LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, policia financiare kryen kontroll në Institutin për kontabilistë

Maqedoni, policia financiare kryen kontroll në Institutin për kontabilistë

Skandalet në Institutin për kontabilistë filloi t’i hetojë Drejtoria për polici financiare. Nga kjo drejtori informojnë se sot kanë hyrë në hapësirat e Institutit për kontabilistë, ndërsa hetimin do ta vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Hetimi i policisë financiare përfshin punën materiale-financiare dhe dyshimet se vendimet në këtë Institut janë sjellë nga persona që nuk janë pjesë e tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministria e Financave konfirmoi skandalin në këtë institut në lidhje me shkarkimin e kryetares Lençe Llapazovska, që dje e publikoi ‘Makfaks’. Nga Ministria e Financave thonë se nuk kanë dhënë mendim pozitiv për shkarkimin e drejtores, edhe pse tashmë një muaj ajo nuk është në funksionin e drejtores së këtij instituti. Për zëvendësimin e kryetarit të Këshillit drejtues, që njëkohësisht është edhe drejtor i Institutit për kontabilistë, Këshilli mbikëqyrës, i cili është organi që emëron kryetarin, duhet të pranojë mendim pozitiv nga Ministria e Financave.


“Deri te Ministria e Financave nuk ka arritur kërkesë për mendim pozitiv për shkarkimin e kryetares aktuale të Këshillit drejtues të Institutit për kontabilistë. Për këtë shkak, nuk janë krijuar bazat ligjore për shkarkim të drejtores aktuale dhe zgjedhjen e drejtorit të ri”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave./Telegrafi/