LAJMI I FUNDIT:

Margaritarët nga balta e Bllacës

Margaritarët nga balta e Bllacës

“Guri rrokulliset përpjetë”, një përmbledhje me nja 25 vjersha, ka zënë fill në një margjinë gazete në baltën e Bllacës, është shkruar më pas para agimit në shkallët e një shtëpie dhe në kafenetë që hapeshin herët në muajin e ramazanit në Gradec të Maqedonisë. Është lexuar më pas nëpër kampe dhe bashkë me refugjatët shqiptarë është shpërndarë pothuajse në të katër anët e globit, duke përjetuar kështu, për një kohë fare të shkurtër, një “jetë” të parëndomtë për letërsinë shqipe dhe duke zënë vendin e ndër më të dashurave e më të çmuarave të autorit të saj … Ky shkrim është botuar më 2003 në Shtojcën “Jeta” të Javores Politike Shqiptare – “Zëri”.

Nga: Dush Gashi


Kur poeti Agim Deva, si edhe mijëra bashkëkombës të tij të tjerë, ishte gjendur në baltën danteske të kampit të Bllacës, në atë “fushëgropë të vdekjes”, siç do ta quajë në vjershat e tij, ku “njerëzit në njërën anë vdisnin, në tjetrën anë lindnin”, fillimisht as që kishte mundur ta merrte me mend se do të jetë ky vendi ku ai do të vazhdojë së krijuari. Shpejt do ta kuptojë se tundimi për të shkruar do të jetë aq i fortë, i papërballueshëm.

“Në Bllacë pashë dhe përjetova gjithçka. Tërë ajo llahtari bëri që për herë të parë të shoh mbi njëqind mijë njerëz të rrojnë si – një i vetmi njeri, që edhe në atë greminë të vdekjes, ku na kishin hedhur serbët e prej nga maqedonasit nuk na lejonin të dilnim, përpiqej që deri në çastet e fundit të frymëmarrjes së vet – të ruajë ekzistencialisht idenditetin e vet kombëtar. Njeriu im bënte betejën e fundit që të mos tjetërsohet as nën presionin e madh të vdekjes, e cila me çekanin e vet të ndryshkur e shumë të rëndë e godiste pamëshirshëm mu në ballë”, thotë ai.

Jeta në dy qese najloni

Vargjet e para që do t’i sillen në kokë, të cilat ia “gërrithnin bebëzat e syve”, siç ia “gërrithnin gjërat që i shihte me ta”, duhej hedhur sa më shpejt në letër. Kishte laps, por, pas shtëpive, librave, mobilieve e fotografive, e oborreve, të lëna prapa krahëve, në jetën e “zvogëluar”, që “bartet n’dy qese najloni”, nuk ishte letër. Letra ishte gjë e kërkuar në Bllacë, cipat e fundit ishin shfrytëzuar për gjëra më të rëndësishme – ndezjen e zjarrit, për shembull. Ai do të mund të shkruante vargje edhe në pako cigaresh, por as cigaret nuk gjendeshin atje. Megjithatë, një margjinë gazete do të jetë letra mbi të cilën do të hidhen vargjet e para të librit të ri.

“S’e kisha pas ditur se çkado që shihja në atë Bllacë të mallkuar e shkruante tek unë nga një varg të pashkruar të një libri të ri”, thotë poeti.

Me të arritur në Gradec, në Draudakumin e lashtë, ku është lindur Vojsava, nëna e Skënderbeut,

fshatin në të cilin Agimi do të kalojë kohën e bombardimeve, nga pronari i shtëpisë ku ishte vendosur, Xhevat Ademi, kërkon një fletore apo bllok, ose së paku nja katër-pesë fleta makine. Ishte kjo një kërkesë tepër e vogël për bujarinë e madhe që treguan asokohe bashkëkombësit tanë nga Maqedonia. “Miku im i dashur ma plotësoi me fanatizëm të madh këtë kërkesë – për një kohë shumë të shkurtër më solli një boks letra makine, disa fletore, nja katër-pesë lapsa kimikë, duke ma vënë në dispozicion edhe makinën e vet elektronike – fare të re, të cilën e kishte sjellë nga Gjermania, ku kishte punuar shumë vjet e të cilën ende s’e kishte shpalosur nga najloni” , thotë ai.

Gejzerët e frymëzimeve

E ndjente se pas shqetësimeve të mëdha që kisha do të më vërshojnë vargjet.

“Dhe ashtu ndodhi. Zgjohesha pas mesnate. Ulesha në shkallët e meskateve, në korridorin e shtëpisë, mbështetja një libër në gjunjë dhe në letrën që e kisha vënë mbi të – shkruaja. Shkruaja ashtu deri në orën pesë të mëngjesit, e atëherë dilja nëpër fshat, në të njëjtën kohë kur dilnin edhe vendësit për të shkuar në xhami. Në ato mëngjese të hershme tashmë ishin të hapura të gjitha kafenetë dhe çajtoret. Unë zakonisht zgjidhja ato lokale ku kishte më pak myshterinj. Kryesisht shkruaja në një tavolinë që, pothuaj, përherë ishte e zbrazët – në kafenenë ‘Mini – Gril’. E hetoja se prej dite në ditë isha gjithnjë e më i pafuqishëm t’u përballoj gejzerëve të fortë të frymëzimeve që, pothuaj, në asnjë çast nuk më linin të qetë. Shkruaja dhe i korrigjoja pareshtur vargjet e mia. Natën edhe ditën. Flija fare pak.”

Me vulën e përjetimit kolektiv

Më tej ai do të zbulojë një raport gjithsesi interesant mes krijuesit dhe veprës së tij:

“Kisha frikë mos do të më ndryshojnë këto poezi, që dorëzohem para tyre. Të dorëzuarit e këtillë është rrezik i madh për krijuesin dhe veprën e tij. Isha i vetëdijshëm për këtë. Prandaj, paralelisht zhvilloja dy beteja – të mbrohem nga muzat, në njërën anë, dhe nga vetvetja, në anën tjetër.” Megjithatë, “lapsi e bënte të veten. Ai nuk ndalej. Ishte rebeluar tej çdo mase. Ai kishte vendosur të “vdesë” sa më shpejt e ta “varrosë” veten përmbi letrat e mia të bardha. Ja pra, kështu – lindi e po ato ditë edhe u botua libri im me poezi ‘Guri rrokulliset përpjetë’, i cili u shpërnda nëpër shumë shkolla e kampe refugjatësh. U promovua në Tetovë dhe më duket se u mirëprit nga banorët e asaj ane. Nxënësit dhe arsimtarët e tyre e përgatitën në formë recitalesh, që shfaqeshin në shkolla me rastin e përfundimit të mësimit.”

“Guri rrokulliset përpjetë” për një kohë fare të shkurtër do të përjetojë një “jetë” të parëndomtë për letërsinë shqipe, pothuej se dramatike, ashtu siç e përjetonte edhe autori i tij, ashtu siç e përjetonin edhe lexuesit e tij, duke u bërë kështu një ndër librat më të dashur e më të çmuar të autorit të tij:

“Ai ‘fluturoi’ në të katër anët e botës, bashkë me refugjatët, të dëbuarit, tanë të cilët përditë e më shumë merrnin botën në sy. Kështu, nga disa ekzemplarë arritën në Kanada, SHBA, Norvegji, Zvicër, Gjermani, Australi, Zelandë të Re, Turqi etj. Ky, pra, edhe në biografinë time mbetet një libër specifik – me nja 25 poezi të përzgjedhura nga mbi 160 sosh, sa i shkrova gjatë qëndrimit tim mbi dymujor në familjen e Xhevat Ademit. Ndoshta pikërisht pse u shkrua në këto rrethana, këtë libër do ta veçoja nga të tjerët, sepse mban vulën e një përjetimi kolektiv të popullit tim. Aty më së paku kam qenë dhe kam mbetur i vetvetes.”

Rrugët që s’dinë kah çojnë

Autor, i cili që nga viti 1968, kur do të botojë librin e parë, “Trumpetë e artë”, do të vargisë 55 vepra të botuara, e të cilin kritika e ka vlerësuar përherë pozitivisht dhe pothuej se ka marrë të gjitha shpëbilmet e njohura letrare që ka mundur të marrë një shkrimtar i këtij mjedisi, kurse veprat e tija janë përkthyer frëngjisht, gjermanisht, arabisht, italisht, turqisht, kroatisht, sllovenisht, hungarisht, nuk mendon se ajo veçohet shumë për nga niveli i saj estetik. Megjithatë, në këtë “kronikë poetike për të gjitha krajatat e mizoritë që populli ynë”, siç e kanë quajtur recensentët, mund të hasen figura të fuqishme stilistike, e sidomos paradoksi, të cilat janë margaritarë të vërtetë të dalë nga balta e Bllacës: Treni i vdekjes i gjatë sa jeta,/Ngarkohen dhembjet mbi gëzime t’veta…; S’e dinë as rrugët se nga na çojnë; Heshtjet e njerëzve sa shumë ushtojnë; Një foshnje qan për kurrkund, apo: M’thuaj, Kosovë, n’sa Bllaca je?…Diçka po lind n’Bllacën e vdekjes, Treni nxiton para/E koha kthen pas; Këtu është udhëkryqi më i madh në botë/Shtigjet të shpiejnë gjithkah e kurrkund/Qëndrojmë në vend e udhëtojmë etj.

“Edhe sot çuditem me optimizmin që më tërhiqte përpara, pothuaj në çdo varg të poezisë. Kjo frymë edhe dominon në librin “Guri rrokulliset përpjetë”, e veçmas shprehet në titull. Gjatë shkrimit të tij më dukej se sa më shumë që lodhesha, ndjehesha më i pushueshëm. Ndoshta – pse shkarkoja një barrë nga bota ime për të ndërtuar diçka, që nuk ishte imja”, thotë Agim Deva. /Telegrafi/