LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Rreth 400 milionë euro investim për ngrohtoret qendrore, pa u ndotur ambienti

Lluka: Rreth 400 milionë euro investim për ngrohtoret qendrore, pa u ndotur ambienti

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka shprehur gëzimin për vendimin në favor të kërkesës në lidhje me ngrohtoret qendrore.

“Jam shumë i gëzuar që është vendosur në favor të kërkesës sonë që të financohet studimi i fizibilitetit dhe studimi mbi ndikimin ambiental dhe social për ngrohtoret qendrore të të gjitha komunave kryesore të Kosovës, si pjesë e Korinzës Investuese për Ballkanin Perendimor (WBIF), financuar nga Banka Investuese Evropiane”, është shprehur Lluka.


Ai ka përmendur kalkulimet sipas së cilave investimi i kërkuar për ngrohtoret duhet të jetë 400 milionë euro.

“Ëndërroj të shoh të gjithë Kosovën të mbuluar me ngrohtore qendrore. Kjo jo vetëm që përmirëson ajrin dhe stabilitetin energjetik në vend, por dukshëm përmirëson kualitetin e jetës për qytetarët tanë. Disa kalkulime fillestare tregojnë që investimi i kërkuar për të gjitha ngrohtoret është rreth 400 milionë EUR . Kjo pritet të konfirmohet nga ky studim që ka marrë aprovim dhe që do të përcaktoj se me çfarë lënde djegëse mund të funksionoj”, ka thënë Lluka.

Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) është një strukturë e përzier e përbashkët e Komisionit Evropian, Institucioneve Financiare pjesëmarrëse (FI), donatorëve bilateralë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ofruar fonde për projektet strategjike të investimeve në vendet përfituese. /Telegrafi