LAJMI I FUNDIT:

Liria nuk jetohet vetëm

Liria nuk jetohet vetëm
-->

Atdheu ynë është njerëzimi. Çdo frymëmarrje, njerëzore apo shtazore, çdo jetë vegjetale, çdo gur, çdo centimetër dhé, apo çdo litër ujë, na përkasin. Zoti i ka krijuar për ne.

Ne kemi ardhur në këtë planet, nuk e kemi zgjedhur. Të tjerë e kanë zgjedhur për ne që të ekzistojmë.

Ne të krishterët besojmë se nuk kemi ardhur rastësisht e se nuk jemi “të hedhur” në ekzistencë, por të thirrur në ekzistencë. Jeta është një vokacion. Ne mund të zgjedhim vetëm se si duam ta banojmë tokën, si përgjigje ndaj një vokacioni.

Çdo gardh, çdo mur, çdo rrethim, apo çdo pengesë që ne krijojmë rreth unit tonë, apo rreth hapësirës tonë gjeografike apo ekzistenciale, përshpejton vdekjen tonë, sidomos atë morale. Ato janë burgu ynë, ku ne humbim lirinë. Njeriu egoist është i burgosuri i vetvetes, i cili është burgu më i egër.

Dinamika centripete e unit i pret njeriut fijet e relacionit, për çka njeriu edhe është krijuar. Vetëm një relacion i hapur me njeriun dhe me të Përtejmen, sensi i njerëzimit ku ne përkasim pavarësisht ngjyrës së lëkurës, përkatësisë religjioze, bindjes politike, shtresës sociale, orientimit seksual, suksesit ekonomik, koeficientit intelektual, na bën njerëz vërtet të lirë.

Liria jetohet e plotë vetëm si liri relacionuese. Shprehja “liria ime përfundon ku fillon ajo e tjetrit”, i shkon për shtat vetëm një lirie egoiste dhe si e tillë është e pjesshme. Liria ime bëhet e plotë, kur kërkon edhe lirinë e tjetrit dhe bëhet “liri bashkë me tjetrin”, madje, kur është liri në shërbim të lirisë së tjetrit..

Vetëm, nuk mund të jemi të lirë …