LAJMI I FUNDIT:

Lufta po shkon drejt pragut të Rusisë

Lufta po shkon drejt pragut të Rusisë
Ilustrimi nga: Nicholas Konrad / The New Yorker

Nga: Michael Bociurkiw / CNN (titulli origjinal: The war on Russia’s doorstep just got uncomfortably close)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Do të zhgënjehen ata që presin që kundërofensiva e ardhshme ukrainase do të jetë fushatë tronditëse e bombardimit dhe frikësimit, e ngjashme me sulmet e ShBA-së në Irak në vitin 2003.


Sigurisht, ekziston një lloj presioni i pashprehur mbi administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, për të vazhduar sa më shpejt kundërsulmin e planifikuar – dhe për të demonstruar se miliarda dollarët e ndihmës ushtarake perëndimore janë në gjendje ta shtyjnë presidentin rus, Vladimir Putin, të paktën deri te linjat para pushtimit të shkallës të plotë të vitit 2022.

Udhëheqësit dhe planifikuesit ushtarakë ukrainas duhet gjithashtu të jenë të ndërgjegjshëm për zhvillimet përtej Atlantikut, ku aleati i saj më i fuqishëm, Shtetet e Bashkuara, mund ta shohin kthimin e Donald Trumpit në vitin 2025 në Shtëpinë e Bardhë – dhe, me këtë, një rënie të mundshme të mbështetjes.

Megjithatë, Kievi duket se po vepron me kujdes, duke zbatuar një aspekt të gjerë të kundërsulmit, duke shmangur presionin për veprim dhe duke i mbajtur pranë vetes planet e fushës së betejës.

Ne tashmë e dimë se Zelensky ka nevojë për një kohë për të krijuar rezerva të armëve dhe për t’i trajnuar trupat.

Por, mos gaboni. Kundërofensiva e shumëpërfolur po bie gjithnjë e më shumë në sy – jo me një lloj të pushtimit të stilit të Irakut – por me sulme delikate dhe disa mund të thonë me sulme brilante kundër Rusisë.

Këto filluan javën e kaluar, me një sulm ndërkufitar nga shtetasit rusë anti-Putin në rajonin e Belgorodit, të pasuara nga sulmet e forcave të armatosura ukrainase në qytetin port të pushtuar nga Rusia, në Berdiansk.

Më vonë gjatë javës, zyrtarët amerikanë hodhën dritë të re mbi sulmin e supozuar me dron në Kremlin, më 3 maj, duke pretenduar se ka të ngjarë të jetë kryer nga ushtria ose nga inteligjenca ukrainase.

Më pas, të martën në mëngjes, një sulm me dron në kryeqytetin rus e solli ashiqare konfliktin në tokën ruse. Moska e fajësoi Ukrainën për atë që e përshkroi si “sulm terrorist”, ndërsa Kievi mohoi përfshirjen në sulmin i cili shkaktoi dëme të vogla dhe pak lëndime.

Kushdo që është fajtor, një gjë ishte e sigurt: ua dha banorëve të Moskës një shije të asaj me të cilën njerëzit në kryeqytetin ukrainas për çdo ditë përballen.

Në të vërtetë, Rusia vazhdon të godasë Kievin me sulme pothuajse të përditshme – përfshirë sulmet e tmerrshme të së hënës me dron në Kiev dhe të së martën në mëngjes, ku në të fundit u vra një person dhe u plagosën të paktën tre të tjerë.

Por, ishte inkursioni i dy grupeve anti-Kremlin që pretenduan se kishin kontrolluar – të paktën përkohësisht – 16 milje katrorë të territorit rus gjatë javën e kaluar, ajo që ia vuri “flakën” kanaleve të Telegram-it ukrainas.

Duke pretenduar se po veprojnë në mënyrë të pavarur nga forcat ukrainase, provokimi i luftëtarëve shkaktoi evakuim të madh dhe paraqet luftimet më intensive brenda Rusisë – që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë.

Ashiqare janë disa të çara në mburojën e Putinit. A duhet këto lloje të sulmeve përçarëse të rriten në frekuencë dhe të përhapen në rajonet e tjera brenda Rusisë? Dikush mund të spekulojë se ato mund të çojnë në pikën e kthesës që konteston mbetjen e Putinit në pushtet.

Qëllimi këtu duket se nuk është të pushtohet toka ruse – por t’ia dërgojnë një mesazh Putinit dhe publikut rus se lufta në Ukrainë është humbje e jetëve dhe e pasurisë.

Ka më shumë arsye që Rusia të shqetësohet. Me blerjen e raketave me rreze të gjatë që nuk detektohen nga radarët, të tillat si raketat britanike Storm Shadow që mund të shkojnë në 155 milje, Kievi tani e ka aftësinë ta godasë mirë territorin e pushtuar rus dhe madje edhe vetë Rusinë. Kjo shkon shumë përtej aftësisë prej 49 prej miljeve të raketave të ofruara nga ShBA-ja.

Teksa një skenar i tillë mund t’i shqetësojë zyrtarët në Uashington, se kjo mund t’i përshkallëzojë gjërat, zyrtarët evropianë duket se po e shohin pamjen tjetër derisa Kievi po bëhet më agresiv me listën e saj të ngushtë të caqeve ruse.

Për më tepër, nëse ukrainasit pengohen të godasin objektet kryesore ushtarake, thellë brenda territorit rus, atëherë duhet të shtrohet pyetja: Cili është qëllimi i kësaj lufte të Davidit dhe Goliatit, kur njëra dorë është e lidhur prapa shpinës së Kievit?

Inkursionet e fundit, nëse ishin të lidhura në ndonjë mënyrë me Kievin, u ekzekutuan në kohë të duhur, meqë ndodhën atëherë kur forcat ruse ishin të zëna diku tjetër përgjatë vijës së frontit, në përpjekjen që të fitojnë territore dhe t’i mbrojnë tokat e pushtuara.

Trupat Vullnetare Ruse (RVC) dhe Legjioni i Lirisë së Rusisë, duket se janë vullnetarët rusë që mbështesin Ukrainën, me synimin për ta rrëzuar Putinin. Ndryshe nga RVC-ja, Legjioni pretendon se po lufton nën udhëheqjen e komandës ukrainase dhe “nga dëshira e rusëve për të luftuar në radhët e Forcave të Armatosura të Ukrainës, kundër bandës së armatosur të Putinit”.

Posa u përhap fjala në botë për këto dy grupe kryengritëse, emri i të cilave nuk dihej – madje edhe nga ata prej nesh që e ndjekin nga afër rajonin – New York Times e botoi një artikull në lidhje me lidhjen e një udhëheqësi të RVC-së me një grup të neo-nazistëve.

Nëse del kjo si e vërtetë, mund të përdoret nga makineria e propagandës e Kremlinit për të paraqitur Ukrainën si parajsë për nazistët – me një nga pretekset e rrejshme për pushtimin.

Me mençuri, Zelensky dhe rrethi i tij i brendshëm kanë qëndruar kryesisht të heshtur për inkursionet.

Është pothuajse e pamundur të përcaktohet se a paraqesin kërcënim të vogël apo të madh këto inkursione për Putinin. Por, është e vështirë të besohet se njeriu që raportohet se udhëton rreth vendit të vet me një vagon treni të blinduar – në vend të aeroplanit presidencial – po e bën gjumin e qetë, veçanërisht pasi lufta ka dështuar në çdo pikë të planit.

Edhe shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, paralajmëroi javën e kaluar se rusët mund të lëvizin për ta përmbysur regjimin, nëse i ashtuquajturi “operacion special ushtarak” vazhdon të shkojë mbrapshtë.

Ajo që ka të ngjarë, në afat të shkurtër, është se Rusia do ta përdorë një strategji hibride për ta sulmuar Ukrainën dhe për ta bërë jetën të pakëndshme për Perëndimin.

Kjo do të thotë vazhdimësi e sulmeve të përditshme në Kiev dhe në qendrat e tjera të mëdha (të cilat, duke i privuar banorët nga gjumi paraqesin një formë të luftës psikologjike); duke e përdorur ushqimin si armë, përmes kufizimit të anijeve që transportojnë grurin dhe produktet e tjera bujqësore – nga Ukraina drejt tregjeve perëndimore; madje duke e përdorur migrimin si armë, përmes krijimit të frikës së madhe nga sulmet me dron dhe me raketa, për të parandaluar kështu kthimin e miliona refugjatëve ukrainas në shtëpitë e veta.

Është e arsyeshme të supozohet se Putini nuk do ta përfundojë vullnetarisht këtë luftë, duke iu nënshtruar një armëpushimi ose një marrëveshjeje të paqes. Përkundrazi, Putini duket se po beson se mund të fitojë duke e përdorur këtë ngërç.

Dëmi kolateral nuk ka paraqitur kurrë ndonjë brengë për Putinin, vetëm siguria dhe fuqia e vet. Tashti, duket se me shpejtësi po shkurtohet zona e sigurisë midis Moskës dhe vijës së frontit.

Dhe, me luftën që ai e filloi e që po bëhet e pakëndshme, besoj se gjithashtu mund të numërohen ditët e Putinit në detyrë. /Telegrafi/