LAJMI I FUNDIT:

Lituania, Letonia dhe Gjermania largojnë diplomatë rusë

Lituania, Letonia dhe Gjermania largojnë diplomatë rusë
(Foto: The Kyiv Indipendent)

Lituania ka njoftuar se ka dëbuar ambasadorin rus në Vilnius dhe ka kërkuar ambasadori i saj në Moskë të kthehet në shtet, si reagim ndaj raportimeve se forcat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në qytetin ukrainas, Bucha.

“Lituania qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas, të cilët janë viktimë e agresionit të paprecedent të Rusisë. Prandaj, ne po ulim nivelin e përfaqësimit diplomatik të Rusisë”, citon REL ministrin e Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis.

“Fatkeqësisht, ajo që bota pa në Buça mund të jetë vetëm fillimi. Ne do të jemi në gjendje të gjejmë dëshmi të krimeve të tjera të luftës në qytete të tjera kur ato të çlirohen. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë nuk do të harrohen”, ka shtuar ai.

Fotografitë e publikuara kanë shfaqur trupat e disa civilëve të vrarë të cilët kanë pasur duart e lidhura pas shpine. Këto skena kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe për ndjekjen penale të keqbërësve.

Pasi Lituania njoftoi për dëbimin e ambasadorit, Letonia tha se “po zvogëlon raportet diplomatike me Federatën Ruse” për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe Qeveria gjermane shpalli 40 diplomatë rus si “persona të padëshiruar”.

Ministria e Jashtme e Letonisë tha se do të japë më shumë detaje për këtë lëvizje, pasi të kenë përfunduar “procedurat e brendshme”.

Pas publikimit të imazheve rrëqethëse nga Bucha, Biden e ripërsërit se Putin është kriminel lufte: Ai njeri është brutal
Lexo po ashtu Pas publikimit të imazheve rrëqethëse nga Bucha, Biden e ripërsërit se Putin është kriminel lufte: Ai njeri është brutal

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Qeveria gjermane ka vendosur që të shpallë “një numër të madh të pjesëtarëve të Ambasadës ruse si persona të padëshiruar, pasi ata që kanë punuar çdo ditë në Gjermani kundër lirisë sonë dhe kundër kohezionit të shoqërisë sonë. Kjo nuk do të tolerohet më”, ka deklaruar ajo.

Vendimi i Berlinit i është bërë i ditur ambasadorit rus, Sergei Nethayev, i cili është thirrur në bisedë në Ministrinë e Jashtme – ka shtuar ministrja gjermane. Personat e shpallur “non grata” do të kenë kohë pesë ditë që të largohen nga Gjermania.

Këta diplomatë dyshohet se janë pjesëtarë të shërbimeve të inteligjencës ruse.