Lindsey Buckingham ka folur për marrëdhënien e tij me Stevie Nicks, duke konfirmuar se mes tyre ka pasur një pajtim pas dekadash të mbushura me tensione dhe mosmarrëveshje.

Ish-çifti dhe ish-anëtarët e Fleetwood Mac kanë kaluar vite të vështira pas ndarjes së tyre romantike.


Buckingham, 76 vjeç, dhe Nicks, 78 vjeç, ishin në një lidhje nga viti 1972 deri në vitin 1976, ndërsa marrëdhënia e tyre e ndërlikuar ndikoi edhe në dinamikën e grupit për shumë vite, shkruan DailyMail.

Megjithatë, duket se gjërat kanë ndryshuar. Gjatë një eventi të Variety në Hollywood, Buckingham tha se ai dhe Nicks tashmë komunikojnë rregullisht.

“Stevie dhe unë po flasim gjithë kohës tani”, u shpreh muzikanti, duke shtuar se kjo është një zhvillim i rëndësishëm për historinë e tyre.

Dyshja kanë punuar sërish së bashku në dokumentarin e ardhshëm të Apple TV+, “Fleetwood Mac: Rumours and Revelations”, dhe Buckingham beson se ky projekt ka ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënies së tyre.

“Procesi i krijimit të kësaj ka qenë shumë shërues për të gjithë ne”, tha ai, duke pranuar se në vitin 2019 gjërat mes tyre nuk ishin në një pikë të mirë. Sipas tij, konfliktet e së kaluarës tashmë janë “shëruar dhe zgjidhur”.

Buckingham dhe Nicks u njohën që në shkollë të mesme dhe më vonë krijuan dyshen muzikore Buckingham Nicks, përpara se t'i bashkoheshin Fleetwood Mac.

Ata u bënë pjesë e një prej formacioneve më të suksesshme të grupit dhe kontribuuan në albumin legjendar “Rumours”.

Pavarësisht lidhjes së tyre të ndërlikuar, vitet e fundit kanë sjellë shenja të një afrimi të ri.

Në verën e vitit 2025, dyshja ndezën spekulimet për një ribashkim pasi publikuan në rrjetet sociale vargje nga kënga e tyre “Frozen Love”, duke lënë të kuptohej se një kapitull i ri mund të kishte nisur mes tyre. /Telegrafi/