LAJMI I FUNDIT:

BEHARJA, PËRTEJ ËNDRRAVE TË RADIOS

BEHARJA, PËRTEJ ËNDRRAVE TË RADIOS

Kurrë nuk i mungojnë idetë, i mungon vetëm koha. Gjithmonë ecën “me marshin e pestë” dhe mu atëherë është më kreative. Ajo është e pandalshme, përherë përpiqet të gjejë zgjidhje të reja jetësore. Dhe, ajo që është më me rëndësi, – gjithnjë është e gatshme të ballafaqohet me sfida.

Sa është e rëndësishme të jesh vetvetja (e pangarkuar me ato gjëra që do t’i thonë njerëzit), a e jeton Behare Bajraktari ëndrrën e saj; sa është parimore; si lufton me gëzimet, problemet e sfidat jetësore…dhe shumë gjëra të tjera, i zbulojmë në vazhdim të kësaj bisede interesante.


Jeni ndër moderatoret e njohura të radios. Si ka filluar karriera juaj dhe si ndodhi që të vendosni të merreni me këtë profesion?

Gjatë rrugëtimit tim, kam njohur arsyen dhe jo rastësinë, besoj që gjërat që ndodhin e kanë një arsye…Profesionin e kam zgjedhur kur isha duke njohur aftësitë e mia, jo vetëm komunikuese. Shkurt, njeriu që vulosi rrugën time, është motra, Leonora në vitin 2000. Ajo, kishte filluar të punonte në Radio Besa, në Prizren, radio më e dëgjuar asokohe, teksa më tha:” Ti duhet të fillosh punën në radio”. Ashtu u vendos, fillova dhe ja tek jam në vitin 2015, me atë energjinë si në ditën e parë, me plotë dashuri dhe zotëruese e punës sime.

Duke pasur parasysh që zëri ju është arma më e fuqishme në karrierën tuaj, a e kultivoni zërin në ndonjë mënyrë të veçantë?

Po, por kjo armë e fuqishme duhet vazhdimisht të trajnohet…Në kushte normale, do të duhej të të pyeste dikush, në cilin profil gazetarie je më e zonja, çka do të punoje më me vullnet, përveç tjerash në cilat fjalë, terme dhe shkronja ke vështirësi? Në Kosovë profesionist do të bëhesh vetë, përndryshe askush s’të pyet, dhe s’besoj që do të pyes dikush dikë edhe për një kohë të gjatë, jo vetëm për këtë por edhe për gjëra të tjera të rëndësishme profesionale.
Ka patur fjalë, që i kam eliminuar duke ushtruar në shtëpi, shumë shpesh. Kam ushtruar në shtëpi, zanoreve që t’ju japë shqiptimin e duhur, kam punuar sikur aktorët me zërin, gojën, diafragmën, artikulimin, rrokjet, blloqet, dhe ende brenda javës ushtrojë disa herë… (djali im Jani, vjen shpesh në dhomë ku bëjë ushtrime, ose në banjo, më pyet:”mami me kë ishe duke folur”? hahahhaha, tash po mësohet çdo ditë me ushtrimet e mia (janë disa fshehtësi që i ruaj veç për vete; më falni që s’mund t’i ndajë me të tjerët…).
Për vite të tëra, kam shkruar hyrjet e emisioneve, tashmë i kam në arkivin tim profesional, kam përgatitur, çdo fjali nga informacioni, kënga, dhe e kam matur kohën, kur duhet të flas, kur duhet ta mbarojë fjalinë, sa duhet të jete gjatësia, dhe cila fjalia ndërlidhëse
duhet të përshtatet me informacionet dhe muzikën etj. Zëri, është armë e fuqishme për në radio, por mbetesh nën hije nëse s’ke saktësi, shpejtësi dhe korrektësi, të paktën pa këto elemente themelore, askush s’duhet të punësohet në këtë medium artistik…

Të qenit moderator, është një vlerë. A ka diçka të lindur në këtë profesion, apo është punë dhe pasion?

Mund të kesh pasion muzikën apo në një rast tjetër filmin, por ti kurrë s’do të bëhesh filmagji!? Përtej pasionit, përtej atij 10 përqindëshit të talentit, e vetmja rrugë afatgjate është puna. Detyrat dhe obligimet e mia të punës, kurrë si kam refuzuar, edhe nëse kam punuar përtej orarit, si rrjedhojë puna dhe përvoja të shpërblehen. Puna, është vlerë, pastaj vjen formësimi në moderim.

Emisionit i jepni sharm, pak humor dhe shumë dorë, si sajuese dhe moderatore. Keni më shumë kënaqësi, apo nganjëherë edhe bezdi?

Kur jam më dëgjuesit, hy në një botë magjike, dhe se shohë askënd përreth meje; secilin dëgjues e trajtoj në mënyrë individuale, ata janë të dashurit e mi. Si të ndizet butoni i kuq në pultin e transmetimit, unë aty jam Beharja, e dashura e tjerëve…

Të qenit parimor! A ia vlen të mbahet parimi, në një vend ku nuk çmohet shumë parimi?

Aaaahh Parimet! Ç’njerëz të çuditshëm do të ishim pa parime, dhe pa vlera. “Secili njeri brenda një dite për të paktën pesë minuta, është një budalla, por zgjuarsi do të ishte të mos kalohen këto pesë minuta”. Rreth e rrotull, po përjetohet një ‘kolaps’ shoqëror në parime dhe vlera, meqë njerëzit e identifikojnë dhe i japin fizionomi vendit/shtetit, unë s’jam njeri i çuditshëm. Pa parime, më mirë të mos ekzistosh fare!

A të duken pengesa ndonjëherë “kërkesat” e dëgjuesve dhe “rregullat e profesionit” në profilizimin e personalitetit tuaj në kuptimin që mund të jesh mu ajo që je me bashkëbiseduesit?

Ekziston një periudhë kur ndërtohet personaliteti, përveç tjerash kur maturohesh profesionalisht, dhe ti duhet të jesh njeriu që do të lësh gjurmë tek të tjerët, për të krijuar një opinion, për të dhënë një mendim, qoftë edhe në formën e sugjerimit. Psikanalisti i njohur David Mayer, ka arritur mirë t’i identifikojë karakteret dhe personalitetet njerëzore. Shfrytëzo aftësitë mendore dhe profesionale për të skanuar në pakëz kohë të tjerët me rrezet X… Aty, je e dashura e secilit, dhe po secili kërkon nga pak ‘hise’, dhe ti duhet tu krijosh atë ndjenjë.

Gafa më e madhe apo ndonjë situatë e pakëndshme që ju ka ndodhur në emisione të drejtpërdrejta dhe cilët shikues i mbani në mend më mirë?

Transmetimet e drejtpërdrejta pa ndonjë gafë, janë të harrueshme…mbase! Nuk e di për dëgjuesit, por unë e kujtoj gjithmonë! Në vitin 2012, fillova formatin e intervistës “Intershqip” me 20 pyetje, një ndër të ftuarit në intervistë ishte regjisori Isa Qosja. Çdo gjë ishte në rregull, por në pultin e transmetimit qëndronte operatori Arian Mustafa, në studio Isa Qosja, në atë kohë lajmet nuk ndaleshin për kryetarin e Prishtinës Isa Mustafa dhe, …ndodhi tek unë inercioni, thash në studio kemi regjisorin Isa Mustafa.
Gafa të tjera, s’mbaj mend që kam bërë për tërë këto vite, përveç ndonjë lapsusi linguistik…

Na thoni diç më tepër për punën të cilën aktualisht jeni duke e bërë. Me çfarë problemesh dhe sfidash ballafaqoheni?

Unë hyjë tek kategoria e njerëzve që zgjidhin probleme, kërkojnë ballafaqime, duan sfida në çdo gjë, nuk dorëzohem, nuk heq dorë nga e drejta, nga ëndrrat e mia. Ndodhë tek disa njerëz që kanë vetëm nga një ëndërr, por Ti mos u bëjë shkatërruesi i ëndrrës së tjetrit. Ndërsa, në rastin tim, nëse nuk jam e para në kategorinë që e cakton dikush tjetër, atëherë unë krijoj kategorinë time të re, i jap formë ëndrrës time në një tjetër koncept…

Sa dhe si përgatiteni për emisionet, autore i të cilave jeni ju, dhe si po ia arrini të krijoni dëgjueshmëri të madhe?

Jam shumë e përgjegjshme, për dëgjueshmërinë e madhe që e ka RTK-Radio Kosova 1. Kam gjetur ‘eliksirin’ për trajtimin meritor, të atyre njerëzve që presin dashuri nga ti, presin lajme, presin argëtim. Unë e vendosi veten në secilin që më dëgjon. Po, jam e sigurt 100% në secilin që më dëgjon, çka dua unë, çka don një tjetër që në këto momente, kërkon ta dëgjojë në eter.
Unë ia jap, atë që e kërkon. Hulumtoj në botën e njeriut, hulumtojë tepër shumë, dhe ne bashkërisht ‘arratisemi’ me shfaqjen e radios për çdo ditë, aty ku vetëm imagjinata e njeriut depërton. Punën time në radio e përjetoj në maksimum, sikur kur e shijon një ushqim të shijshëm, dhe s’të mjafton ajo copë…Përgatitem tepër shumë, për çdo detaj, për çdo gjë, edhe kur më dalin barriera të ndryshme në realizime.

Duke pasur parasysh që u keni marrë intervista të shumta personave të njohur, cili nga ta ju ka befasuar për të mirë? Pas kujt qëndron ai faktori i famshëm X?

Janë shumë, shumë personalitete dhe personazhe të pranishëm në intervistat e realizuara. Unë nuk pres befasi nga mysafirët, secili në mënyrën e vet posedon nga një faktor, dhe secili prezanton emrin dhe punën personale. Por, si ekzemplar, nëse duhet patjetër të specifikojë, ishte intervista me gazetarin dhe prezantuesin e njohur Adi Krasta. Thjeshtë, skena shqiptare pa të, është e zbehtë. Linda Shala, si një grua plot elan dhe suksese, është me një faktor X që duhet ndjekur si shembull. Edhe Adelina Badivuku, një grua e suksesshme, emigrante në Angli, një psikoterapiste familjare fenomenale, është plotë harmoni. S’mund të mos e përmend Aida Bytyçin, shkencëtaren e ‘gjeneve njerëzore’ në ShBA. Arkitekti në Angi, Përparim Rama, kur fitoi çmimi e parë për dizajn në kategorinë e bareve nga World Architecture News, nga aeroporti, direkt erdhi në studio. Themeluesi i rrjetit “Solaborate”, Labinot Bytyçi, i cili jeton në ShBA. Evliana Berani, një gazetare e shkëlqyeshme, e cila ka arritur në majat e profesionit. Behar Zogiani, jo vetëm një gazetar dhe diplomat, por një njeri mahnitës. Fahredin Shehu, një kapitull botëror i dijes dhe letërsisë. Kam intervistuar me qindra personazhe, kërkoj falje që s’kam mundësi të flasë për secilin njeri të mrekullueshëm të vendit tim. Shqiptarët janë gjenial, si individë.

Do të mjaftoheni vetëm me emisionin tuaj, nuk keni plane të tjera?

Kam plane konkrete. Jam e zonja në atë çfarë unë jam duke kërkuar, po pres që të vjen momenti, që projekti im të marrë jetë, dhe të nisë një dimension të ri medial në Kosovë, që moti ka munguar. A mund të them një epokë e re mediale…?!

A është e vështirë apo, më mirë të themi, sa është e vështirë në gazetarinë tonë të jesh femër e mençur dhe e suksesshme?

Femrat e kanë krijuar këtë mendësi dhe këtë rend shoqëror dhe, femra, është ajo që duhet ta ndryshojë situatën. Femra, ia dha edukatën, drejtimin dhe fuqinë mashkullit, është po femra që duhet t’ia japë meritat vetës. Nuk është një i tretë në mes, fundja, gazetaria s’njeh gjini as moshë. Gazetaria kërkon dije, përkushtim, analizë dhe korrektësi, edhe kur ndëshkohesh për aftësitë dhe sukseset tua.

Për suksesin thonë – njerëzit kurrë nuk do të të falin. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë dhe a keni përjetuar ndonjëherë ndonjë formë jotolerance apo së paku ndonjë paragjykim të vrazhdë ndaj asaj që jeni dhe ndaj asaj që punoni?

Njerëzit kanë probleme të ndryshme dhe të shumta madje. Për t’i shmangur problemet që i rëndojnë mbi supe, shpikin gjëra për të tjerët. Njerëzit kanë vuajtur dhe do të vuajnë për gjërat që si kanë arritur në jetë, dhe që s’do t’i kenë kurrë; dështimin e gjejnë tek të tjerët. “Ti vendos kush je, dhe në çka beson; por, gjithmonë do ta kesh një shans të dytë”. Suksesi nuk është destinacion, suksesi është rrugëtim. Nëse ndalesh, është sikur edhe ajo ora e prishur që edhe ashtu tregon orën e saktë dy herë në ditë, ama ajo orë nuk pulson mbi damarët e gjakut; ajo thjesht është orë skeletore. Të gjitha fytyrave meskine, ua kam paraqitur punën time, si dëshmi dhe triumf.

Në debate verbale dilni ju fituese apo shefi juaj?

Njeriu i cili s’ka përjetuar gjëra të mira dhe të mëdha në jetë, të vetmin titull që e gëzon me krenari, është që dikush ta quaj shef. Oktapodi përveç tentakulave njihet që i ka tri zemra, ndërsa ‘shefat’ në Kosovë i kanë nga tri pozita!

A dyshoni ndonjëherë në vendimet dhe zgjedhjet tuaja?…

Shkurt po i bie, sa herë që unë vendosi dhe zgjedh, me analizat dhe intuitën time – nuk gaboj.

Në ç’mënyrë ia zbukuroni vetes ditën dhe si e përmirësoni humorin tuaj?

Janë shumë, shumë mënyra, por unë po ua them disa:
Zgjohem herët, ia qeras vetes një kafe, shfletoj ose lexoj ndonjë gjë. Zgjohet djali im Jani nga gjumi, dhe është fjalia më e ëmbël tash e sa vite, kur më thërret: “mami, hajde këtu, përqafomë, shtrydhëm, ndrydhëm, puthëm dhe krijo vend te shpirti yt”. Oooo Perëndia ime, nuk ka zbukurim më të madh!
Shkoj në punë me plot energji dhe argëtim, pastaj një prej pjesëve më të bukura, është rituali i drekës/darkës, gatuaj me shumë dashuri plot gjëra, dhe jam shumë e lumtur, kur ne ulemi në tryezë dhe siç e kemi quajtur me Janin, Mirësevini në restorantin tonë “Shijoje”, bisedojmë si na ka shkuar dita dhe shijojmë gjithçka sipas mënyrës sonë etj…

Cili është qëndrimi juaj ndaj femrave të sotme moderne? Përse gjithë ajo kërkesë për dukjen e jashtme në dëm të asaj të brendshme? Cilat janë ato gjëra që ia kushtoni vetes?
Femra! Kjo botë madhështore dhe mizore, gjithashtu. Femrat, janë përgjegjëse për izolimin e vetës, duke u trashëguar ndër breza, ky izolim dhe sakrifikim i panevojshëm. Ja edhe në këtë epokë ndryshimesh dhe prurjesh, femra është vuajtëse e rendit shoqëror që e krijoi ajo vet. Duke mos patur raste për t’u treguar, atëherë zgjedhin sipërfaqësoren. Por, të kujdesesh për veten, nuk i bën dëm askujt.
Investoj në çdo detaj, por investimi më i madh i imi është në aspektin intelektual dhe shpirtëror. Këto dy aspekte janë të përjetshme, edhe kur do të kaplohemi nga rrudhat e moshës.

Kohë më parë në Facebook” lexova këtë ide: ‘Sa më pak njerëz që dinë për lumturinë tuaj, më gjatë do të përjetosh atë’. Çka mendoni ju përse është kështu? Përse njerëzit sot i gëzohen aq shumë fatkeqësisë së tjetrit? Dhe, nga ana tjetër, kanë nevojë të madhe t’ua plasojnë të tjerëve lumturinë e tyre? Përse e gjithë kjo shpirtngushtësi dhe kotësi?

Privatësia, llogaritet si ADN-ja e suksesit të njeriut dhe lumturia, është pjesë e privatësisë. Shumë njerëz duke qenë të palumtur, zgjedhin fb, si metodën më të drejtpërdrejtë për të rrëfyer, se kinse janë shumë mirë dhe të lumtur.
Lumturia është intime, s’mund ta gjesh në internet! Formulën e lumturisë po ta gjente dikush, do ta shiste nëpër dyqane apo farmaci. Është sa e karakterit të njeriut, po aq edhe për pasojë e zgjedhjeve që bënë në jetë.
Një përqindje e femrave dhe meshkujve tanë, kanë probleme seksuale, bashkëshortore, të cilat i mbajnë të mbyllura brenda, janë faktorë që u shkaktojnë palumturinë, ndër të tjera gjëra rrethanore.

A pajtoheni me thënien – më mirë të thuhet mendimi… “Jeta shpesh na ofron dhuratat më të mëdha të mbushura me makthin tonë më të keq…” A besoni që pas çdo të keqeje vjen një e mirë dhe a keni pasur rastin të përjetoni makthin e tillë në lëkurën tuaj?

Po e marrë një shembull, për ta dhënë përgjigjen: shumë prindër janë duke i rritur në veçanti vajzat nën titullin Princeshë. Ata i quajnë princesha dhe mbretëresha, madje. Këto vajza, rriten me mendimin se janë princesha, dhe assesi të kuptojnë se s’janë të tilla, dhe se nuk vjen një princ me një ‘aeroplan’, por janë vajza të cilat rriten nën sistemin e kësaj shoqërie që duhet të ballafaqohen dhe të sfidohen. Lirisht mund të them, se këtu prindërit po gabojnë! Fëmijët, mund t’i quajnë të mrekullueshëm, mund t’u thonë se ata janë gjithçka në këtë jetë, por t’i thuash fëmijëve ti je princ dhe princeshë, ua mundëson që në një të ardhme të afërt, këta fëmijë, jo vetëm të zhgënjehen, por të pësojnë depresione e çrregullime, duke mos u pajtuar me jetën që kanë, por me atë që e shohin në filma. Jetën e kthejnë në ankth, bashkë me prindërit.

Keni debatuar për shumë gjëra nën radio. Mbi prostitucionin, problemet e të rinjve, për sukseset, eliminimin e barrierave vetjake, për frikën, emigracionin, dashurinë… Në ç’mënyrë i keni përjetuar ju në shoqërinë në të cilën jetoni?

S’ka dilema se jemi të ndryshëm, dhe ky diversitet ngritë debatin që të sensibilizohemi për format e reja të ndryshimeve dhe me rrethanat e reja.
Në familjet e Kosovës, ndodhin shumë pedofili, askush nuk del t’i denoncojë. Ata fëmijë rriten në presionin e dhimbjes, frikës dhe dëshpërimit. Ne s’jemi në gjendje t’i ndihmojë. Shumë vajza të reja, ngacmohen çdo ditë në rrugët tona, madje për shkak të varfërisë, ato detyrohen të përdoren seksualisht nga burra në moshë. Shumë meshkuj të Kosovës, po i shpërdorojnë vajzat e mitura, me pak para, ndërsa shteti nuk i ndalë, shoqëria nuk flet publikisht. Këta meshkuj me probleme seksuale, le të shkojnë në shtëpi publike, ose qeveria jonë duhet ta legjitimojë prostitucionin. Është punë e ndershme dhe nën kontrollin e shtetit, si financiarisht, ashtu edhe në aspektin shëndetësor, sepse është shtuar numri i të infektuarve me sëmundje seksualisht të transmetueshme. Madje, do të ndalej edhe trafikimi i qenieve njerëzore.
Nënat duhet të edukojnë më mirë djemtë e tyre, ato janë mjaft përgjegjëse, për t’u treguar, se një femër nuk është një objekt seksual.
Janë këto shqetësime të mëdha, dhe shumë shpesh jam duke i trajtuar në ON AIR. Familja është gjë e shenjtë, nga aty fillon rrugëtimi, kam një përshtypje se prindërit nuk po flasin mjaftueshëm me fëmijët e tyre.

Më tregoni se me kë ju krenoheni? Cila është Beharja, e cila kur gjendeni në situata të vështira ju bën që t’ju qeshë fytyra, por jo vetëm juve por edhe të tjerëve?

Familja ime është krenari përtej çdo gjëje personale. Zihemi për shumë gjëra, por s’mund të bëjmë pa njëri-tjetrin. Kjo është familja me shumë pluralizëm. Ajo është thirrja ime e përjetshme. Vetëm familja ime mund të më krijojë situata të vështira, dhe vetëm ajo mund të më bëjë të shkëlqej.
Ata, janë në shpirtin tim, edhe kur i refuzoj. Familja ime është krenaria dhe gjaku im, që se ndërroj me asnjë pasuri të çfarë do lloji.
Nuk flas me të huaj për problemet e mia, siç më thotë motra ime Arta: “hë a hyre dhe e mbylle guaskën a”?
Kur t’i kalojë stuhitë, vazhdoj si të mos ketë ndodhur asgjë. Nuk janë të obliguar të tjerët të ngarkohen me shqetësimet e mia, problemit tim i japë drejtim pa u alarmuar.

Ju, për çdo ditë luftoni me gëzimet, problemet dhe sfidat jetësore. A mund të më thoni si duket një “ditë juaja e zakonshme”? Cilat janë ato gjëra të cilat posaçërisht ju bëjnë të lumtur gjatë ditës dhe cilat gjëra i bëni më me kënaqësi?

Për të qenë e kënaqur qindpërqind, kurrë s’do të rrija në shtëpi, e aq më shumë të merrem me punë të tilla. Por pa të s’mund të bësh?!
Nuk ia jap vetes më shumë obligime se sa mund t’i çojë ‘shpina’ ime.
Gjatë ditës rri vetëm me njerëzit që unë i dua si miq dhe bashkëpunëtorë. Pas orarit të punës nuk shoqërohem me kolegë të punës.
Jam super aktive me Janin, që tashmë ka filluar klasën e parë. Përveç që lexojë gjëra të interesit tim, lexoj për çdo natë përralla për fëmijë.
Përgatisë ushqimet më të freskëta dhe të shijshme, çdo ditë. Analizojë, çdo ditë si më ka shkuar koha, dhe a kam bërë gjënë e duhur.
Flejë herët, gjumi është për mua një ditë tjetër e re plot lumturi, energji dhe disponim.
Që nga ora 6-7 të mëngjesit deri në 20 të mbrëmjes, e kam fiks orarin, plus kur të më dalin angazhime e detyrime shtesë.

Po e vërej që kujdesin më të madh në jetë ia kushtoni anës shpirtërore dhe ju është shumë me rëndësi puna shpirtërore vetjake. Sipas mendimit tuaj, cili është handikapi më i madh i botës moderne?

Pikërisht në kohën moderne, ke mundësi të mos jesh kurrë vetëm. Por shumë njerëz i ka kapluar dëshpërimi dhe fobia se janë të vetmuar, edhe pa qenë të tillë. Siç thotë një proverb indian;” çka thërret mendja, i vjen trupit”.

Të gjitha femrat ndodh që nganjëherë të kenë ditën e tyre të keqe. Ç’është ajo që juve ju bën të jeni e suksesshme për ato ditë kur më me dëshirë do të rrinit në shtrat për fjetur më shumë gjumë?

Të rri në shtrat gjatë ditës! Kam harruar si është kjo ndjesi. Gjumin e mbaroj natën, ditën e kam për gjëra të tjera, plane dhe punë të pafundme.

Njerëzit e kalojnë tërë jetën duke medituar për përkufizimin e dashurisë dhe konceptin e saj. Cili është mendimi juaj?

Njerëzit, janë të prirur të gjykojnë dhuratën nga paketimi, pa e shikuar çfarë ka brenda. Nga ana tjetër, ekziston dilema se koha ikën për të zbërthyer të tjerët dhe dashurinë. Ti, nuk mund të presësh në stacion, kur do të vijë ‘dashuria’, por ta kërkosh atë, do ta zbulosh dhe të jesh dallëndyshe që shtegton. Jeta është mahnitëse, për të ndërtuar mure dhe të presësh kush do t’i ‘thyej’ ato. Për të krijuar një marrëdhënie duhet të japësh fillimisht, për të marrë si kthim.
Një shembull: kush fle në gjumë, merr ëndrra, kush dashuron merr…

Sipas jush, cili është sekreti i lidhjes së suksesshme? A ekziston vërtet? Përse po ndodhin kaq shumë divorce?
Vetëm binjakët, monozigotë janë të lidhur përjetësisht me njëri-tjetrin. Nuk është tragjedi t’i thuash lamtumirë fizike, nëse ruan dashurinë përgjithmonë.

Ç’mendim keni për meshkujt të cilët paraqiten më tepër donzhuanë seç vërtet janë?

Më trego ku janë, ku jetojnë ata meshkuj donzhuanë…?!

Përse tradhtojnë meshkujt, e përse femrat?

S’ka një definicion të njëjtë për të gjithë në këtë rast. Një shembull:” gjatë studimeve duhet të mësosh që të hysh në provime, ndërsa në jetë duhet të japësh provime për të mësuar”.

A janë sot gjini e fortë meshkujt apo femrat? A ekziston vërtet gjinia e fortë?

Në mes të dobëtit dhe të fortit ekziston një mospërputhje, cila palë e mëson më herët këtë hapësirë në mes, është një hap më përpara, dhe mund të nxjerrë ‘ligje’ të reja. Por, të fortë duhet të ishim së bashku, anipse lufta e përhershme mbetet mes nesh se, cili do të dominojë? Megjithatë, meshkujt gjunjëzohen para femrave kur ndajnë diskrepancën intime (hahahha).

Dhe ta përfundojmë. Sikur të kishit rastin që dikujt t’ia ndryshonit jetën vetëm me një fjali, me cilën fjali apo ide do t’i drejtoheshit?

Mendova për një sekondë shumë, shumë raste, gjithashtu shumë, shumë fjali. Ti, po vuan sepse s’ke arritur atë që ke dashur, dhe po të pëlqen ajo çfarë ka dikush tjetër, por ti se din çfarë ka vuajtur, apo përjetuar tjetri për të ardhur në këtë stad të jetës. Prandaj, fillo të bësh gjëra të bukura për vete dhe familjen që të jesh i dobishëm dhe për shoqërinë, dhe mos kërko të jesh si dikush tjetër. Njeriu i rritur ndan prioritetet, nuk neglizhon veten për të arsyetuar mosveprimin, etj. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Grushte të fuqishme dhe hedhje në tokë, turko-gjermani Cinkara e fiton luftën ndaj boksierit kosovar Armend Xhoxhaj

Grushte të fuqishme dhe hedhje në tokë, turko-gjermani Cinkara e fiton luftën ndaj boksierit kosovar Armend Xhoxhaj

Boks
Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Magazina
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?

Botë
Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Premier League
Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Premier League
Kalo në kategori