LAJMI I FUNDIT:

Man Utd fiton thellë derbin e javës në udhëtim ndaj Tottenhamit

Man Utd fiton thellë derbin e javës në udhëtim ndaj Tottenhamit

Manchester Unitedi ka fituar në udhëtim te Tottenham Hotspur me rezultat të pastër 3-0 në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 10-të në Ligën Premier.

Djajtë e Kuq kanë arritur t’i kthehet fitores pas katër ndeshjeve, ku patën tri humbje dhe një barazim, pasi kanë triumfuar në udhëtim te Spurs.


Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, por me vendasit që patën diçka më shumë nga lojë, ndërsa mysafirët që shënuan golin e vetëm.

Spurs rrezikuan me anë të Heung-min Son (24’), i cili goditi shtyllën, ndërsa Cristian Romero (28’) gjeti golin, por iu anulua pas rishikimit të VAR-it.

Goli i vetëm i rregullt në këtë pjesë erdhi në minutën e 39-të dhe ishte Cristiano Ronaldo, i cili me një goditje të bukur pas asistimit të Bruno Fernandes shënoi për 0-1.

Në pjesën e dytë, Djajtë e Kuq ishin skuadër më e mirë, më e sigurt dhe arritën të shënojnë edhe dy gola për të siguruar fitoren.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 64-të kur Edinson Cavani shënoi për 0-2 pas asistimit të Ronaldos, ndërsa Marcus Rashford (87’) shënoi dhe vulosi rezultatin përfundimtar 0-3.

Fitorja e Djajve si duket edhe edhe për faktin se trajneri Ole Gunnar Solskjaer kishte vendosur të luante me një rreshtim të ri, 3-5-2.

Pas kësaj fitore, Unitedi ngjitet në pozitën e pestë me 17 pikë, ndërsa Spurs renditen në vendin e tetë me 15 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Djajtë e Kuq e presin në derbi rivalët e urryer të Manchester Cityt, ndërsa londinezët udhëtojnë te Evertoni. /Telegrafi/