperëve, sepse vazhdimisht gjuanin. Pavijoni C ishte më afër të plagosurve dhe e ka pasë atë mundësi që t’ju ndihmojë të plagosurve. Ndërsa, kuzhina ishte shumë larg. Shumicën e ndihmës e kanë dhënë ata që kanë qenë të stacionuar në pavijonin C – 150 të burgosurit. Kanë tërhequr sa kanë mundur, sepse snajperët gjuanin vazhdimisht. Kudo ku ka pasë lëvizje ata kanë vrarë. Një shoku im ka qëndruar në gypat e ngrohjes ku ka shikuar situatën e 12 personave të cilët gardianët serbë i kanë gjuajtur me nga një plumb në ballë. Ku i kanë zënë të paktë në numër, i kanë asgjësuar duke mos lënë dëshmitarë”.

VETËVRASJET, REZISTENCA E SAKRIFICA PËR TË NDIHMUAR TË LËNDUARIT

Edhe pse në situatë tmerri, ata gjinden disi për të krijuar organizime të vetëmbrojtjes, të ushqimit, por edhe të trajtimit psikologjik për të burgosurit e stresuar.

“Për dy ditë rresht ishim nën presionin se ata do të hyjnë për të kryer masakrën në ne. Për ushqim nuk kemi hequr, sepse në Kuzhinë gjetëm tepricat me të cilat jemi shërbyer. Kemi nxitur një grim moral tek njerëzit. Menduam të pajisemi me shufra hekuri e me gjithçka që kemi, së paku trup me trup mos t’i lëmë të afrohen. Prej frikës se do të masakrohemi, kemi bërë edhe një trajtim psikologjik tek të burgosurit, sepse kemi parë njerëz që i jepnin fund jetës. Aty kanë ndodhur tri vetëvrasje”.

Sipas Klinakut, serbët nuk kanë vrarë vetëm të burgosur, por edhe personat që kanë qenë në shërbim të tyre.

“Ishte data 22 maj kur forcat serbe kanë hyrë brenda. Ishin me maska dhe armë të kalibrit më të rëndë. Një fat i mirë në krejt këtë fatkeqësi ka qenë kur ata e kanë humbur komplet kontrollin dhe nuk kanë mundur t’i zgjedhin njerëzit. Kemi parë me sytë tonë kur ata kanë vrarë edhe njerëz që kanë qenë në shërbim të tyre”.

Përpjekjet e personelit të burgut për t’i asgjësuar – që nga 19 maji – me tentime të ndryshme kanë qenë të shumta, por shumica e të burgosurve nuk ranë pre e provokimeve të tyre.

“Përpjekjet e organeve të burgut ka qenë te ndryshme. Donin të na nxirrnin jashtë rrethojave, nga një vrimë e krijuar nga bombardimet e NATO-s. Ishte hera e tretë që jam burgosur dhe kisha pak përvojë në këtë skenar. Ata e kanë bërë këtë edhe më herët nëpër burgjet tjera. Një bashkëpunëtor të tyrin ma dërguan afër. Ai u drejtua duke më thënë: ‘Kur vjen mbrëmja duhet të ikim se askush s’është jashtë’. Ia miratova gjoja mendimin, duke i kërkuar një transistor dhe një orë, si mjet ndihmës. Të nesërmen ai më tha pse nuk ikëm. Por, unë doja ta mbaja nën tension që kinse ne do ikim, por vetëm na duhet pak kohë. Ndërkohë unë e dija pse po thotë ashtu, sepse donte që të na ekzekutonin të gjithëve. Fatkeqësisht disa veta e kanë pësuar në këtë mënyrë, duke gjetur vdekjen e tyre”.

HUMBJA E SHPRESËS

Sipas Klinakut ata që janë fshehur nëpër puseta e kanë pësuar më së keqi.

“Gjithë kohës i kam lutur të mos futen në puseta. Gardianët serbë vetëm i kanë hapur, e kanë futur bombën dhe kanë ecur. Mirëpo, në njërën prej pusetave, edhe pse kanë hedhur bombën e dorës, të nëntë personat e fshehur aty kanë shpëtuar, që për ne ka qenë një mrekulli”.

Dita kur forcat serbe hyjnë brenda objektit duke kërkuar nga ata që të dalin jashtë, ishte moment kur i humben shpresat që do të dilnin të gjallë.

“Më vonë kanë filluar t’i kërkojnë me emra. Njëri nga emrat kam qenë edhe unë. Normalisht, ne nuk dilnim. Na mblodhën sërish të gjithëve duke e përdorur edhe një truk të fundit. Në një prej objekteve që kishte mbetur pa u goditur nga NATO, na kanë futur brenda duke ndenjur 24 orë me mendimin që edhe kësaj do t’i bien, por nuk u godit. Më interesantja ka ndodh kur neve na kanë çregjistruar nga burgu dhe ishim në dilemë ose do të vritemi ose do të lirohemi”.

Edhe pse dolën nga burgu i tmerrit, më 24 maj, për Klinakun e të tjerët nuk përfundoi maltretimi.

“Megjithatë, momenti më pak i pritur nga të burgosurit erdhi ku filluan t’i sistemojnë nëpër kamionë të plagosurit dhe nëpër autobusë të burgosurit që nuk ishin lënduar për t’i dërguar në burgun e Lipjanit, nga ku vijojnë maltretimet tjera”. /Elfije Boletini/Telegrafi/


RAIF QELA: TMERRI QË NA HUMBI ÇDO FIJE SHPRESE PËR JETË

Me profesion matematikan, është burgosur tri herë nga regjimi serb për veprimtarinë e tij patriotike, duke vuajtur afro 15 vite burg. Deputeti i sotshëm i LB-së në Kuvendin e Kosovës, Raif Qela, herën e fundit, si i burgosur politik, ishte dërguar në burgun e Dubravës. Më pas dërgohet në burgjet e Serbisë, për t’u rikthyer sërish në Dubravë, ku u bë dëshmitar i masakrës së tmerrshme të forcave të armatosura serbe.

Raif Qela

“Për faktin që pjesën më të madhe të të burgosurve të Dubravës i kanë transferuar nga aty në fillim të luftës, përkatësisht në fund të prillit të vitit 1998, kjo tregon se burgu i Dubravës ka qenë për pushtuesit serbë vend jo i sigurt për t’i mbajtur të burgosurit. Me urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, na kanë transferuar nëpër burgjet e Serbisë. Ka pasur njerëz të cilët kanë shkuar pa asgjë, me vetëm ato rroba që i kishin veshur. Na kanë transferuar me shpejtësi marramendëse, sidomos një pjesë të të burgosurve politikë. Kjo tregon se burgu i Dubravës ka qenë i pasigurt për serbët, meqë mundësia për të ikur të burgosurit politikë nga aty ishte mjaftë e theksuar”, thotë Qela për Telegrafi.

KTHIMI NË BURGUN E VDEKJES

Në burgun e Dubravës më vonë transferohen qindra të burgosur. Kjo lojë e ndytë nga Serbia, u bë gjoja për sigurinë e të burgosurve.

“Kthimi në burgjet e Dubravës nga burgjet e Serbisë filloi më 29 prill 1999, kur një pjesë e madhe e Kosovës ishte e shkretuar. Na grumbulluan nga të gjitha burgjet e Serbisë e na përqendruan në Dubravë. Vet kthimi ynë ishte i mistershëm. E parandienim se diçka po zihet në dëmin tonë. Por, kishim dëshirën e flaktë të ktheheshim në atdhe, që së paku të preheshim në tokën tonë”.

Pas disa ditësh, në Dubravë bëhen rreth njëmijë të burgosur. Sipas njërit prej udhëheqësve të burgut, që deklarohet pas kryerjes së masakrës, aty ishin 952 veta – pa i llogaritur të burgosurit serbë që më vonë ishin kthyer në vrasës të shqiptarëve.

“Preteksti i kthimit tonë ishte për çështje sigurie. Të them të vërtetën, siç u pa më vonë, ky ka qenë një skenar shumë mirë i përgatitur, përderisa burgu i Dubravës ishte shndërruar në një qendër për Ushtrinë e Policinë serbe, ku ishin përqendruar autoblindat me plot forca. Ata e dinin se NATO ka informacione se burgu u Dubravës është shndërruar në një qendër ushtarake. Pra, na bënë ‘mish për top’, duke pasë informacionin nga burimet e tyre të spiunazhit se NATO-ja do ta godasë Dubravën”.

Dhe, gjithçka ndodhi ashtu siç serbët e kishin planifikuar: NATO bombardon burgun, serbët kryejnë krimet makabre. Ja si i sqaron Qela tentimet e serbëve që të iknin në arrati nga burgu i Dubravës.

“Serbia ka ditur shumë mirë se çfarë është duke bërë, ndaj e ka përgatitur një skenar të tmerrshëm”, thotë Qela. “Më datën 19 maj janë vrarë tre shokët tanë nga NATO. Në ditën vijuese, përkatësisht deri më 21 maj, ranë 26 të vdekur nga forcat e NATO-s. Prej goditjes së parë të NATO-s, gardianët kanë ikur nga aty, jashtë ndërtese. Personeli vinte njëherë apo dy herë në ditë dhe na numëronin”.

Në bombardimin e parë të NATO-s, në televizionin e Serbisë, RTS, ka qenë lajmi se NATO ka vrarë disa të burgosur.

BISLIM ZOGAJ DHE NDIHMA PËR TË BURGOSURIT

“Kur i ka rënë herën e dytë, kanë thënë se NATO i ra Dubravës dhe mbi 100 të burgosur u vranë e të tjerët morën arratinë. Kjo përputhet me skenarin që kemi parë ne nga brenda. Sepse, nga dhjetëra të burgosur të dyshimtë, u krijua skenari që ne të bëjmë përpjekje të iknim. Nga vet lajmi që ka dhënë televizioni beogradas, se qindra të tjerë morën arratinë, tregon qartë skenarin monstruoz të Serbisë”.

Në goditjet e para, Qela thotë se NATO i kanë rënë pavijonit të izolimit, e më vonë një pavijoni tjetër pranë tij që ka qenë i zbrazët.

“Ne që kemi qenë në pavijonin e tretë me radhë, kemi llogaritur që do të na bien edhe neve. Me dëshpërim të madh pjesa më e madhe e të burgosurve kanë synuar që të shkojnë aty ku kanë qenë grilat. Të burgosurit kanë arritur t’i thyejnë dyert vetëm me ndihmën e të burgosurve ordinerë, që kanë qenë jashtë. I burgosuri ordiner, Istref Hasani, në vazhdimësi ka qenë pranë të burgosurve politikë dhe gjithmonë, kur ka pasë qëndresë kundër personelit, ka qenë në krah të të burgosurve. Ai e ka marrë kazmën i pari e edhe i kanë thyer dyert e pavijoneve. Dolëm në oborr dhe prej atij çasti kemi qëndruar jashtë duke i marr dyshekët nga brenda që të flemë aty”.

Por, gjumi nuk mund t’i zinte ata, sepse NATO godiste ndërtesat përreth e edhe ndërtesat brenda burgut.

“Para se të na mblidhnin më datë 22 maj, një natë më herët, teksa flinim në oborr, kam dëgjuar tërë natën tek endeshin traktorët përreth burgut. I kanë përgatitur që të gjuajnë nga ta sa më shumë mbi ne. Në mëngjesin e 22 majit na mblodhën. Njëri prej udhëheqësve të burgut ka thënë të rreshtohemi. Një pjesë ë të burgosurve kanë filluar të rreshtohen afër karakollit. Kur kanë filluar të shtënat, kanë qenë me qindra armë, njëkohësisht, të llojeve të ndryshme. Më vonë, pasi i kanë rrëzuar përnjëherë nja 80 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën, kushdo që ka dalë nga pavijoni është gjuajtur me snajper. Unë nuk kam qenë i rreshtuar. Si të burgosur nuk i përfillnin fort rregullat. Kemi qenë nja 20 metra më larg dhe kjo na ka shpëtuar. Kush ka qenë në radhën e parë të të burgosurve, pjesa më e madhe janë vrarë. Pas kësaj, një pjesë e madhe e ikën në bodrumin e kuzhinës dhe një pjesë në pavijonin e izolimit. Në bodrum ishim rreth 650 veta. Një pjesë kanë qenë edhe të plagosur, si dhe në pavijonin C”.

Ndihma të plagosurve u është dhënë nga ana e të burgosurve tjerë, që nga dita e parë që kanë filluar bombardimet e deri ne momentin që kanë dalë nga burgu.

“Kemi ndihmuar aq sa kemi mundur. Kontributin më të madh e ka dhënë Bislim Zogaj dhe studentët e Prizrenit. Aty u vranë 150 persona dhe 350 janë plagosur”.

BASHKËPUNËTORËT SHQIPTARË TË KRIMINELËVE SERBË

Forcat serbe donin të vrisnin të gjithë, ndaj manipulonin për t’ia arritur këtij qëllimi.

“Përpjekjet për të krijuar gjendjen e padëshirueshme dhe për të na nxitur që të ikim nga burgu, kanë qenë shumë të ulëta. Përderisa ne ishim duke qëndruar jashtë, kemi parë se si një i burgosur – bashkëpunëtor me serbët – së bashku me 10 veta kishin dalë jashtë mureve. Vetëm ai u kthye duke thënë se ka ikur deri në Gjurakoc dhe se aty kishte takuar Ushtrinë e rregullt serbe të cilët e kishin kthyer sërish në burg. Ai na jepte sinjal që të iknim të gjithë, se gjoja askush nuk është jashtë dhe se gjoja në këtë mënyrë do të shpëtojmë. Por, ne e dinim që ky ishte qëllimi i serbëve, për të na vrarë si lepujt dhe të arsyetoheshin për vrasjen tonë. Sepse, kushdo që dilte në oborr vritej nga snajperët; kushdo që ishte nëpër qoshe ku nuk ishte përqendrimi i madh i të burgosurve, vritej prej granatave, prej mitralozave, e prej pushkëve, duke krijuar bindjen se jemi të pashpresë. E ne, si të pashpresë, përpiqeshim të kapeshim pas fijes së kashtës me mendim që ne duhej të iknim. Njëri prej atyre që ka bartur të plagosur ishte student i Prizrenit, Njazi Kryeziu. Ai erdhi prej pavijonit C, në bodrumin e mensës, dhe iu drejtua bacës Bajrush (Bajrush Xhemajli) duke i thënë se po hapet fjala që të bëjmë përpjekje të ikim, sepse nuk kemi shpresa që të mbesim gjallë. Avni Klinaku, që vazhdimisht ishte ai që na mbante me shpresë – pasi nga presioni i madhe psikologjik tre veta kanë bërë vetëvrasje – u konsultua me ne e të gjithë njëzëri vendosëm që mos të iknim. Në përpjekjen e dytë të atij bashkëpunëtori që gjoja u kthye nga Gjurakoci, është vrarë bashkë me 12 të burgosur, ndër ta edhe Shaban Qosja, rom i Mitrovicës”.

Edhe pse rezistenca e të burgosurve dhe lufta për të qëndruar në jetë nga ana e të plagosurve ishte e pamundur të vazhdohej nga numri i madh i forcave serbe, këta të fundit u “dorëzuan” më datë 23 maj.

“Më datë 23 maj 1999 na kanë thirre me zor jashtë. Filluan të hidhnin granata dore e bomba. Pasi vranë disa nga tanët, u dorëzuam. Duke dalë nëpër kthinat e bodrumit, u hallashtisëm me njëri-tjetrin, duke u përshëndetur, duke mos pasë asnjë fije shprese për jetë. Por, askush nga shokët nuk ka shfaq ndonjë frikë, sepse ishim bërë një me pranimin e fatit tonë, me mendim që do të na vrisnin. Por, për çudi ndodhi diçka që ne nuk e prisnim. Dhe, kjo u vërtetua më pas, ku – sipas të burgosurve që kanë mbetur në burgjet e Serbisë – Zëri i Amerikës ka njoftuar që të burgosurit e Dubravës janë brenda e për fatin e tyre nuk dihet. Kjo ishte arsyeja se pse nuk na vranë të gjithëve”. /Elfije Boletini/Telegrafi/


HASAN ZENELI, I MBIJETUAR I MASAKRËS SË DUBRAVËS: DËSHMI E DHËNË NË VITIN 2006, NË “LAJM PLUS”

“HELP”

Të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës nuk i harrojnë pamjet e trishta dhe “thikat e natës serbe” mbi shqiptarët. Dubrava, burgu famëkeq, në vitin e rëndë 1999 ishte në duart e paramilitarëve të Milosheviqit. Aty ishin të ngujuar qindra të burgosur shqiptarë. Njëri ndër ta është edhe Hasan Zeneli, anëtar i UÇK-së, i cili në tetor të vitit 1997 dënohet nga gjykata serbe me 20 vjet burg…

“Pas qëndrimit 16 muajsh në Burgun e Qarkut në Prishtinë, me urdhrin e gjykatëses Danica, rojat urdhëruan që për pesë minuta t’i mbledhim ‘çaklat’ – ne të burgosurit e UÇK-së – dhe të dalim në oborr. Me duar dhe këmbë të lidhura na futën në një kombibus.

Të nesërmen, kah mesdita, e pamë se gjendeshim në oborrin e një burgu në Serbi. Pas pak kuptuam se jemi në burgun e Mitrovicës së Sremit. Na futën në një korridor. Drejtori tha: ‘Gde ste terroristi ( ku jeni terrorista)’.

Në korridor ishin mbi 50 gardianë, me shkopinj në dorë. Drejtori i burgut u thotë gardianëve: ‘Dërgojini terroristët për të ngrënë bukë’. Atëherë fillojnë të rrahurat me shufra, shqelma, grushte, dhe gjësende të metalta. ‘Ky është mëngjesi juaj’, thoshin ata.

Ashtu, të sakatosur, urdhërohemi të ngjitemi në katin e epërm. Mezi ecnim. Disa duhej t’i bartnim me batanije, nga gjakderdhja dhe thyerjet që kishin përjetuar. Na futën nëpër qelia, mua, Besim Ramën, Nait Hasanin, Agron Tolajn, Agim Makollin, Isak Shabanin, Arif Vokshin, Selim Lokajn, Asllan Selimin, Avni Klinakun, Dylber Bekajn, Nebi Tahirin, Raif Qelajn, Hazer Hajzerin, Enver Dugollin, Bajrush Xhemajlin… Naim Krasniqin e sollën pak ditë më vonë, në gjendje të vdekjes klinike.

Na kanë torturuar nga tri ose katër herë brenda ditës. Nga dritarja e qelisë nr. 27 vëreja se si tuboheshin disa gra dhe burra, për t’i dëgjuar britmat. Pas dhjetë ditëve, u bë një protestë nga popullata e Mitrovicës së Sremit, kundër këtyre maltretimeve – duke menduar se ne jemi të burgosur serbë. ‘Këta janë terroristë nga Kosova’, tha drejtori Ivkoviq dhe protesta pushoi.

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, na dërguan në katin e epërm të pavijonit, që ne të jemi viktima. Nga afërsia e burgut Ushtria jugosllave provokonte aeroplanët e NATO-s. Pasi kalonte alarmi i rrezikut, na zbrisnin në bodrumin e burgut. Pas Sremit na dërguan në Nish. Aty na maltretuan gati çdo minutë. Një herë, ashtu pa vetëdije, Nait Hasani më kap ndër duar dhe më dërgon në dhomë.

Pas Nishit na dërgojnë në Dubravë. Objektet e këtij burgu përdoreshin për shumë qëllime: për pushim, për rekrutime dhe ushtrime të paramilitarëve të Arkanit dhe Frenkit; për të ekzekutuar njerëz të mbajtur peng; për të përdhunuar gratë dhe vajzat shqiptare… Pasi kishin marrë vesh se NATO-ja ka informata se në këtë burg janë të përqendruara forcat serbe, serbët rrinin anash, jashtë mureve. Kjo u bë me qëllim që ne të jemi viktima të sulmeve ajrore të NATO-s.

Ashtu edhe ndodhi. Më 19 maj 1999 predha e parë e goditi pavijonin C, duke lënë katër të vrarë dhe nëntë të plagosur. Një gardian pastaj ua hapi derën të burgosurve të pavijonit A, të cilët na ndihmojnë ne të tjerëve të thyejmë dyert e pavijoneve tjera. Dolëm jashtë, në oborrin e burgut. I thash Njazi Kryeziut, Haqif Iliazit, Dëfrim Rifajt dhe Bilbil Durakut që nga pavijoni C t’mi sjellin kutitë e bardha, me të cilat ishin të mbrojtura dritat e neonit. Në fushën e futbollit me këto kuti shkrova fjalën ‘HELP’, për t’i treguar NATO-s se ne kërkojmë ndihmë dhe se jemi të burgosur shqiptarë.

Me 21 maj, vazhdojnë bombardimet e NATO-s. Por, është 22 maji dita që solli tmerrin më të madh në Dubravë.

Dy gardianë, me altoparlantë urdhëruan të rreshtohemi në fushën e futbollit. Ata thanë se tani vijnë autobusët të na transferojnë në një burg tjetër. Derisa prisnim sinjalin për t’u nisur, fillojnë të shtënat me armë automatike dhe me bomba dore, duke shkaktuar dhjetëra viktima në mesin tonë. Të tjerët ne ikëm dhe u strehuan ku mundëm, gjithnjë të ndjekur nga frika dhe vdekja. ‘A e shihni se çka ju bëri NATO’, na thonë ata të nesërmen, pasi na nxjerrin me bomba nga vendstrehimet tona.

Më 24 maj erdhi transporti që na dërgoi në burgun e Lipjanit. Në Lipjan qëndruam deri me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Atë ditë bëhet ritransferimi jonë nëpër burgjet e Serbisë…”! /Fehmi Rexhepi/Telegrafi/

(VAZHDON NESËR)

Në trend Lajme

Më shumë
Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Elfije Boletini
Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Shëndetësi
RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori