LAJMI I FUNDIT:

Libër i Berishës për kulturën e rezistencës

Libër i Berishës për kulturën e rezistencës
Ibrahim Berisha

Botuar nga PEN Qendra e Kosovës, këto ditë doli nga shtypi libri i sociologut dhe shkrimtarit Ibrahim Berisha, me titullin “Kultura e rezistencës: Shkrimtarët 1988”. 

Nocionet themelore, që në titull të librit, japin shenjë për përmbajtjen. Është viti i thyerjes së madhe në Kosovën që po rrëshqiste në dramë, prandaj kërkohen akterët e rinj. Kështu, nga paqja e letrave, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës barten në rezistencë të hapur – artikuluar kjo si kulturë e rezistencës apo kulturë politike e angazhuar.


Berisha shkruan se në kulm të konfrontimeve, shkrimtarët serbë dhe shqiptarë takohen në Beograd, duke hapur një faqe të njohur të konflikteve intelektuale – me vlerësimin publik, në përfundim, se shkrimtarët shqiptarë e fituan këtë betejë kulturore. Prandaj, nuk ndodhi në Prishtinë biseda e dytë e planifikuar, për arsye të refuzimit të shkrimtarëve serbë.

Profili intelektual, kulturor dhe politik i shkrimtarëve shqiptarë është shfaqur gjerësisht në debatet që u zhvilluan për ndryshimet kushtetuese më 1988, kur hegjemonizmi serb kishte krijuar trajektoren e shkatërrimit të autonomisë së Kosovës. Përmbajtja e këtyre debateve sintetizohet më 28 tetor 1988. Janë këtu konceptet kulturore, intelektuale e diskursive, po edhe normative e politike, të shkrimtarëve: Ibrahim Rugova, Din Mehmeti, Agim Vinca, Behram Hoti, Rexhep Zogaj, Milazim Krasniqi, Ajri Begu, Ibrahim Berisha, Mehmet Kajtazi, Rrustem Berisha, Beqir Musliu, Rexhep Ismajli, Azem Shkreli, Basri Çapriqi, Zejnullah Rrahmani, Rushit Ramabaja, Haxhi Vokshi, Ali Podrimja, Jusuf Buxhovi, Qerim Ujkani, Vehap Shita … Libri përqendrohet pikërisht në këtë debat që shpalos përmasën e vendosmërisë së intelektualëve shqiptarë për t’u përballur, apo edhe për të dalë në ballë të proceseve dhe të rezistencës kundër dhunës politike dhe fizike të qeverisë serbe.

Sipas autorit, botimi i diskutimeve – renditja e tyre nga shiriti i magnetofonit, ashtu siç kishte ndodhur, dhe përmbajtja e plotë e ruajtur në Arkivin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – tregon se shkrimtarët ishin epiqendra e mendimit intelektual, kulturor dhe politik për proceset që pasuan, duke krijuar një vizion dhe program të kthjelltë pragmatik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

/Telegrafi/