Liverpooli nuk ndalet – pas transferimit të Hugo Ekitike, priten edhe lëvizje të tjera

Liverpooli nuk ka ndërmend të mbyllë aktivitetin në tregun e transferimeve, pavarësisht se ka siguruar nënshkrimin e sulmuesit Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt.
Sipas raportimeve të fundit, klubi anglez ka arritur marrëveshje me skuadrën gjermane për një shumë prej rreth 93 milionë eurosh (me bonuse të përfshira), ndërsa sulmuesi francez është në fazën finale të transferimit – përfshirë testet mjekësore dhe nënshkrimin e kontratës.
Kjo blerje e çon shifrën totale të investimeve të “The Reds” këtë verë në afro 350 milionë euro.
Por sipas gazetarit të besueshëm Fabrizio Romano, Liverpooli nuk ka përfunduar ende. Klubi nën drejtimin e trajnerit të ri Arne Slot është në kërkim të përforcimeve të mëtejshme, sidomos në repartin defensiv.
Largimi i Jarell Quansah drejt Bayer Leverkusen dhe situata e pasigurt rreth kontratës së Ibrahima Konaté, i cili ka vetëm një vit të mbetur, e bëjnë të domosdoshme afrimin e një qendërmbrojtësi të ri.
Emra si Marc Guehi (Crystal Palace), Illia Zabarnyi (Bournemouth) dhe Charlie Cresswell (Toulouse) janë në radarin e klubit nga “Anfield”.
Ndërkohë, në repartin ofensiv mund të ketë zhvillime të tjera. Luis Diaz dhe Federico Chiesa mund të largohen gjatë kësaj vere, dhe nëse njëri apo të dy transferohen, Liverpooli do të duhet të rikthehet në treg për të siguruar një tjetër sulmues anësor.
“The Reds” duken të vendosur për të ndërtuar një skuadër konkurruese nën drejtimin e Arne Slot – një verë e nxehtë pritet ende në “Anfield”. /Telegrafi/



















































