Produktet tona me vështirësi plasojnë prodhimet e tyre në tregun serb dhe atë të Bosnjës. Dy vende këto që bazuar në të dhëna zyrtare kanë shumëfish më shumë import sesa që pranojnë eksporte kosovare.

Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, del se shkëmbimi tregtarë Kosovë-Serbi-Bosnjë, ka një diskrepancë të madhe mes importit dhe eksporteve të Kosovës. Serbia vetëm vitin e kaluar ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 390 milionë euro, ndërsa, Kosova ka eksportuar rreth 30 milionë euro.

Po ashtu, edhe importi i mallrave që vijnë nga Bosnja është më i madh se eksportet e Kosovës në Bosnjë. Në vitin e kaluar ishin importuar mallra nga Bosnja në vlerën prej 80 milionë eurove, kundrejt një eksporti prej 8.5 milionë euro.

Shumë shpesh bizneset vendore hasin në vështirësi gjatë eksporteve të mallrave të tyre drejtë këtyre dy shteteve. Serbia vazhdimisht pengon plasmin e produkteve kosovare në tregun e saj. Produktet me mbishkrimin “Made in Kosova”, në të gjitha format pengohen për t’u shitur në tregjet serbe.

Edhe pse asnjë nga bizneset nuk preferojnë të flasin para kamerave, ata tregojnë që në forma dhe mënyra të ndryshme iu vendosin barriera.

“Pavarësisht barrierave që na shkaktojnë gjatë eksportit në pika kufitare si Bosnja edhe Serbia, kemi telashe sepse në të shumtën e rasteve na heqin produktet nga raftet, duke na pamundësuar kështu që prodhimet tona të shiten në këto dy shtete”, ka thënë një nga eksportuesit kosovarë që ka dashur të mbetet anonim.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se importi i mallrave nga Bosnja është në rritje. Vitin që lamë pas nga ky shtet janë importuar mallra në vlerë prej mbi 78 milionë euro. Ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës në Bosnjë ka qenë shumë më i ulët diku rreth 8.5 milionë euro në vitin 2016-të. Ai ka treguar se mallërat që nga Bosnja, Kosova importon janë produktet ushqimore, është një pjesë duhanit por ka edhe produkte higjienike. Përderisa Kosova në Bosnjë, sipas tij, eksporton disa lëndë të para dhe pije alkoolike.

Ai tha se pengesat gjatë shkëmbimeve tregtare mes Bosnjës dhe Kosovës nuk janë raportuar nga bizneset.

“Importi prej Bosnjës i cili vjen drejt Kosovës, në vitin 2014-të ka qenë rreth 60 milionë euro. Kurse në vitin 2016-të ka mbërri afër 80 milionë euro, pra, kemi një rritje prej afër 15 përqind të importeve prej Bosnjës nga viti në vit. Ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës drejtë Bosnjës, është një eksport shumë i ulët. Mund të themi në vitin 2014-të kemi eksportuar vetëm 4 milionë euro mallra, kurse në vitin 2016 ka një rritje por prapë se parë është i ulët kemi arrit 8.5 milionë euro eksport drejt Bosnjës. Nuk mund të iu them që kemi pranuar ndonjë ankesë me shkrim e cila është deponuar në Doganën e Kosovës që kanë pasur problem me Doganën e Bosnjës. Ne bashkëpunojmë me Doganën e Bosnjës dhe shkëmbejmë informata. Nuk mund të Iu themi në baza ditore, por në baza mujore, kemi kontakt me Ddoganën e Bosnjës”, tha Stavileci.

Për dalim nga Bosnja, Kosova njihët që ka një import shumë të madh të produkteve të Serbisë. Ndërsa, eksportet e Kosovës në Serbi janë modeste. Për dallim nga Bosnja, shteti serb ka penguar bizneset në plasimin e mallrave të tyre por që me negociata në Bruksel, sipas tij, janë zgjidh problemet.

“Serbia është eksportuesi më i madh i produkteve të saj drejt Kosovës, në gjithë vendet e botës, Serbia prinë. Viti i kaluar ka qenë viti ku kemi pasur më së shumti import rreth 390 milionë euro import të mallrave nga Serbia. Derisa kthehemi në retrospektiv në vitin 2014-të, ky import ka qenë rreth 358 milionë euro. Çka është një gjë pozitive, eksportet tona drejtë Serbisë. Nëse në vitin 2014-të kanë qenë rreth 30 milionë euro, në vitin 2016-të kanë mbërri në 45 milionë euro. Është një rritje prej 15 milionëve në një periudhë 2 vjeçare që është një rritje mjaftë pozitive….Për dallim nga Bosnja me Serbinë kemi pasur disa probleme, jo përdorimi i vulave të dyfishta, ka pasur probleme të ndryshme me Serbinë, por sidoqoftë si rezultat i negociatave edhe bisedimeve që janë duke u zhvilluar në Bruksel janë trajtuar këto çështje. Gjitha këto probleme janë zgjidhur, ka mbi një vit që nuk kemi pranuar ndonjë problem të raportuar lidhur me sportin e prodhuesve Kosovarë”, tha Stavileci.

Ligjvënësit thonë se Qeveria duhet të vendos masa reciproke në rastet kur sheh që prodhuesit kanë probleme me plasimin e mallrave të tyre në tregjet e Serbisë dhe Bosnjës.

Blerim Grainca, anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, thotë se ka informata që në vazhdimësi ka dëgjuar se prodhuesit vendor kanë probleme me plasimin e mallrave të tyre në tregun e Serbisë dhe Bosnjës.

“Është e vërtet se shumë biznese kanë ankesa se mallrat e tyre, nuk arrijnë të plasohen në tregun e Serbisë dhe Bosnjës për shkak të problemeve që iu shkaktojnë autoritetet atje. Personalisht mendoj që Kosova duhet të aplikoj masat e reciprocitetit në raportet me këto vende, sepse nuk mund të sillen pa përgjegjësi dhe që mallrat e tyre të futen në territorin e Kosovës, kurse, mallrat tona të mos mund të kenë akçes apo qasje në tregun e tyre. Mendoj që MTI-ja duhet t’i propozoj Qeverisë për të marrë një vendim të tillë që mallrat e Kosovës të trajtohen në treg dhe të trajtohen të barabarta në treg. Ne kemi nënshkruar MSA, kemi marrëveshjen e CEFTA-së dhe përkundër kësaj prapë autoritetet e Serbisë dhe Bosnjës po luajnë me standarde të dyfishta dhe është koha e fundit që Kosova të marrë vendime të atilla që dëshmojnë që jemi shtet stabil dhe që jemi shtet që mbron interesat e veta edhe pse në të kaluar ën janë marrë vendime të tilla dhe në vazhdim po punohet për favorizimin dhe përkrahjen e bizneseve kosovare.”, tha Grainca.

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se në raste se Serbia dhe Bosnja nuk lejojnë plasimin e mallrave të Kosovës, Kosova duhet të vendos masa reciproke.

“Sa i përket masës së reciprocitetit, ne duhet të ndihemi si shtet, sepse jemi shtet i njohur ndërkombëtarësh dhe ashtu duhet të sillemi, pa marrë parasysh atyre vlerësimeve që vijnë nga shteti rajon siç është Bosnja dhe Serbia, ne duhet ta kemi logon e shtetit të Republikës së Kosovës dhe nëse ata nuk e tolerojnë këtë, atëherë duhet masa të reciprocitetit mes këtyre shteteve”, tha Lekaj.

Ndërsa, Departamenti i Tregtisë që funksionon në kuadër te Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në një përgjigje elektronike ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë ankese të kësaj natyre, prandaj nuk ka bazë për ndërmarrjen e masave reciproke./KP/