LAJMI I FUNDIT:

Macron për rastin e Aleksei Navalnyt: Nuk do ta tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Evropë

Macron për rastin e Aleksei Navalnyt: Nuk do ta tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Evropë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkoi shpjegim të menjëhershëm nga Rusia rreth helmimit të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ai paralajmëroi se Parisi nuk do të lejojë që të kalohen vijat e kuqe për përdorimin e armëve kimike.


“Ne nuk do të tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Evropë, në Rusi ose edhe në Siri”, tha Emmanuel Macron gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Kjo çështje duhet të sqarohet shpejt, përndryshe ne do t’i zbatojmë linjat tona të kuqe”, u shpreh ai, ndërsa Kremlini ka mohuar të jetë përfshirë në këtë rast.

Presidenti francez nuk dha deklarata se çfarë do të ndërmerrte ai në qoftë se Rusia nuk do të jepte sqarime.

Aleksei Navalny

Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, njëherësh një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurë më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan, derisa ka qenë duke udhëtuar nga Siberia në Moskë.

Aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, në mënyrë që ai të dërgohet në spital.

Pas spitalit siberian, ai më vonë është transferuar në një spital në Berlin, ndërkohë Qeveria gjermane pati thënë se testet e kryera nga mostrat e marra prej liderit opozitar, Aleksei Navalny, kanë treguar prezencë të agjentit nervor, Novichok. /Telegrafi/