LAJMI I FUNDIT:

LUFTË SHKATËRRUESVE

LUFTË SHKATËRRUESVE

Nga: Victor Hugo
Përktheu: Kliti Kallamata

…Duhet thënë, dhe thënë me zë të lartë, se ky shkatërrim i Francës së vjetër, të cilin ne e kemi denoncuar shumë herë gjatë Restaurimit, vazhdon me më shumë shpejtësi dhe barbarizëm se kurrë ndonjëherë. Qysh prej Revolucionit të Korrikut, me demokracinë, po mbivendoset edhe një injorancë dhe brutalitet. Në shumë vende pushteti lokal, ndikimi bashkiak, besueshmëria komunale u është dhënë zotërinjve që nuk dinë të shkruajnë e deri tek fshatarëve që nuk dinë të lexojnë. Ata kanë rënë në një nivel më poshtë! Ndërkohë që ne presim që këta trima të mësojnë se si të shqiptojnë fjalët, ata qeverisin. Budallallëku administrativ, produkti natyral dhe normal i kësaj makinerie monstruoze të quajtur centralizim, vazhdon të rritet si në të kaluarën nga kryetari i bashkisë tek nën-prefekti, nga nën-prefekti tek prefekti, nga prefekti tek ministri, vetëm për tu përkeqësuar edhe më shumë.


…Në fakt ne vetëm parashtrojmë, se në këtë orë në Francë nuk ka asnjë qytet të vetëm, asnjë kryeqendër rajoni, asnjë bashki të vetme ku ata nuk parashikojnë, ku ata nuk fillojnë, apo nuk përfundojnë shkatërrimin e një monumenti të historisë kombëtare, qoftë ky me vendim të autoritetit qendror, apo me vendim të autoritetit lokal të miratuar nga autoriteti qendror, apo qoftë edhe veprim individësh që kryhet para syve dhe me tolerancën e autoriteteve lokale.

… Dhe shpejt, kur shkatërrimi i gjithë ketyre shkatërrimeve të marrë fund, e gjitha çka do të mbetet për ne do të jetë një ulërimë, sikurse ai trojani që në fund mori me vehte vetëm perënditë e tij:

Fuit Illium et ingens Gloria!
(Dhe ata kishin një Lavdi të madhe!)

…Kur arrita në du Bourg, Laon (Aisne), sapo sytë e mi u ngritën vetvetiu për të parë kullën e vjetër Louis d’Outremer, mbeta i befasuar kur pashë se i ishin ngjitur shkallë, skela, leva, dhe të gjitha instrumentet e mundëshme të shkatërrimit. Betohem se kjo pamje me shkaktoi dhimbje… M. Th…, një burrë i thjeshtë dhe i kënduar, me shumë shije për letërsinë dhe një mik i mirë i të gjithë atyre që merren me shkenca dhe arte… Më tha se kish mbetur i vetmi nga anëtarët e këshillit të vjetër bashkiak dhe kish mbetur i vetëm në betejën kundër aksionit, që po kryhej në këto momente para syve tanë; se përpjekjet e tij kishin qënë të kota. Të gjitha arsyetimet, fjalët, kishin dështuar. Këshilltarët e rinj, të bashkuar në mazhorancë kundra tij, e kishin shtyrë atë mënjanë. Nga që e kish marrë pakëz me forcë anën e kësaj kulle të pafajëshme, M. Th… ishte akuzuar madje edhe si Karlist. Këta zotërinj i kishin mbushur mendjen vehtes së tyre se kjo kullë nuk bënte gjë tjetër veçse kujtonte kohërat feudale, dhe ky shkatërrim u votua njëzëri. Si të mos mjaftonte kjo, qyteti i kishte ofruar tenderuesit, që ishte ngarkuar me ekzekutimin, edhe një sasi prej shumë mijëra frangash, përveç vlerës së materialeve. Ky është çmimi për vrasjen, pasi është vërtet një vrasje!

…Për të zgjeruar tregun aty pranë, në se ky ishte synimi të cilin ata kerkonin të arrinin, mund të sakrifikohej vetëm një banesë kostoja e të cilës nuk e kalonte shumën që i ofrohej tenderuesit Ata preferuan të asgjësojnë kullën. Jam i trishtuar të them se ky është një turp për Laonitët: qyteti tyre zotëronte një monument të rrallë, një monument i dinastisë së dytë nbretërore; asnjë i tillë nuk ekziston më sot. Ai i Luigjit IV ishte i fundit. Pak ditë më pas, pa u befasuar, ne mësuam për një akt tjetër të ngjashëm vandalismi, që ata po shembnin katedralen e tyre të bukur të shek. 11, për të bërë një treg drithërash.

…A nuk është kjo një komedi e shkëlqyer? Imagjinoni këta dhjetë apo dymbëdhjetë këshilltarë bashkie duke marrë në konsideratë shkatërrimin e madh të kullës që përmendëm të Louis d’Outremer? Ja ku janë, të vendosur në një rreth, pa dyshim të ulur në një tavolinë, këmbë kryq dhe pantoflat në to, sipas modës turke. Dëgjojini ata: flitet mbi zgjerimin e sheshit të lakrave që arrin të zhdukë një monument mesjetar. Ja ku janë ata që bashkojnë të gjitha fjalët e mëdha që kanë mësuar qysh kur ishin pesëmbëdhjetë vjeç, të cilat u përdoren kur kryetari i fshatit shpalli Kushtetutën. Ata mbështesin njeri tjetrin. Arsye të mira bien si shi. Njëri argumenton bazuar tek feudalizmi, dhe kap një pretendim; një tjetër për të dhjetën; një tjetër, punën angari. Një tjetër, bujkrobërit që fshikullojnë ujin në kanale për të qetësuar bretkosat; një i pestë, të drejtën e natës së parë; një i gjashtë, priftërinjtë dhe aristokracinë e përjetëshme; një tjetër, tmerret e Shën Bartolomeut; një tjetër, që ndoshta është jurist, Jesuitët, se pastaj kjo e pastaj ajo; dhe përsëri kjo dhe ajo; dhe të gjitha u thanë: kulla e Louis d’Outremer është e dënuar me vdekje …. Mbaroi. U krye. Shembja e “monumentit të kohërave të barbarizmit” votohet përfundimisht me entusiasëm, dhe ti degjon urra-të e këshilltarëve trima të bashkisë së Laonit, të cilët i mësyjnë kullës Louis d’Outremer!

Dhe kulla u shemb! Dhe u krye! Dhe qyteti pagoi për të! Ata vodhën kurorën dhe paguan hajdutin!

Çfarë emri ju vini këtyre gjerave?

… Ato çka bëhen në Laon nuk janë bëma të izoluara. Në momentin që po shkruaj, nuk ka asnjë vend në Francë që nuk ndodh një gjë e tillë e ngjashme. Është shumë apo pak, është më pak ose më shumë, është i vogël apo i madh, por është kudo dhe kurdo vandalisëm. Lista e shembjeve është e pashtershëme; ajo filloi prej nesh dhe prej shkrimtarëve të tjerë më të rëndësishëm se ne. Mund të jetë e lehtë për ta zmadhuar por e pamundur për ta shteruar. Sapo pamë nivelin e këshillit bashkiak. Në mënyrë të ngjashme, kudo është një kryetar bashkie që ve në lëvizje një menaxher për të shënuar kufirin e një rëndësie publike; është një peshkop që kreh dhe pastron katedralen e tij; është një prefekt që shemb një kishë të shek. 14 për të çbllokuar pamjen nga dritaret e dhomës së tij të ndenjes; është një artilier që rrafshon një manastir të 1460-s për të zmadhuar fushën e zjarrit; është një zëvendës që e shndërron sarkofagun e Theudebert në një govatë derrash … Ustallarët që ekzekutuan urdhrin e një njeriu të kontrabandës, vetem me mbeturinat e ballkonit të korit të kishës, bënë një shtëpi të vogël të admirueshme që mund ta shihni në Fecamp. Sa turp!

A nuk ishte gjithashtu një dragua (kalorës) apo hussar, që dëshironte ta kthente kishën në Brou, atë mrekulli, në hambar bari për vehte, dhe i cili me zgjuarësi kërkoi leje nga ministri! A nuk ishin ata në procesin e copëtimit nga lart poshtë të katedrales së bukur të Angers, kur rrufeja goditi kullën-shtizë, akoma të zezë e të paprekur, dhe e dogji, a thua se vetëtima kishte vetë inteligjencë dhe preferoi ta hiqte kullën-shtizë të vjetër për të mos e lënë atë të grihej nga këshilltarët e bashkisë! A nuk është një ministër i restaurimit që shkurtoi në Vincennes shtatë kullat e saj, dhe në Toulous ledhet e saj të bukura? A nuk ishte një prefekt në Saint-Omer që shkatërroi tre të katërtat e ndërtimeve të mrekullueshme të Saint-Bertin, nën preteksin për ti zënë me punë punëtorët? Tallje! Në se je një administator kaq mediokër, kaq tru steril sa në vënd që të shtrosh udhë, të hapësh kanale, të kalldrëmosh rrugë, të thellosh porte, të punosh tokat, të ndërtosh shkolla, ti të mendosh se s’ke ç’bën me punëtorët tënd, të paktën mos ua hidh si një pre ndërtesat tona kombëtare për ti shembur, mos u thuaj që të nxjerrin bukën e tyre me këta gurë; më mirë ndaji këta punëtorë në dy grupe, ku secili të gërmojë një gropë të madhe dhe secili ta mbulojë me dheun e tjetrit. Dhe pastaj paguaji ata për këtë punë. Ja një ide. Më mirë të padobishmen se sa atë që dëmton.

…Në Paris, vandalismi lulëzon dhe begaton para syve tanë. Vandalismi është arkitekturuar. Vandalizmi është instaluar dhe rahatuar. Vandalismi festohet, duartrokitet, inkurajohet, admirohet, përkëdhelet, mbrohet, këshillohet, subvencionohet, paguhet, naturalizohet. Vandalismi është ai që ndërmerr punët për llogari të qeverisë. E ka instaluar vehten fshehtësisht në buxhet, dhe e bren atë qetësisht, si një mi djathin e tij. Dhe sigurisht përfiton paratë e tij. Çdo ditë shemb diçka nga ajo pak që ka mbetur nga e admirueshmja e Parisit të vjetër. Çfarë di unë? Vandalismi e ka shpëlarë Notre-Dame, vandalismi ka retushuar kullat e Pallatit të Drejtësisë, vandalismi ka rrafshuar Saint-Magloire, vandalismi ka shkatërruar manastirin e Jakobinëve, vandalismi ka gjymtuar dy nga tre kullat-shtizë në Saint-Germain-des Pres. Të mos flasim për ndërtesat që ka bërë. Vandalismi ka gazetat e tij, klikën e tij, shkollat e tij, katedrat e tij, publikun e tij, arsyet e tij. Vandalismi ka me vehte borgjezinë. Është mëkuar mirë, paguhet mirë, lustruar me krenari, është pothuajse shkencëtar, shumë klasik, llogjikues i mirë, teoricien i fortë, i gëzuar, i fuqishëm, i dashur në se i duhet të jetë, folës i mirë, dhe i vetë-kënaqur. Ai luan rolin e patronit. Ai mbron talentet e reja. Ai është profesor. Ai jep çmime të mëdha arkitekture. Dërgon studentë në Romë. Ai është deputet dhe i refuzon Ingres-it afresket e ish-dhomës, për tia dhënë kush e di se kujt. Ai vesh veshje të qëndisira me ar, shpatën mënjanë dhe poture Franceze. Ai është i institutit. Ai shkon në oborr. Ai i jep krahun e tij mbretit dhe ecën rrugëve me të, duke i pëshpëritur planet e tij në vesh. Ju mund ta keni takuar.

Gjatë Restaurimit, e mori lehtë, duke luajtur në një mënyrë mjaft miqësore, sa ne e admirojmë. Të gjithë kujtojnë si vandalismi, që ishte gjithashtu edhe arkitekt i mbretit, trajtoi katedralen e Reims-it. Një njeri i nderuar, shkencëtar dhe i talentuar, Z. Vitet, e sinjalizoi këtë akt. Kjo katedrale, siç e dimë, është e mbuluar nga maja e deri poshtë me skulptura të shkëlqyera, të cilat rrjedhin nga të gjitha pjesët e profilit të saj. Gjatë kurorëzimit të Charles X, vandalismi, i cili është një oborrtar mirë, kishte frikë se mos ndonjë gur shkëputej aksidentalisht nga gjithë ato skulptura aty lart, dhe i binte në mënyrë të papërshtatëshme mbretit në momentin kur madhëria e tij të kalonte aty; dhe është për të ardhur keq, që godtjet e mëdha të çekiçit, përgjatë tre muajve, e krasitën katedralen e vjetër!

…Thonë se vandalismi e dënoi me vdekje kishën tonë të vjetër e të pariparueshme Saint-Germain-l’Auxerrois. Vandalismi ka idetë e tij për të. Ai do të bëjë rrugë të mëdha, të mëdha, të mëdha përmes Parisit. Një rrugë një lega! Çfarë shkatërrimesh madhështore përgjatë rrugës! … Do ta pësojë Saint-Germain-l’Auxerrois, gjithashtu dhe kulla e admirueshme e Saint-Jacques-de-la-Boucherie. Por ç’rëndësi ka! Një rrugë prej një lega!…

Shpresoj që ky projekt burlesque të mos realizohet. Në se ata do përpiqen ta realizojnë, shpresoj të ketë protestë të artistëve. Ne do të bëjmë ç’të mundim për ti shtyrë ata drejt kësaj.

…Që nga revolucioni i Korrikut, përdhosjet vazhdojnë, më katastrofike dhe madje edhe më të vdekshme dhe me spektakle të tjera … Ne nuk restaurojmë më, nuk prishim, nuk e bëjmë një monument të shëmtuar, ne e rrëzojmë atë. Dhe ka mjaft arsye për këtë. Një kishë, ajo është fanatizëm; një kullë kështjelle, ky është feudalizëm. Ne e denoncojmë një monument, ne e masakrojmë një bina me gurë, ne i shtatorizojmë gërmadhat. Kishat tona thjesht mezi janë shpëtuar duke pranuar medalionin. Nuk ka Notre-Dame në Francë sado kolosale të jetë, sado e admirueshme, sado e mrekullueshme, sado e paanëshme, sado historike, sado e qetë dhe sado madhështore të mund të jetë, që nuk ka flamurin tri ngjyrësh mbi një hu … Ne do do të na pëlqente të fshinim të gjithë historinë tonë. Ne shkatërrojmë, ne bëjmë hi e pluhur, ne shembim nën frymën kombëtare.

…Mes të tjerash, dikush ndesh edhe disa njerëz, për të cilët është e pështirë pasi ka pak banalitet në pathosin madhështor të Korrikut, dhe që demonstruesit e shkatërrimit e duartrokasin për arsye të tjera, arsye të rëndësishme siç mësohet, arsye të ekonomistit dhe bankierit. — Përse përdoren monumentet? Thonë ata. Mirëmbajtja e tyre koston, dhe kjo mjafton. Rrafshoi ato në tokë dhe shiti materialet. Është gjithmonë çështje fitimi. — Në se flasim vetëm me terma ekonomike, arsyetimi është i gabuar. …Këto monumente janë kapitale. Shumë prej tyre, që fama e tyre tërheq të huaj të pasur në Francë, i sjellin vëndit më shumë se interesi i parave që kostojnë. Të shkatërrosh ato është të privosh vendin nga një e ardhur.

Por le ta lemë këtë pikë vështrimi pa interes, dhe të arsyetojmë në një nivel më lart. Që kur po guxojmë, në këtë qytetërim të plotë, që të vemë në dyshim artin duke u bazuar në përdorimin e tij? Është shumë keq për ju në se nuk dini se për se shërben arti! Nuk mbetet asgjë për t’ju thënë. Shko! Shemb! Përdor! Bëj zhavorr me Notre-Dame de Paris. Bëj para nga Kolona (Vendôme, shën. im).

Disa të tjerë pranojnë dhe duan artin, por po ti dëgjosh ata, monumentet e mesjetës janë ndërtuar me shije të keqe, janë punë barbarësh, monstra arkitekturale, të cilat ne nuk mund ti asgjësojmë kaq shpejt por me shumë kujdes. Edhe këtyre nuk ke ç’tju thuash. Ata kanë arritur fundin. Toka u është kthyer sëprapthi, bota është larguar prej tyre; ata janë të paragjykuarit e një shekulli tjetër; ata nuk janë më gjenerata që shikon diellin. Sepse do të jetë mirë në se veshët e të gjithë të mëdhenjve mësohen të dëgjojnë të thuhet e rithuhet, se në të njëjtën kohë që u realizua revolucioni i lavdishëm politik në shoqëri, u realizua edhe një revolucion i lavdishëm intelektual në art…Kështu … le ti themi me zë të lartë qeverisë, qyteteve, individëve që janë përgjegjës për monumentet kombëtare se fati i ka vendosur ato në duart e tyre. Ne duhet ti tregojmë të kaluarën të ardhmes.
Posteri, posteri, vestra res agitur.
(Gjenerata, gjenerata, këto janë për ju.)

…Ju lutem, përdorini më mirë milionat tona.

…Përdorini milionat tuaja për të konservuar, për të mirëmbajtur, për ti bërë të përjetëshme monumentet historike dhe kombëtare që i përkasin shtetit, dhe riblejini ato që u përkasin individëve. Risku do të jetë modest. Ju do ti merrni ato me çmim të lirë. Një injorant mund ta shesë Parthenonin edhe me çmimin e shkëmbit.

Riparoini këto ndërtesa të bukura e serioze. Riparoini ato me kujdes, me inteligjencë, me seriozitet. Ju keni përreth njerëz të shkencës dhe testojini se kush mund tju ndriçojë në këtë punë….

Ruajini qytetet, ndalojini shkatërrimet në to.

Çekani që gjymton fytyrën e vendit duhet të ndalojë. Një ligj do të mjaftonte. Le të bëhet. Çfarëdo të drejta pronësie të ketë, shkatërrimi i një ndërtese historike apo monumentale nuk u duhet lejuar këtyre spekulatorëve të poshtër, interesi i të cilëve verbon nderin e tyre; njerëz fatkeq dhe kaq pa mend sa ata nuk arrijnë të kuptojnë se janë barbarë! Ka dy gjëra në një ndërtesë: përdorimi i saj dhe bukuria e saj. Përdorimi i saj i përket pronarit, bukuria e saj i përket gjithë botës, ty, mua, ne të gjithëve. Prandaj shkatërrimi i saj është cënimi i të drejtës së dikujt.

…Kjo është një çështje me interes të përgjithshëm, me interes kombëtar. Çdo ditë, kur interesi i përgjithshëm ngre zërin e tij, ligji i hesht lehjet e interesit privat. Pronësia individuale shpesh ka qënë dhe vazhdon të jetë e modifikueshme në gjykimin e komunitetit shoqëror.

…Ligje janë bërë për mbi çdo gjë, për çdo gjë, kundra çdo gjëje, rreth çdo gjëje. Për të transportuar kutitë nga një ministri në njerën anë të rrugës de Grenelle tek tjetra, ata bëjnë një ligj. Dhe një ligj për monumentet, një ligj për artin, një ligj për kombësinë e Francës, një ligj për memoriet, një ligj për katedralet, një ligj për produktin më të madh të inteligjencës njerëzore, një ligj për punën e përbashkët të baballarëve tanë, një ligj për historinë, një ligj për të pariparueshmen që ne shkatërrojmë, një ligj që kombi të ketë gjërat më të shenjta në të ardhmen, një ligj për të shkuarën, këtë ligj të drejtë, të mirë, të shkëlqyer, të shenjtë, të dobishëm, të nevojshëm, të domosdoshëm, ligj urgjent, ata nuk kanë kohë, ata nuk duan ta bëjnë!

Qesharake, qesharake, qesharake!