LAJMI I FUNDIT:

Lirohet nga QKUK-ja terroristi serb që u plagos në Banjskë, dërgohet në paraburgim

Lirohet nga QKUK-ja terroristi serb që u plagos në Banjskë, dërgohet në paraburgim

Serbi Vladimir Tolic, i cili ishte plagosur gjatë sulmit terrorist në veri, është liruar nga Klinika e Ortopedisë së QKUK-së në Prishtinë.

Pas lirimit nga spitali, Tolic është dërguar në qendrën e paraburgimit.


Ndaj tij Prokuroria Speciale ka dyshime të bazuara mirë se është pjesëtar i një grupi terrorist dhe po dyshohet për vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kryerje të veprave terroriste për sulmin ndaj Policisë, të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Atij i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprat penale “Kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës” dhe “Kryerja e veprave terroriste”.

Sipas kërkesës së PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit, Vladimir Tolic dhe Blogoje Spasojevic janë të përfshirë direkt në vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e zyrtarit Alban Rashiti.

“Me një grup personash, ende të paidentifikuar, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme, me ç’rast afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor, Alban Rushiti”, thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

Sipas dosjes, i dyshuari tjetër, Dusan Maksimovic, vetëm 27 vjeç, me dashje iu ka ofruar ndihmë, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast./Telegrafi/