LAJMI I FUNDIT:

Lloga: Ardhja e komisionit vlerësues nga BE është shuplakë për gjyqësorin

Lloga: Ardhja e komisionit vlerësues nga BE është shuplakë për gjyqësorin

Misioni i paralajmëruar mbikëqyrës nga BE për zhvillimet në Këshillin gjyqësor, është ditë e zezë dhe një shuplakë për gjyqësorin në Maqedoni. Kështu vlerëson Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë, duke theksuar se në institucionin më të lartë, i cili sjell në disiplinë gjykatësit për shkelje dhe shkarkon të njëjtit ka pasur veprime të padenja.

“Për të njëjtën do të duhet të ketë një mision vlerësues nga BE për të na treguar se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë është duke ndodhur dhe kjo është një shuplakë për gjyqësorin në Maqedoni dhe kjo me një fjalë na turpëron të gjithë ne, sepse vetëm para pak ditësh kam marr procesverbalin ku konstatohen të gjitha ato shkelje”, bëri të ditur Lloga.

Procesverbali përmban 110 faqe dhe në të janë shtrirë shumë detaje, që sipas Llogës janë të panevojshme dhe qesharake, ndërsa vlerëson se kjo ka për qëllimi të mbulohet ana procedurale me diskutime të pavlera që janë bërë në këshillin gjyqësor.


“Në procesverbal mund të konstatohen të gjithë ato shkelje të cilat edhe u thanë gjatë atyre ditëve kur ndodhi edhe shkarkimi, emërimi, votimi, mosvotimi. Vërtetohet në procesverbal ajo se gjithçka ka qenë një procedurë e cila nuk është as transparente dhe as e rregullt”, tha më tej Lloga.

Ministri i Drejtësisë është skeptik për veting në drejtësi, pasi nuk dëshiron ta zhvillojë këtë process pa praninë e ndërkombëtarëve, ndërsa të njëjtit refuzojnë të përfshihen.

“Mos harroni se Maqedonia me asistencë më të fuqishme ndërkombëtare të SHBA dhe vendeve tjera perëndimore dështoi në Prokurorinë speciale publike në vend dhe ata panë që edhe përtej investimit të tyre milionash në vlerë monetare por edhe nëse e përkthejmë në atë kadrovike institucionale ranë poshtë dhe absirudi ishte se Prokuroria themelore futi në burg Prokurorinë speciale. Maqedonia ka dhënë shembuj për keq dhe normalisht që çdo kush do të kishte qenë refuzues”, u shpreh më tej Lloga.

Lloga shtoi se të gjithë përfaqësitë diplomatike të shteteve më të fuqishme, përfshirë këtu edhe BE-në kanë rezerva për realizimin e procesit të vetingut./TV21/