LAJMI I FUNDIT:

Magjia e radios! Behare Bajraktari, themeluesja e Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë

Magjia e radios! Behare Bajraktari, themeluesja e Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë

Nëse bëhesh gazetar duhet të jesh në gjendje të vlerësosh se a lë gjurmë? Nëse kjo s’ka ndodhur, edhe kur të ikësh, s’ke për të lënë zbrazëti ose e kundërta, nëse ke bërë punë të mirë apo shumë të mirë gjurmët e tua kanë për t’i gjetur të tjerët

Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Veshja: Flutura Dedinja
Grimi: Vjosa Angel
Foto: Fahredin Spahija


Ndonëse në shikim të parë duket se radio po e humb ndikimin e vet, ajo ende mbete atraktive, joshëse, misterioze dhe magjike deri në adhurim.

Si njëra nga gazetaret më të njohura në vend, Behare Bajraktari është gjithmonë në fokus të mediave, jo vetëm për shkak të angazhimit profesional, por edhe për faktin se njihet si themeluese e zhanrit më të ri, gazetarisë së gjelbër.

Beharja, përmes shkrimeve dhe emisioneve të saj, tashmë angazhohet për natyrën, rrugët, motin, kaosin tonë, ndjesitë e imponuara shpesh edhe nga rrethanat. Por jo vetëm kaq, veçse, ajo bën shumë më shumë se kaq.

E brumosur me art, me dëshirën e përflakur për të bukurën si kategori universale, ajo rrëfen me një sinqeritet të theksuar për punën e saj prej gazetareje shumëvjeçare, për nismën e re, për marrëdhënien me djalin e saj, mënyrën e veçantë të të jetuarit, për dashuritë e momentit dhe projektet e ardhshme.

Logjika e përgjigjeve, frazat, idetë që përcjell, një botë e brendshme e përshkruar në fjali që të rrëmbejnë, zbulojnë atë Beharen që e gjen veçse në intervista.

Tregimi i saj nuk është i njëtrajtshëm e i bezdisshëm, veçse një shpalosje atraktive e jetës. Mos e humbisni!

Prej shumë vitesh të përcjellim në radio, ju shohim në ekran, të kemi ndjekur në biseda e debate publike, ke qenë prezente në jetën kulturore të vendit dhe pa frikë mund të themi se je gazetarja “par exellance” në emisionin ON AIR të Radio Kosovës. Duket se ju nuk mund te jetoni pa gazetarinë dhe anasjelltas.

Gazetaria është vetja ime. Këtë thirrje e ndjej për çdo mëngjes, për çdo ditë me radhë dhe për çdo muaj të vitit, sa herë nis ditën dhe sa herë e mbylli atë duke menduar për ditën e radhës. Sa herë që shkoj në punë e sa herë ulem para kompjuterit, bëj punën e cila më kujton se gazetaria është një nga çastet monumentale më të paharrueshme të përditshmërisë dhe ekzistencës time.

Tanimë, më është bërë mënyrë e jetesës time dhe kësisoj unë jam bërë pjesë e pandashme e gazetarisë. Prej vitesh në emisionin ON AIR, që unë drejtoj, përgatis lajme, reportazhe të ndryshme, intervista të drejtpërdrejta (e më rrallë të regjistruara) me njerëz të dijes nga lëmi të ndryshme. Por viteve të fundit jam specifikuar dhe orientuar më shumë në çështje mjedisore me intervista, informacione e emisione të përditshme kushtuar mjedisit.

Tashmë i keni mbushur 20 vjet që kur zëri juaj është dëgjuar me ëndje nga mijëra dëgjues. Ndërkohë, jeni orientuar në një zhanër të ri për mjedisin tonë, ku përmes radios, televizionit dhe përmes njësisë së lajmeve për mjedisin BB Green Kosova po kontribuoni për mjedisin dhe hapësirën që na rrethon. Prej nga kjo dëshirë dhe mision i ri për ju?

Para luftës mbijetesa ishte e vetmja gjë parësore, ndërsa krahas jetës mjedisi ynë po kontaminohej në çdo pikë. Gjatë luftës jeta e njeriut ishte e vetmja rëndësi, ani pse ndotja nga përdorimi i armëve ishte po aq vrasës sa vetë plumbat që merrnin jetë, por as në këtë gjendje s’mund të mendohej mjedisi kur luftonim për jetë.

Pas luftës, në Kosovë e vetmja gjë ishte të përjetohej liria. Asgjë tjetër s’kishte rëndësi, asgjë. Mjedisi shikuar nga këndvështrimi aktual as që vinte në shprehje. As në këtë periudhë mjedisi, natyra nuk ishte parësore – por as në këtë periudhë ‘s’mund të fajësosh askënd’?!

Kur Kosova jonë u shpall e pavarur në vitin 2008, gati 9 vite pas luftës njerëzit besuan se shumë gjëra do të zgjidhen vetëm sepse formuam shtetësinë. As nuk ndodhi kështu, por as s’u vu në përparësi mjedisi.
Kaluan gati 9 vite pas luftës, për dikë ishin shumë dhe për dikë ishin pak, është çështje këndvështrimi. Pra, si ta krahasosh kur 9 veta nëse e ngrisin zërin për çështje mjedisore janë pak, por nëse 9 veta i hedhin 9 thasë me mbeturina në natyrë janë shumë. Pra varet kur për dikë diçka është shumë e kur për dikë është pak. Katër periudha ishin të ‘kuptueshme’ dhe faleshin nëse bëmë pak për mjedisin, por gati 23 vjet pas luftës dhe 14 vite pas shpalljes së pavarësisë kemi probleme themelore në çështjen mjedisore kjo është e pafalshme.

Gjenerata të tëra që luftuan në forma të ndryshme e sollën lirinë, tash ne gjeneratat e lirisë kemi për detyrë që fëmijëve tanë t’ju krijojmë një mjedis të pastër dhe të jetueshëm. Kisha shumë arsye për ta themeluar “Gazetarinë e Gjelbër” dhe ta bëjë si mision jetësor.

Për mjedisin si gazetare e gjelbër keni publikuar edhe reportazhe në mediat online, për radio dhe për televizion.

Si gazetare e gjelbër tashmë jam specializuar edhe në ”Raportimi i ndryshimeve klimatike” në Universitetin Ndërkombëtar Telematik Uninettuno, një institucion lider në fushën e mësimit elektronik zhvilluar nga COPEAM (Konferenca e Përhershme e Operatorëve Audiovizualë të Mesdheut). Krahas mësimeve kryesore mbi teorinë e ndryshimeve klimatike dhe teknikat e raportimit të saj, përfitova njohuri për çështje të ndërlidhura si tranzicioni i energjisë, siguria e ujit dhe krimet mjedisore. ky specializim më informoi edhe më shumë si profesioniste për sfidat aktuale të klimës dhe rritjen e aftësive raportuese në këtë fushë si dhe me një webinar specifik rreth rezultateve të Samitit të Glasgow COP26, me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

Natyrisht se gazetaria ofron mundësi të pakufishme për të realizuar projekte të ndryshme dhe interesante. A mund t’i veçonit disa prej tyre të cilat kanë lënë gjurmë sot e gjithë ditën?

Pas punës sime shumë vjeçare në RTK, ku vazhdoj të angazhohem me shumë përkushtim. Kam shumë plane dhe ide që medium ynë të lartësohet, veçanërisht për mjedisin dhe Gazetarinë e Gjelbër që fillova shumë vite më parë në radio duke u angazhuar në baza ditore në emisionin ON AIR, më pas edhe angazhimin për gazetarinë mjedisore në tv-RTK në emisionin RTK Story. Për mua është shumë me rëndësi themelimi i Gazetarisë së Gjelbër, bashkëthemelimi i BB Green Kosova (Bëhemi Bashkë për Kosovën e Gjelbër) ku filluam të raportojmë në baza vullnetare. Në themelimin e gazetarisë së gjelbër kur të gjithë hezitonin të na mbështesin ishte ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë z. Pavel Bilèk i cili pati mirëkuptim, na besoi dhe na përkrahu. Disa prej nesh BBGK- në e kemi si një hapësirë vetëm për raportime mjedisore dhe tash, obligohemi ta përparojmë edhe më shumë: të shkruajmë, të flasim, të raportojmë për mjedisin e vendit tonë.

Dihet së fundmi, po e realizoni fushatën e Ambasadës së Suedisë në Kosovë “Le të flasim për ajrin”. Sigurisht ky është një angazhim shtesë që ju flenë në zemër dhe e ushtroni me pasion. Çka do të thotë për ju fakti se keni fituar besimin para ambasadës së një shteti me një traditë të madhe në këtë fushë?

Ju kujtoj faktin se Suedia është një vend shumë i pastër nga mbetjet. Ndërsa ajri është cilësuar, nga matës evropianë, si një ndër më të pastrit në kontinent dhe në mbarë botën. Përfshirja ime, si gazetare e specializuar në raportimin për mjedisin në këtë projekt është përgjegjësi morale dhe profesionale, që qytetarëve që shfrytëzojnë mediat tona-kudo në botë, t’ua prezantojmë gjendjen ndotëse në Kosovë, përvojat shumë të mira suedeze dhe përpjekjen për prezantimin e zgjidhjeve të mundshme, që Kosova ta kalojë këtë fazë shumë delikate me ndotjen.

Fushata e Ambasadës Suedeze është në vitin e tretë, e themeluar nga ambasadorja znj. Karin Hernmarck. Ne kemi zhvilluar disa emisione dhe kemi trajtuar shumë aspekte të së njëjtës temë. Kemi qenë të pranishëm në medie, në televizione, në radio, por edhe në mediat digjitale përfshirë BB Green Kosova, Telegrafin, ku kemi trajtuar në seri për ndikimin që ka ajri i ndotur në zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve, ndikimin në aspektin psikologjik e fiziologjik tek më të vegjlit dhe tek të rriturit, gjithashtu.

Tashmë keni një përvojë mjedisore. Sa është i aftë dhe i përgatitur publiku në Kosovë për t’u miqësuar me ambientin që e rrethon?

Nuk është se ne jemi fare krejt të paditur në çështjet mjedisore dhe ato të ndryshimit të klimës, por parasë gjithash duhet kuptuar rolin e gazetarisë dhe duke qenë se ne jemi gazetarë në radhë të parë ne mundohemi të informojmë. Andaj, kur shoqëria në tërësi ta ketë informacionin e duhur, mekanizmat përgjegjës shtetëror detyrohen, nga normat ligjore dhe presioni qytetarë, të veprojnë.

Por mbi të gjitha, Kosova duke qenë një shtet i sapo formuar, ka patur dhe vazhdon të ketë para vetes sfida të panumërta secila më e rëndë se tjetra, në pjesën më të madhe të kohës së saj, qytetarët dhe populli i saj shëroheshin nga lufta, nga pavarësia dhe pastaj nga krizat ekonomike, si kjo e fundit.

Ju keni mbajtur edhe ligjërata qoftë para nxënësve, por edhe para një audience të formuar intelektualisht. Si janë pritur ato dhe cila ishte kureshtja e tyre për këto observime tuaja?

Punën tonë si gazetarë duhet ta shpërndajmë në mënyra të ndryshme, përveç medies ku punojmë. Të mbash ligjëratë para studentëve dhe nxënësve është një ndjenjë krejt ndryshe nga ajo e paraqitjeve në emisione apo para një audience të gjerë dhe shumë fish më sfiduese . Një ligjëratë interesante ka qenë me studentët e shkencave politike të UP me temën “Media dhe politika –Etika e medias”. Gjithashtu tepër ligjëratë e bukur, dhe përvojë shumë e mirë, ishte me studentët e Kolegjit LUISS Business School të Romës së Italisë në ligjëratën “Kosova in Three stages: Kosova, before, during, and after the war” me ftesë të zëdhënësit të KFOR-it Vincenzo Grasso. Kam mbajt ligjërata në shkolla të ndryshme dhe me nxënës të shkollave kam folur rreth përdorimit të medies online, ngacmimeve dhe mënyra se si nxënësit mund të mbrohen nga lajmet e rrejshme në internet, pra të mësojnë se si të identifikojnë vërtetësinë e informatës etj. Dhe së fundmi mbajta një ligjëratë me studentët e Fakultetit të Edukimit për Gazetarinë e Gjelbër, Ndryshimet Klimatike dhe si mund të ndikojnë pedagogët në të ardhmen në të mirë të edukimit te fëmijët. “Fëmijët në media dhe çasja e tyre në internet” si dhe “mediat online dhe mjedisi” kanë qenë edhe disa ligjërata të tjera nëpër shkolla fillore në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Njiheni edhe si gazetare edhe në fushën e publicistikës ku keni pasqyruar tema të ndryshme për shoqërinë. A mund t’i veçoni disa?

Më pëlqen shumë të shkruaj. Është diçka që më përmbush si gazetare kur shkruaj për tema të ndryshme. Shkrimet e para i kam publikuar në gazetën ‘Express’ në vitet 2006-2007 më pas kam publikuar shumë shkrime në ‘Telegrafi ‘dhe në ‘Rtklive’. Ndër shumë publikime mund ta veçoj shkrimin: “8 Marsi i grave me përkatësi”, “Gjuha identiteti i një kombi”, “Katër fëmijë lëpijnë një akullore”, “ Për Radion” si dhe shumë shkrime të tjera autoriale rreth çështjes së mjedisit, temat si: “Qeveritarët-hanë taksën ekologjike” , “Bujqësia urbane një koncept i ri jetese një mënyrë e re e të-ushqyerit- në tetë fejtone.

Për mjedisin si gazetare e gjelbër kam publikuar edhe reportazhe në mediat online, për radio dhe për televizion. Dhe së fundmi e kam publikuar edhe artikullin “Ndryshimet klimatike, hidrocentralet dhe shpyllëzimi në Kosovë” në tri gjuhë shqip, anglisht dhe serbisht të ‘Europe House’ dhe së shpejti do t’i publikojë në seri edhe disa artikuj të tjerë për ndryshimet klimatike.

Gazetaria e gjelbër është një ‘sipërmarrje’ shumë e rëndësishme, e cila kërkon shumë përkushtim, këmbëngulje, por njëkohësisht të përmbush në arritjet personale. Cilat janë planet tuaja për ta quar më tej këtë projekt tashmë të përqafuar nga të gjithë?

Themelimi i gazetarisë së gjelbër erdhi natyrshëm, fillimisht me një punë të gjatë në RTK-Radio dhe u bënë vite që pjesën dërrmuese ia dedikoj mjedisit, raportoj në baza ditore në emision si me tema, lajme të reja dhe intervista të ndryshme, gjithashtu edhe si themeluese e platformës BB Green Kosova, si dhe angazhimi në televizion po për mjedisin, pra s’kishte si të ndodhte ndryshe përveç të njihej zyrtarisht në Kosovë Gazetaria e Gjelbër, por jam e sigurt se edhe për rajonin jemi të parët, në mos edhe më gjerë.

Gjithmonë kam si qëllim që qytetarët e Kosovës të informohen për gjendjen reale mjedisore në vend, të ndërgjegjësohen për veprimet e tyre si dhe të informohen se çfarë detyrimesh kanë institucionet e vendit për çështjet mjedisore. Duke besuar se vetëm informimi i drejtë na sjellë deri tek ndryshimet e synuara për ambientin dhe zhvillimin e qëndrueshëm drejt të ardhmes së gjelbër.

Nuk e kemi një Kosovë të dytë, ku me të parën mund të eksperimentojmë , Kosova është ajo çfarë kemi të përbashkët, Kosova është ajo çfarë jemi ne, prandaj vetëm bashkërisht mund të arrijmë ta shpëtojmë Kosovën nga ndotja, degradimi i natyrës dhe nga dëmet që na sjellë mjedisi i ndotur te ne, te fëmijët tanë dhe gjithçka që na rrethon.

Të njohim si një gazetare e rebeluar dhe mjaft e guximshme për t’u rrekur me tema të ashtuquajtura ‘të nxehta’. Gjatë punës suaj keni trajtuar shumë segmente të jetës, keni intervistuar qindra personalitete shpesh kontroverse, pastaj keni patur emisione debatuese mjaft të guximshme duke u profilizuar në një gazetare, të themi kushtimisht ‘disidente’. A keni patur pasoja për zërin tuaj kritik dhe jouniform?

Përkundrazi unë jam shumë institucionaliste, dhe puna apo mënyra e veprimeve të mia ka treguar se i nënshtrohem rregullave të institucionit e jo shërbimeve grupore apo interesave private dhe grupore të kujtdo që keqpërdor institucionin dhe pozitën. Njerëzit e këtyre klaneve kanë krijuar situata kur jo që rebelohesh, por bëhet jeta profesionale dhe individuale e rrezikshme. Normat dhe standardet profesionale janë shumë të qarta dhe unë nuk kam pranuar t’i shkel këto norma për individ apo grupe të caktuara dhe s’kam për ta bërë asnjëherë. Jam përballur padrejtësisht me largim nga puna në vitin 2014, pastaj pas kthimit në punë jeta profesionale e njerëzore ka qenë ferr për vite të tëra duke më persekutuar, ndërprerje të emisionit, sabotime, shantazhe dhe me presione të formave nga më të ndryshme për një periudhë të gjatë nga njerëz që kanë shfrytëzuar pushtetin, pozitën dhe detyrën zyrtare.

Disa individ kanë marrë vendime arbitrare ndaj të gjithë neve, ndaj institucionit dhe këto dëme janë reflektuar në publik dhe në zinxhirë të tjerë shoqëror. Për dëmet e shkaktuara ata njerëz duhet të japin përgjegjësi dhe llogari. Ky kapitull mbetet i hapur deri në drejtësi.

https://telegrafi.com/beharja-pertej-endrrave-te-radios/
Lexo po ashtu https://telegrafi.com/beharja-pertej-endrrave-te-radios/

Jam ndëshkuar dhe gjykuar për pyetjet që i kam bërë për mos nënshtrimin tim profesional dhe personal. Presioni është bërë edhe për disa të ftuar apo pse isha kritike ndaj zyrtarëve që keqpërdornin pozitat dhe detyrat zyrtare brenda dhe jashtë mediumit. Kur për vite të tëra eprorja sajonte dosje dhe komisione disiplinore sa herë që dëshironte dhe askush nuk e ndalonte. Kur po kjo eprore mbante peng tërë redaksinë dhe e përdorte për çka të donte duke i shantazhuar kolegët për t’i vënë kundër meje. Kur vinte në studio sa isha live në emision duke më kërcënuar dhe më pas shkruante letra e emaile, çdo ditë kundër meje. Kjo ishte një çmenduri dhe një periudhe e rëndë për mua dhe kolegët e mi. Po të njëjtit njerëz mbanin mbledhje kundër meje para dhe pas emisionit live, dhe me atë gjendje të tmerrshme unë vazhdoja të punoja. Dhe sa herë shkoja në pushim vjetor më dërgonin në komision disiplinor me dosje të sajuara, pa asnjë procedurë ligjore as institucionale. Dosjen time të punës herë e mbushin me letra, shkresa e ankesa e herë e zbraznin, vepronin si t’iu konvenonte dhe sulmohesha 24 orë, për vite me radhë. I përdornin kolegët e mi për të sabotuar emisionin që unë të reagoja e më pas ata të kishin arsye për komisione disiplinore deri në përjashtim. Kjo ishte një luftë speciale kundër meje, kolegëve dhe mediumit tonë. Dua ta ndaj një prej ngjarjeve të shumta që vinin “nga lart” më thirrën në zyrë dhe më thanë: “Ka ardhë një letër nga BE-ja që gazetarët nuk duhet të kritikojnë qeverinë”! Kjo ishte skandaloze dhe e papranueshme për mua. Dhe isha e lemerisur si guxuan ta thonë një gjë kaq të tmerrshme derisa unë i kisha burimet e mia, nga institucionet ndërkombëtare, si dhe në çdo raport për mediat shkruhej publikisht, si në Raportin e Përparimit për Kosovën, apo institucione të tjera relevante për çështjen e mediave dhe të gazetarëve. Kjo thjeshtë ishte çmenduri dhe unë sigurisht që kam refuzuar diçka të tillë.
Janë shumë, shumë raste të rënda që kanë ndodhur prej atyre njerëzve, por një që skam për ta harruar kurrë është rasti me djalin tim Janin. Rreth 40 minuta para se të filloj emisionin live në korrik të 2014 më thirren nga çerdhja dhe më thanë Jani është sëmurë po vjellë ka disa herë dhe duhet të vish ta marrësh. Materialet i kisha gati, edhe ju luta njërës prej kolegeve të redaksisë të më zëvendësoj, ajo pranoj. Por rrugës duke shkuar për në çerdhe eprori më thirri në telefon dhe më tha që askush s’ka për të zëvendësuar, duhet të kthehesh ta mbash emisionin. Shkova e mora Janin erdha në radio, dhe u ulëm në kopsht për të pirë ujë, Jani vjelli disa herë të tjera dhe u dehidrua tej mase. Ashtu Jani i dehidruar, unë e stresuar hyra e mbajta emisionin live për rreth dy orë. Ia bëra bashkë karriget që të shtrihet dhe të flejë, dhe i thash që nuk duhet të flas as të bëjë zhurmë se nëse kjo ndodhë mami e humb punën. Isha në periudhën kur më kishin dërguar në komision disiplinor i cili zgjati 3 muaj dhe gjatë 3 muajve kanë bërë gjëra të tmerrshme. Jani ishte 5 vjeç, fjeti në karrige, ndërsa unë e mbaj emisionin, madje e kisha dhe me telefonata të drejtpërdrejta si dhe me dhjetëra dëgjues që inkuadroheshin. Pasi emisioni mbaroj, e zgjova Janin dhe e dërgova në vizitë te mjeku.

Për mua ky kapitull nuk është mbyllur akoma, jo pa dhënë llogari njerëzit që më kanë shkaktuar dëme mua, kolegëve dhe institucionit.

Ju shquheni për prirje të natyrshme ose për protagonizëm. Kjo hetohet edhe nga mënyra sesi i qaseni temave, bisedave. Sa herë je surprizuar apo e zhgënjyer nga miqësitë dhe si reagon ndaj keqkuptimeve të tilla?

Kur realizon qindra intervista çdo vit sigurisht që ke shumë raste dhe shumë ngjarje, e unë dua ta ndaj një tepër interesante. Kur e kisha të ftuar në intervistë Komandantin e KFORI-it Salvatore Cuoci. Ishte diçka e rrallë që ushtarët të rrinin brenda në studio dhe jashtë studios, dhe secilën herë që bëja pyetjet më të vështira sillej rreth e qark njëri prej ushtarakëve, bënte çdo lëvizje të mundshme që të mos pyesja më, më dilte herë përballë e herë sillej për rreth. Por unë nuk tundohesha fare nga lëvizjet ose presionet e tij. Intervista ishte live dhe po e realizoja nën një presioni të drejtpërdrejt dhe pasi mbaroj emisioni pati reaguar edhe vetë komandanti në një formë për pyetjet, dhe pasi dolëm nga studio ishte një heshtje e paparë. Megjithatë, ne kemi ruajtur raporte të mrekullueshme, sepse ata e kanë kuptuar që ajo është puna ime dhe miqësia jonë vazhdon të mbetet e lartë. Vazhdojmë ta kemi miqësinë dhe respektin e madh nga të gjithë ne për njëri-tjetrin. Ata janë ushtarak ne jemi gazetarë.

Keni një qëndrim gazmor por edhe luftarak që nuk e pranon lehtë humbjen, që gjykon mbi gjërat dhe që përpiqet të jap shumë… Kur përjeton diçka të pakëndshme, ndjen nevojë për t’u hapur me dikë?

Jam njeri i hapur, gazmor, por edhe shumë kërkuese dhe humbja është pjesë e punës, por jo pa i bërë të gjitha përpjekjet e mia. Kur e nisi një gjë jap krejt çfarë di dhe krejt çfarë varet prej meje, nuk kursehem. Ka momente që bisedoj me miq të mi të ngushtë dhe familjarë, por ka momente dhe tema që i ‘bluaj’ veç me kokën time. Dal vrapoj dhe e gjej zgjidhjen gjatë vrapimit. Shpesh bisedoj edhe me djalin tim, ia kërkoj mendimin apo vlerësimin e tij për tema dhe situata të ndryshme dhe me pjekurinë që ka, përkundër moshës, më del mirë kur e dëgjoj atë.

Jani, djaloshi shumë i talentuar e i shkathët, i cili ka pasion leximin dhe ndjek sportin e basketbollit, ka ndryshuar katërçipërisht stilin e jetesës dhe përditshmëritë tuaja. Si është raporti yt me dëshirat, pasionet dhe tekat e një 13-vjeçari shumë energjik?

Oh, Jani, edhe një muaj i mbush 13 vjeç dhe sa i përket fazës së moshës fare nuk kam telashe, fare. Gjithmonë ka qenë i arsyeshëm dhe mbetet një fëmijë që jetën ma bënë shumë të lehtë dhe shumë të këndshme. Nuk më vë në pozita të vështira me kërkesa, sjellje apo teka. Ne, të dy, jemi shumë shokë. Dikur që ia hidhja krahët sipër, tek ecja, tash se mbërrij më, ai ma vënë dorën rreth qafës edhe më shikon, pastaj qeshemi të dy shumë. Basketbolli po i ecën mirë dhe është i pasionuar pas lojës sa që dal shpesh luaj me të në fusha të Prishtinës, por edhe kudo që shkojmë topat e basketit i marrim me vete. E ndjek nëpër ndeshje që i mban në Ligën e U14 kështu unë si prind krijojë lidhje edhe më të fort me djalin tim. Unë, besoj që ne prindërit duhet t’i ndjekim aktivitetet e fëmijëve tanë që të mbajmë lidhje dhe t’i forcojmë ato. Orarin strikt e kemi prej orës 6 të mëngjesit e deri kur Jani shkon në mbrëmje në stërvitje, ndërsa unë dal për vrapim. Jeta me Janin është dinamike dhe plot humor e muzikë. Kur kam momente të vështira ai gjen detaje humori dhe ma kthen jetën në hare. Çfarë energjie pozitive më jep, më ka mbushur jetën plotë dashuri sikur jam në një kopsht me lule ku çdo ditë shoh një shumësi lulesh që çelin.

Çfarë të motivon më shumë në rolin e nënës? Cilat janë sfidat tuaja të cilat mendon se duhet t’i kalosh patjetër?

Të kesh fëmijë – djalë është botë interesante. Meshkujt e kanë natyrën e tyre që dallon shumë me natyrën e femrave. Me atë çfarë po bëhet Jani nuk besoj që do të kem sfida të pakapërcyeshme. Jani e ka një ndjeshmëri dhe mirëkuptim të jashtëzakonshëm, ndonjëherë them si me qenë ai prindi e unë fëmija, sepse e ka një pjekuri të madhe dhe nuk më krijon situata të pakëndshme. Është djalë i mençur din të gjendet në situata dhe e vlerëson shumë përkushtimin dhe angazhimin tim. Kur më sheh që jam lodhur më bënë kafe (veç se e harron lugën në filxhan hahahaha), ka një mirëkuptim të paparë qoftë për veshje, për shpenzime apo dalje me shoqëri. Thjesht ma bënë jetën të lehtë dhe kujdeset edhe ai për mua shumë. Unë jam një nënë liberale, ndërsa ai është një djalë mirëkuptues.

Tashmë vërehet se ju i keni dhënë vetes një liri të plotë për të vepruar dhe ndërtuar jetën tënde siç dëshiron. Si e menaxhon këtë liri?

Për t’i ndjekur qëllimet duhet të krijosh përparësitë. I renditë në një listë gjërat që duhet t’i bësh, me njerëzit që duhet të kalosh kohën. Veç i renditë përparësitë dhe mund të menaxhohen lehtë e t’i krijosh vetës edhe hapësira për argëtim…

Parimisht qenia njerëzore është e prirur për të dëgjuar atë që i konvenon dhe për të fituar kënaqësitë, qoftë edhe të çastit. Si i kërkon dhe si i gjen ti kënaqësitë e jetës?

Nuk i kërkoj dhe as nuk i gjej. Kënaqësitë i fitoj për rreth gjërave që bëjë. Unë i gëzohem arritjeve të përditshme. I gëzohem edhe gjërave më të vogla. Si detajiste që jam i gjej në gjëra të vogla, të cilat i shijoj dhe kënaqem. Unë e ndjej shumë pushtimin e lumturisë edhe kur jam në natyrë, kur jam në ecje, se di si, por ndjej diçka që unë e konsideroj gëzim, lumturi, aty e gjej një prehje që nuk e gjej askund tjetër.

Ndonëse interpretohet si diçka hyjnore, dashuria e cila na pushton të gjithëve, dhe jo vetëm një herë, thuhet se është ikje për te tjetri, ndërsa për dikë rikthim te vetvetja. Si qëndron marrëdhënia juaj me këtë “sëmundje të botës” (sipas Nolit)?

Unë besoj se dashuria i ka disa faza: E para, kur të pëlqen dikush dhe nuk sheh asgjë përtej saj. Faza e dytë, kur fillon të zbresësh nga fluturimi dhe nis vlerësimi apo faza e skanimit dhe faza e tretë, kur e bënë vlerësimin a jeni bashkë për qëllime apo ju ndajnë rrugët. Dashuri do të kesh gjithmonë, por a do të kesh partner kjo është pyetja. Por para se gjithash duhet të kemi dashuri dhe respekt për veten.

Të kthehemi edhe një herë te gazetaria. A pajtoheni se gazetaret siç do thoshte Krauss, shkruajnë sepse nuk kanë çka të thonë dhe kanë çka të thonë, prandaj shkruajnë.

Gazetari i mirë gjithmonë ka çfarë të shkruaj dhe çfarë të thotë. Si ajo thënia kur dëshiron të kryesh punë gjithmonë gjen zgjidhje, por kur nuk je i interesuar për diçka gjithmonë gjen arsyetime.

Çuditërisht tërë bota ankohet në gazetari, kurse secili do të dëshironte ta shfrytëzonte atëpër vete. Pajtoheni me këtë thënie të dijetarit Fteitag?

Gazetaria ka ndryshuar shumë me zhvillimin e internetit, në veçanti, me përhapjen e rrjeteve sociale. Tashmë kushdo e ka dritaren e vet, por rreziku është se realiteti po paraqitet i copëzuar dhe i shtrembëruar, po kujt po i intereson kjo?! Me rëndësi të jesh online, vlen kjo gjendje për shumicën. Gazetaria ka për të ndryshuar aq shumë sa që s’kemi për ta njohur më në mënyrën e sotme, për këtë jam bindur.

Po i shkoqisim edhe tri thënie të njohësve të gazetarisë së gjithkohshme. Ugo Ojetti, psh. thotë se gazetari është i vetmi shkrimtar i cili kur merr penën nuk shpreson në pavdekësi. Ndërkaq Arnold, shkon edhe më tutje duke thënë se gazetaria është krijimtari në duar të shpejta. Sigurisht keni për të thënë diçka.

Thëniet krijohen në rrethana të caktuara shoqërore dhe nga njerëzit që i përkasin asaj periudhe. Ndërsa, ne tash në kohën e furishme digjitale s’kemi më kohë as për thënie dhe as për thellime. Gazetaria bashkë me median e ka humbur primatin pak nga pakujdesia dhe pak nga zhvillimi i shpejt teknologjik. Tash mund të them që gazetaria është në duart e secilit dhe s’kemi për ta njohur edhe pak kohë si të tillë. Mirëpo, gazetaria në botën digjitale do ta ketë vlerën e veçantë për aq sa mbërrin të jetë saktë, e shpejt, e paanshme dhe korrekte me publikun…

Dhe, krejt në fund, po e mbyllim me thënien emblematike të Çurçillit, i cili deklaronte se gazetaria është profesion i mirë, por që duhet lëshuar me kohë. Si do ta komentonit thënien e këtij burrështetasi dhe oratori të njohur, i cili edhe vet ishte gazetar.

Profesionin e gazetarisë e lartësojnë vetëm ata gazetarë që janë të ndershëm, të përkushtuar dhe të zhdërvjelltë. Nëse bëhesh gazetar duhet të jesh në gjendje për të vlerësuar se a le gjurmë? Nëse kjo s’ka ndodhur edhe kur të ikësh s’ke për të lënë zbrazëti, ose e kundërta, nëse ke bërë punë të mirë, apo shumë te mirë, gjurmët tua kanë për t’ i gjetur të tjerët! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Lajme
“Ishte thjesht kaos - ka pasur të shtëna majtas e djathtas”: Katër policë të vrarë, katër të tjerë të plagosur në një ‘rrethim shtëpie’ në Karolinën e Veriut

“Ishte thjesht kaos - ka pasur të shtëna majtas e djathtas”: Katër policë të vrarë, katër të tjerë të plagosur në një ‘rrethim shtëpie’ në Karolinën e Veriut

Amerika
Ushtria ruse 'ka humbur' 1,250 ushtarë të tjerë në Ukrainë, në vetëm një ditë - humbje të mëdha edhe në armatim

Ushtria ruse 'ka humbur' 1,250 ushtarë të tjerë në Ukrainë, në vetëm një ditë - humbje të mëdha edhe në armatim

Botë

"Valla më mbyti 'mësyshi'", Vesa Vallasaliu shpjegon për 'aksidentin' që pësoi me veturën e saj luksoze

Magazina
Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Vuçiq humb kontrollin gjatë konferencës, analisten amerikane Ivana Stradner e quan të çmendur

Serbia
Kalo në kategori