Nga: Horacio Quiroga
Përktheu: Bajram Karabolli

Kur Enriketës i ra të fikët, nëna dhe motrat e mia u frikësuan më shumë seç duhej. Unë hyra pak më vonë dhe, kur dëgjuan hapat e mi në oborr, vrapuan drejt meje, me fytyra të zbehta. M’u desh pak kohë për të kuptuar saktësisht se çfarë kishte ndodhur, pasi të gjithë po flisnin njëkohësisht, me shpërthime të papritura dhe duke vrapuar sa andej-këndej. Më në fund, mora vesh se pak çaste më parë kishin dëgjuar një zhurmë të shurdhër në dhomën e ndenjes, ndërsa pianoja ndaloi papritur. Vrapuan atje, dhe gjetën Enriketën të rrëzuar mbi qilim.


E çuam në shtratin e saj dhe ia zgjidhëm korsenë, por ajo nuk po e merrte veten. Për të qetësuar mamanë, vrapova për të sjellë mjekun. Kur mbërritëm, Enriketa sapo kishte ardhur në vete dhe po qante midis dy jastëkëve.

Siç parandieja, nuk ishte asgjë serioze: një rënie e thjeshtë të fikëti nga tretja për shkak të një diete absurde të cilën ajo kishte pak kohë që e respektonte. Kështu që dhjetë minuta më vonë, gjithçka kaloi dhe ajo nuk ndjente më gjë.

Ndërsa po ziente kafeja - e cila, të paktën, e bënte të vlefshme atë nxitim tonin të pakuptimtë – ne, në pritje, ia shtruam bisedës. Ishte hera e pestë ose e gjashtë që mjeku i vjetër vinte në shtëpinë tonë. Një ditë e kishin thirrur me rekomandimin e një miku dhe kishin mbetur shumë të kënaqur nga sjellja e tij tepër e kujdesshme ndaj të sëmurit. Kishte durim të madh dhe gjithmonë besonte se ne do të silleshim mirë dhe do të ishim shumë njerëzorë me të. Kësisoj, ishim shumë të kënaqur me të.

- Kam një rast të ngjashëm me këtë, - tha, duke iu drejtuar Enriketës, - veç ishte vërtet një rast serioz. Ishte një djalë i ri i cili kishte dëmtuar plotësisht stomakun. Kishte lexuar diku se trupi i njeriut humbet kaq shumë gramë azot, karbon etj., në ditë., por e bënte vetë ushqimin që hante, pasi peshonte, deri në centigram, dozën e saktë të substancave albuminoze dhe gjërave të tjera që mund të kompensonin çdo humbje. Dhe, peshohej çdo ditë, krejtësisht lakuriq. Duket e pabesueshme, por e keqja ishte se ky regjim absurd i kishte shkaktuar një çrregullim të rëndë. Enriketa, duhet të kesh parasysh se sa më shumë probleme me tretjen të përjeton nga uria njeriu, aq më pak ha. Gjatë dy muajve të fundit, ky djalë ka kriza të tmerrshme dhimbjesh stomaku që nuk di si t’i ndaloj ...

- Kjo dhemb shumë, apo jo? - e ndërpreu Enriketa, shumë e shqetësuar.

- Po, shumë, - tha ai, duke e parë Enriketën. - Është një nga dhimbjet e tmerrshme ...

- Si motra ime Koncepsión, - tha nëna ime, - kur vuante nga gurët në tëmth. Sa e tmerrshme! As nuk dua ta mendoj!

- Dhe ndoshta dhimbjet e peritonitit janë më të këqija ... ose ato të meningjitit.

Ne heshtëm për pak kohë, ndërsa pinim kafenë.

- Nuk e di, - vazhdoi nëna ime, - nuk e di, por më duket se duhet gjetur diçka për të shmangur vuajtjen e këtyre dhimbjeve. Sidomos kur sëmundja është fatale, o Zot!

- Shpëton vetëm po të vdesësh sa më shpejt, - buzëqeshi mjeku.

- Dhe pse jo? - ndërhyri me guxim Klara, më e zjarrta nga motrat e mia. - Do të ishte një akt i vërtetë bamirësie!

- Absolutisht! - murmuriti nëna ime, ngadalë, që kishte plot kujtime të dhimbshme.

Luisa dhe Enriketa ndërhynë, plot me kujdes dhe zgjuarsi, duke rënë dakord për gjithë çka u tha.

Doktori, pasi dëgjoi, duke tundur kokën në shenjë kundërshtimi dhe me një farë trishtimi tha:

- Megjithatë, mos u mashtroni, zonjë. Atë që ju e konsideroni një akt dhembshurie, të tjerët e shohin thjesht si një krim. Duhet të ketë ndonjë rrymë të errët, të paarsyeshme, për të penguar që të shikosh diçka kaq të arsyeshme për shpëtimin e të dashurve nga vuajtjet. Pikërisht tani, kur po flisnim për dhimbjen, m'u kujtua diçka e ngjashme që më ka ndodhur mua. Pas asaj që thatë, për të cilën nuk kam asnjë kundërshtim, dua t'ju tregoj një histori që ka ndodhur para ca kohësh: Një mëngjes më thirrën urgjentisht në një shtëpi që e kisha vizituar disa herë më parë. Ishte një çift që kishin dy vjet të martuar. E gjeta zonjën shtrirë, duke vjellë pa pushim dhe duke vuajtur nga një dhimbje koke e tmerrshme. Shkova përsëri pasdite dhe gjendja e saj ishte përkeqësuar, sidomos dhimbja e kokës, një dhimbja e fortë që e bënte të bërtiste. Shkurt: ndodhesha para një meningjiti, një meningjit tuberkular. Duhet të dini se në raste të tilla shumë pak mund të bëhet. Vetëm sa të lehtësosh dhimbjen. Uroj: mos i dëgjofshi kurrë vajtimet e dikujt që vuan nga meningjiti. Është gjëja më e dhimbshme, me një ritëm të vazhdueshëm, të pandërprerë, me britma monotone, si të një kafshe, gjithmonë me të njëjtin ton, dhe që vuajtësi humbet edhe pamjen njerëzore. Të nesërmen vazhdonte e njëjta vuajtje. I mjeri burrë, një djalë i ri, ishte zhytur në një dëshpërim të plotë. I shtrirë në shtrat në një dhomë tjetër, qante heshtazi nga dhimbja e padurueshme për nusen. Nuk mbaj mend që atë nuse ta kem parë ndonjëherë me sytë jo të skuqur dhe me fytyrën të lagur nga lotët. Pati shumë takime dhe konsulta, të gjitha të padobishme. Ditën e tretë, dhimbja e kokës i ndaloi dhe pacientja ra në një gjysmë-hutim. Gjithmonë përballë murit, me këmbët të mbledhura në gjoks dhe me mjekrën pothuajse mbështetur te gjunjët. Nuk bënte asnjë lëvizje. Përgjigjej shkurt dhe me vështirësi, sikur të donte ta linim të qetë njëherë e përgjithmonë. E gjitha kjo ishte gjendja shëndetësore e një pacienti me meningjit.

Natën e ditës së katërt, sëmundja u përkeqësua edhe më. Ethet u shtuan, temperatura i arriti 40.6 gradë Celsius dhe e sëmura ra në kllapi. Dhimbja e kokës, u bë më e tmerrshme nga ç’ishte dhe britmat e saj u bënë therëse. Nuk kisha dyshim se fundi i saj ishte afër. Kriza përfundimtare, e padurueshme zakonisht zgjat me orë të tëra, një ditë, dy, ndonjëherë edhe më shumë. Pacientja ime kaloi tre ditë në atë agoni dëshpëruese, duke bërtitur nga dhimbjet, vazhdimisht, shtatëdhjetë e dy orë, pa pushuar asnjë sekondë. Dhe në heshtjen e asaj shtëpie… imagjinoni gjendjen e burrit të varfër. As antipirina dhe as oksidi i klorit nuk e qetësuan. Kësisoj, në ditën e shtatë, kur pashë se ajo për fat të keq ende jetonte me ato vuajtje të tmerrshme, të sajat, të burrit të saj dhe të gjithë të tjerëve, me duart e ndërgjegjes peshova gjendjen e saj dhe simptomat; dhe pas bindjes absolute se ishte një çështje plotësisht e humbur, shtova dozat e oksidit të klorit... Por, po atë pasdite ajo vdiq në paqe. Dhe tani, zonjë, më tregoni nëse në gjithë këtë histori do të shihni dhembshurinë e vërtetë për të cilën po flisnim.

Nëna dhe motrat e mia kishin heshtur, duke e shikuar.

- Po burri nuk dinte kurrë, asgjë? - pyeti nëna ime me një zë pothuajse të pëshpëritur.

- Pse do të dinte? - u përgjigj, gjithë trishtim. - Ai nuk mund të kishte sigurinë time për vdekjen e gruas së tij.

- Po, padyshim… - familja ime u pajtua ftohtësisht.

Askush nuk foli më. Doktori i tha lamtumirën, duke e këshilluar me dashuri Enriketën të kujdesej për stomakun e saj. Dhe u largua, pa e kuptuar se nuk do ta thërrisnin kurrë.

Fund