LAJMI I FUNDIT:

Masa mbështetëse për subvencionimin e faturave të energjisë, Murati jep detajet

Masa mbështetëse për subvencionimin e faturave të energjisë, Murati jep detajet

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur për pakon e re qeveritare për ndihmë qytetarëve për përballje me inflacionin, e që ka të bëjë edhe me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Murati në një konferencë për media me kryeministrin e vendit, Albin Kurti ka thënë se qeveria çdo cent që e mbledh e rikthen tek qytetarë në shërbim të rritjes së mirëqenies së tyre.


Ai tha se sa i përket subvencionimit të faturave të energjisë elektrike kjo masë do të fillojë nga muaji shtator.

“Nga sot duhet të fillojmë të kursejmë. Këtu patjetër ka mënyra të ndryshme të kursimit. Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë vitin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët. Të gjithë qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi të dhënat janë në zyrën e rregullatorit”, tha ai.

Inflacioni në Kosovë, Qeveria Kurti me pakon e re mbështetëse për qytetarët
Lexo po ashtu Inflacioni në Kosovë, Qeveria Kurti me pakon e re mbështetëse për qytetarët

Ndërsa për Projektligjin për Punë Publike, Murati tha se është draftuar dhe pasi të kryhen konsultimet e brendshme, pritet të kryhen dhe ato publike e pastaj do të procedohet në qeveri, e në Kuvend për miratim.

E, sa i përket masave të tjera të dyfishimit të asistencës sociale ai tha se do të filloj nga ky muaj, e edhe për shtesat në pagë për sektorin publikë do të filloj në muajin shtator.

Ministri po ashtu tha se do të subvencionojnë edhe sektorin privat, e kjo vlen siç tha ai për ato biznese që ua rrisin pagat punëtoreve të tyre.

Ai tha se shteti do të subvencionojë gjysmë e rritjes së pagës së tyre (të cilët marrin rritje të rrogës nga biznesi) për tre muajt e ardhshëm.

“Edhe sektori privat ka nevojë për ndihmë. Si rrjedhojë kemi parapa që të mbështesim dhe të subvencionojmë të gjitha bizneset që i rrisin pagat e tyre. Shteti do ta subvencionoj gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muajt e ardhshëm. Ndërsa për studentët dhe bizneset do të ju njoftojmë gjatë ditëve në vijim”, tha ai. /Telegrafi/