Lidhja e Bizneseve të Kosovës i ka bërë thirrje ministrit që, në vend të deklarimeve politike, të fokusohet në bashkëpunim dhe mbështetje për prodhuesit vendorë.

“Ministër, eja t’i vizitojmë bashkë prodhuesit tanë. Eja të ulemi me ta, t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, të shohim investimet që kanë bërë dhe të kuptojmë se çfarë u nevojitet për të rritur edhe më tej cilësinë dhe konkurrueshmërinë”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës.


Kjo organizatë ka theksuar se nuk është kundër kontrolleve, inspektimeve apo trajtimit profesional të produkteve, veçanërisht atyre ushqimore, duke nënvizuar se siguria e konsumatorit dhe cilësia duhet të jenë prioritet i përbashkët.

Megjithatë, Lidhja e Bizneseve ka kritikuar mënyrën e komunikimit publik të çështjeve që lidhen me prodhuesit vendorë, duke thënë se deklarimet politike krijojnë një perceptim të panevojshëm se produktet vendore janë të pasigurta.

“Jemi kundër pompozitetit, deklarimeve politike dhe mënyrës së komunikimit që krijon një perceptim sikur prodhimi vendor në Kosovë është i pasigurt dhe se prodhuesit tanë duhet të trajtohen si problem”, thuhet në reagim.

Lexoni më poshtë reagimin e Lidhjes së Bizneseve:

Ministër, eja t’i vizitojmë bashkë prodhuesit tanë.

Eja të ulemi me ta, t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, të shohim investimet që kanë bërë dhe të kuptojmë se çfarë u nevojitet për të rritur edhe më tej cilësinë dhe konkurrueshmërinë.

Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, dua të jemi shumë të qartë: nuk jemi kundër kontrollit, inspektimit apo trajtimit profesional të produkteve, veçanërisht të produkteve ushqimore. Përkundrazi, siguria e konsumatorit dhe cilësia e produkteve duhet të jenë prioritet i përbashkët i të gjithëve.

Por jemi kundër pompozitetit, deklarimeve politike dhe mënyrës së komunikimit që krijon një perceptim sikur prodhimi vendor në Kosovë është i pasigurt dhe se prodhuesit tanë duhet të trajtohen si problem.

Sot është krijuar një klimë e panevojshme dyshimi ndaj prodhimit vendor. Në vend që të ndërtojmë besim te produktet tona, po krijohet përshtypja se, në çdo situatë, fokusi është tek nxjerrja e prodhuesit vendor në një pozicion mbrojtës.

Ministër, çështjet profesionale, laboratorike dhe rezultatet e analizave duhet të flasin përmes institucioneve kompetente, laboratorëve dhe raporteve zyrtare – jo përmes pompozitetit politik.

Kur çështjet teknike dhe laboratorike komunikohen në mënyrë politike, pa u prezantuar qartë faktet, procedurat dhe rezultatet e plota, pasoja është vetëm një: rritja e dyshimit te konsumatori dhe dëmtimi i reputacionit të prodhuesit.

Dhe kjo është e papranueshme.

Ne nuk duhet ta ndërtojmë ekonominë tonë duke krijuar frikë nga produktet vendore. Duhet ta ndërtojmë ekonominë duke krijuar besim tek ato.

Si përfaqësues të bizneseve dhe prodhuesve të Kosovës, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në çdo proces profesional, transparent dhe institucional, në mënyrë që çdo çështje të trajtohet sipas ligjit, standardeve dhe procedurave profesionale.

Por njëkohësisht, duhet të krijojmë një klimë pozitive për prodhuesit tanë.

Sepse prodhuesit tanë nuk janë vetëm biznese.

Janë vende pune.Janë investime. Janë familje. Janë eksport. Janë ekonomi. Janë imazh i Kosovës.

Nëse dalim dhe i vizitojmë kompanitë tona prodhuese, do të bindemi se shumë prej tyre kanë investuar në infrastrukturë moderne, teknologji bashkëkohore dhe standarde që mund të konkurrojnë denjësisht me kompani në vendet e Bashkimit Evropian.

Prandaj, prodhuesit tanë janë krenaria jonë.

Ata që eksportojnë produktet e Kosovës në tregjet ndërkombëtare janë ndër ambasadorët më të mirë ekonomikë të Republikës së Kosovës.

Ministër, eja t’i vizitojmë bashkë prodhuesit tanë.

Eja të ulemi me ta, t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, të shohim investimet që kanë bërë dhe të kuptojmë se çfarë u nevojitet për të rritur edhe më tej cilësinë dhe konkurrueshmërinë.

T’i mbështesim. T’i ndihmojmë. T’i promovojmë. T’u hapim tregje. T’i inkurajojmë për investime të reja.

Kontrolli dhe standardet janë të domosdoshme. Por kontrolli duhet të shkojë paralelisht me mbështetjen, edukimin, promovimin dhe zhvillimin e prodhimit vendor.

Kosova nuk ka nevojë për një luftë mes institucioneve dhe prodhuesve.

Kosova ka nevojë për partneritet.

Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, e kemi dhe do ta kemi gjithmonë derën e hapur për bashkëpunim institucional.

Jemi të gatshëm të ulemi, të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë bashkë për një qëllim të vetëm:

prodhim vendor më të fuqishëm, cilësi më të lartë, më shumë vende pune, më shumë eksporte dhe një ekonomi më të fortë të Republikës së Kosovës.

Prodhuesi vendor duhet të jetë partner i shtetit, jo objekt i sulmeve dhe dyshimeve politike.