LAJMI I FUNDIT:

“Lufta” anglo-amerikane për naftën e Shqipërisë

“Lufta” anglo-amerikane për naftën e Shqipërisë

Koncesionet, por edhe monopolet ekonomike mbi zonat naftëmbajtëse, duket se kanë qenë temë e ditës për politikën shqiptare, qysh në fillimvitet ’20 të shekullit të shkuar. Arkivat diplomatike amerikane të kohës, rrëfejnë një interes e këmbëngulje “të skajshme” të Uashingtonit zyrtar për barazinë në garë për “koncesionin e vajgurit”

Armand Plaka


Koncesionet ekonomike ndaj kompanive të huaja u ringjallën sërish pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri e riorientimit ekonomik të vendit. Por, deri më tani ajo çka shqiptarët kanë parë është vetëm një zhgënjim plot dështime në rastin më të mirë, e me pasoja të paimagjinueshme për popullsitë lokale në territoret e të cilave ushtrohen veprimtaritë e kompanive koncesionare. Sigurisht se situata nuk duhej të ishte aspak kështu, sidomos në rastin e burimeve naftëmbajtëse.

Teksa zhvendosemi në kohë, shohim se me çështjen e koncesioneve dhe monopoleve mbi naftën, shqiptarët janë përballur qysh në momentet e para të ringritjes apo të konstituimit të shtetit shqiptar në fillimvitet ’20 të shekullit të shkuar.

Përveç dokumenteve arkivore shqiptare, ai që jep më shumë informacion të detajuar për këtë çështje rezulton të jetë Sejfi Vllamasi, një figurë historike, e konsideruar “e rangut të dytë”, por që preku periudha shumë të ndryshme kohore e tejet dinamike.

Në fakt, nëse u referohesh kujtimeve të tij, “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942”, (Neraida 2000), në kapitullin “Koncesioni i vajgurit” (fq. 327), siç njihej asokohe në terminologjinë shqipe kontrolli mbi zonat naftëmbajtëse, ai flet në gjerësi për kontradiktat e forta që ngjalli kjo çështje mes dy krahëve të politikës shqiptare dhe gjithashtu për prapaskenat që u zhvilluan deri në momentet e fundit edhe në vetë Partinë Popullore (në të cilën ai bënte pjesë duke mbajtur për disa kohë edhe postin e ministrit të Punëve Botore), që për kohën përbënte një formacion përparimtar.

E, në fakt, bëhej fjalë për një betejë në dukje ligjore e parimore, por që në të vërtetë fliste qartazi për përmasat e ndikimit politik të shteteve të fuqishme të kohës në Shqipëri, luftën mes britanikëve e amerikanëve, por edhe interesin e francezëve e italianëve për të shfrytëzuar nëntokën shqiptare, resurset e pamasa që ajo dukej se mbartte me vete në atë kohë e që mbart edhe sot e kësaj dite, në një simbiozë paradoksale e të njëkohshme mes fatkeqësisë e fatbardhësisë.

Duket se pretendimet e Vllamasit në këtë rast verifikohen plotësisht nga dokumente të pakundërshtueshme, siç mund të jenë arkivat e shërbimit diplomatik amerikan të kohës, një ekstrakt i të cilave na rrëfen komunikimin shumë aktiv e të shtrirë deri në detaje mes ministrit (d.m.th ambasadorit) amerikan në Tiranë, Ulysses Grant-Smith, dhe Departamentit të Shtetit në Uashington, e madje shpesh edhe vetë Sekretarit të Shtetit, Charles Evans Hughes, për të mos lejuar në asnjë mënyrë marrjen e monopolit të “koncesionit të vajgurit” nga kompania britanike, ose anglo-iraniane siç njihej asokohe. Komunikimi mes tyre përfshin madje edhe instruksionet që shkonin deri në kërcënime e paralajmërime të hapura për qeverinë e Tiranës, e cila dukej se përtej fasadës së “barazisë në tenderë” apo “Dyerve të Hapura”, kishte një preferencë (siç rezulton edhe nga kujtimet e Sejfi Vllmasit, të motivuar e të justifikuar) për kompaninë britanike.

Pavarësisht se koha që do të pasonte do të shihte përmbysje të mëdha politike e gjeostrategjike, ku rolin kryesor do ta luante tashmë Italia e interesat e saj ekonomike do të bënin që ajo të kishte jo vetëm “monopolin e vajgurit”, por edhe atë të mbarë Shqipërisë, duket se të paktën deri në ato momente çështja e koncesioneve po debatohej fort dhe në dukje mbi një taban “parimor” për të nxjerrë përfitime sa më të mëdha për ekonominë shqiptare.

Gjithashtu, komunikimi mes Uashingtonit dhe të dërguarit të tij në Tiranë, na jep edhe një ide më të qartë se cili ishte vendi që zinte Shqipëria në atë kohë për SHBA-në dhe edhe pse të deklasifikuara tashmë prej kohësh, dokumentet të japin përshtypjen e një Wikileaks-i që na kujton padyshim shumëçka edhe nga ato që ndodhin sot në skenën e politikës botërore.

Nafta e shpëtoi Shqipërinë nga Traktati i fshehtë i Londrës
Lexo po ashtu Nafta e shpëtoi Shqipërinë nga Traktati i fshehtë i Londrës

***

Ministri në Shqipëri për sekretarin e Shtetit
Tiranë më 16 shkurt 1923

Ministri për Punët e Jashtme më informoi se qeveria shqiptare e ndien si obligim ndaj një marrëveshjeje të nënshkruar nga kabineti i mëparshëm ratifikimin nga ana e Asamblesë Kombëtare të propozimeve anglo-persiane për një monopol mbi naftën. Po bëhen përpjekje për të ruajtur edhe bashkëpunimin italo-francez.

Grant-Smith

***

Sekretari i Shtetit për ministrin në Shqipëri
Uashington, 19 shkurt 1923

Në lidhje me telegramin tuaj nr. 16, Departamenti dëshiron që ju të telegrafoni çdo detaj që posedoni mbi propozimet për koncesionet anglo-persiane në lidhje me: 1. Natyrën e monopolit: 2. Shtrirjen e territorit që përfshihet; 3. Nëse të dyja, si kërkimi dhe marketimi i naftës përfshihen në të; 4. Nëse është ofruar një shpërblim ose jo për qeverinë shqiptare për koncesionin; 5. Kush janë përfaqësuesit e kompanive amerikane, nëse ka, aktualisht në Shqipëri. Departamenti merr vesh nga informacionet që ofron Maxwell Blake, ish-komisioner në Shqipëri, e që tashmë është në Uashington, se për koncesionin e kompanisë anglo-persiane ka pasur një tentativë nga Ministria shqiptare në korrik 1921, por se ai ishte siguruar nga zyrtarët shqiptarë se qeveria ishte detyruar t’ia paraqiste koncesionet për miratim Asamblesë Kombëtare dhe se nuk e kishte marrë dot miratimin e Asamblesë. Departamenti dëshiron të informohet nëse refuzimi është i mundur nën rrethanat aktuale dhe se dëshiron të dijë datën e trajtimit të koncesionit nga Asambleja Kombëtare. Ju lutem shpjegoni referencën në paragrafin e fundit të telegramit tuaj nr. 16 mbi bashkëpunimin italo-francez për respektimin e “Dyerve të Hapura”.

Hughes

***

Ministri në Shqipëri (Grant Smith) për sekretarin e Shtetit
Tiranë, 21 shkurt 1923

Qeveria shqiptare refuzon t’u komunikojë garuesve propozimet e kompanisë anglo-persiane, por të dhënat e mëposhtme kanë dalë gjatë bisedave me ministrin për Punët e Jashtme, me z. Xhafer Ypi, Kryeministër, me kolegë të huaj dhe me përfaqësues të “Standard Oil Company”; 1 Propozimet origjinale, të cilat janë sjellë për kërkimin e të gjitha mineraleve, janë ndryshuar për të kufizuar kërkimin për naftë. 2. Koncesioni do të mbulojë të gjithë vendin për dy vjet, pastaj 100.000 hektarë për tri vitet në vijim për shpime testuese dhe pas kësaj 65 të tjera për 75 vjet për shfrytëzim, i cili do të përfshijë të gjitha zonat e mundshme prodhuese. “The Standard Oil Company” po kërkon 35.000 hektarë, francezët 5.000 dhe italianët 4.000. 3. Legata nuk ka marrë asnjë informacion, ndërkaq që të lidhet me marketimin. 4. Qeveria thekson se koncesioni nuk përfshin shpërblim. 5. Përfaqësuesi i vetëm tashmë këtu është Sheffield, i kompanisë së naftës “Standard” nga Nju Jorku. Agjenti i kompanisë “Sinclair” iku në dhjetor 1922, dhe nga tani e në vijim nuk ka treguar më interes për t’u rikthyer. Vetëm garancia e një shpërblimi të konsiderueshëm do t’ia mundësonte kësaj kompanie të garonte me sukses me komani të tjera të huaja dhe me Standard-in, e cila ka fituar mbështetjen e ministrit të Punëve Botore dhe – me sa jam informuar unë – ka refuzuar të diskutojë çështje me Sinclair-in. Propozimet e britanikëve, pasi janë pranuar nga kabineti në vitin 1921, i janë përcjellë komitetit kompetent të Asamblesë Kombëtare, por nuk i janë raportuar Shtëpisë së Bardhë me pëlqim të ndërsjellë prej frikës, besoj unë, të refuzimit nga opozita se ka dalë në pah karakteri i tyre ekskluziv. Pohohet nga anëtarët e qeverisë se çdo propozim i ri është dorëzuar te kompania britanike, e cila ka të drejtën e preferencës, ku termat janë të barabartë. Tashmë qeveria deklaron se ata ndihen të detyruar të sjellin sërish në tavolinë propozimet e para anglo-persiane, bashkë me modifikimet në vijim, për t’i votuar. Rezultati ndoshta do të varet në një masë të madhe nga masa e përpjekjeve për të bindur dhe për të bërë presion nga ana e garuesve. …Kryeministri më thirri sot për të më thënë se ai do të përpiqet të përjashtojë çdo kompani, e cila aplikon metoda të padenja presioni dhe bindjeje; se ai, propozimet e Standard-it i vlerëson si më të mirat, se i ka dorëzuar ato tashmë dhe se shpreson që Sheffield do të mbesë në garë deri në vendimin final. Francezët dhe anglezët e kundërshtojnë fort dhënin e çdolloj monopoli ndaj Britanisë së Madhe. Zonat e mundshme naftëmbajtëse janë mjaft të mëdha për të kënaqur francezët, italianët, dhe propozimet e “Standard Oil Company” dhe lënë pas një zonë shumë më të madhe për britanikët sa ajo që kërkohet nga kompania amerikane, por ata vijojnë të këmbëngulin në të drejtat ekskluzive. Ministri italian është instruktuar t’i bëjë një opozitë të fortë këtij pretendimi, dhe i Ngarkuari me Punë i Francës së fundmi ka bërë një protestë kundër dhënies së të drejtave ekskluzive.

Grant-Smith

***

Ministri në Shqipëri ( Grant Smith) për sekretarin e Shtetit
Uashington, 27 shkurt 1923

Në përputhje me kërkesën e bërë nga “National City Bank”, ju jeni informuar se banka në fjalë ka themeluar një kredi në favor të qeverisë shqiptare me një vlerë prej 40.000 dollarësh në ar, si garanci për kontratën që po negociohet me qeverinë nga z. E.S. Sheffild. Ju mund të informoni qeverinë e Shqipërisë për procedurën dhe të këshillojnë Departamentin në lidhje me aksionin që duhet të ndërmarrë.

Hughes

***

Sekretari i Shtetit për ambasadorin në Itali (Child)

Uashington, 2 mars 1923

Ju jeni informuar në rrugë shumë konfidenciale se ambasadori italian i ka sugjeruar Departamentit që të ndërmerret një aksion i simuluar me Italinë dhe Francën për të parandaluar një monopol nga “Persian Oil Company” mbi resurset naftëmbajtëse në Shqipëri. Në përgjigje të këtij sugjerimi, Departamenti informon ambasadorin se ministri amerikan në Shqipëri është instruktuar të informojë qeverinë shqiptare në mënyrë diskrete, se dhënia e çdolloj monopoli koncesionar, i cili do të shkelte principet e “Dyerve të Hapura”, do të shkaktonte një përshtypje tepër të pafavorshme dhe mund të ndikonte ekstremisht në marrëdhëniet e ardhshme tregtare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori gjithashtu është informuar se ndërsa ministri amerikan do të bashkëpunojë pa dyshim me kolegun e tij italian e atë francez në këtë çështje, ai do të bëjë edhe ndërhyrje të pavarura te qeveria shqiptare.

Hughes

***

Sejfi Vllamasi: Monopolin po ua jepnim britanikëve për të mirën e atdheut!

Në veprën e tij, “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942”, ndërsa flet më në detaj rreth çështjes së monopolit të koncesionit të vajgurit, në vitin 1923, në kohën kur ai vetë kishte qenë ministër i Punëve Botore, Sejfi Vllamasi, një dishepull i Fan Nolit dhe më pas kundërshtar në ekzil i Mbretit Zog, thekson se si qeveria, ashtu dhe shumica parlamentare e kohës, që mbahej nga Partia Popullore, mbështesnin monopolin britanik, por për shkak të interesave të ngushta politike, miratimi i kësaj çështjeje në Asamblenë Kombëtare dështoi. Ai nuk kursen me këtë rast as Nolin e sidomos Zogun, por edhe eksponentë të tjerë të kohës si Qazim Koculi, të cilit i kërkonte llogari edhe shumë vite më vonë për atë që kishte bërë opozita e kohës në lidhje me këtë çështje. Më vonë ai shkruan se edhe vetë amerikanët në vitet ’30 kishin shfaqur një lloj mirëkuptimi për favorizimin që qeveria shqiptare e kohës u kishte bërë britanikëve, duke pasur parasysh impaktin e madh që Londra kishte në fatet e tyre dhe një lloj mosangazhimi të shpallur të SHBA në atë kohë për çështjet evropiane. Në parim, Vllamasi thotë se të gjitha palët ishin pro britanikëve, pasi po tentohej që Londra, si pasojë e eksperiencave negative të së shkuarës, të shkëputej nga mbështetja apriori ndaj fqinjëve grabitqarë të Shqipërisë e të kthehej në një avokate të Tiranës në arenën ndërkombëtare, duke justifikuar kështu monopolin që siç rezulton nga dokumentet e kohës, ishte një çështje vërtet shumë e rrahur në mjediset politike të kohës.