LAJMI I FUNDIT:

Letër Ivica Daçiçit

Fort i brengosur…

Po të shkruaj nga famullia e Shën Rrokut në këtë verë të vonë pa të rëna shiu…po të shkruaj në kohën kur kujtimet nuk na kanë lënë dhe duke menduar, shi pikërisht në këtë kohë dhe motë të ligë historik për të mbledhur copat e fundit të kufomave të “aktorëve” të dikurshëm që ju më shumë se askujt tjetër ju kujtohen shumë bukur, biles keni pas nderin historik që t’i përmendni për ç’do natë të lume të zotit në mënyrë brilante sa asnjë mendje artistike në formë fiksioni nuk do të mund të ndërtonte tregime fantastike dhe fiktive si shkëlqesia juaj për hesap të regjimit mizor të Millosheviqit.


Një natë të këtyre kohëve kur në famullinë e Shën Rrokut jemi të brengosur për të tjera gjëra dhe trenat kanë ecur u befasova paksa kur më doli para syve në ekranin e vogël fotografia juaj, nuk ishe më ai djali “heroik” që të masakruarit e fushave të Kosovës, që ti ende po e quajshe edhe “Metohi” i përshkruaje si “aktor të maskuar të NATO-s”. Kishe kaluar fusha dhe male dhe ishe bërë diplomat dhe “demokrat”. Për të lumin zot që vranë dhe kthjellë unë me tërë vogëlsinë time tani e mora vesh këtë kalim epokal që paskeni bërë, megjithëse më duhet të pranoj se katarza në thellësinë e shpirtit njerëzor është e dobishme, megjithatë roli juaj për të përshkruar tërë tragjedinë e Ballkanit sipas variantit serb është një kryq Krishti që nuk mund të kalohet… Përse nuk e paramendoni tragjedinë e Ballkanit në formë të Kalvarit biblik që e përjetuan popujt e Ballkanit dhe të bëheni ekstra të mençur njëherë e përgjithmonë dhe t’i jepni “Cezarit ç’ka i takon Cezarit” dhe “Zotit ç’ka i takon Zotit”.

Tregimi juaj për Kosovën dhe Ballkanin është i sheqerosur, përsëri i referoheni fitilave të luftës së mundshme, por tani në rolin e një “paqësori” të konvertuar që kërkon të luaj me letrën e fundit të nacionalizmit serb. Ju thoni se “kroatët janë më të pakënaqurit me marrëveshjen e Dejtonit, serbët nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovën e pavarur, ndërsa shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në Serbi, ka një numër shtetesh të fuqishme që e kanë njohur Kosovën, por ka edhe një numër shtetesh përcaktuese në OKB që nuk e kanë njohur, bisedimet duhet të vazhdojnë dhe ndarja është në tavolinë…”. Ky është opsioni politik serb, i cili është duke u gatuar shumë më parë se marrëveshja për një pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës, këtij opsioni i kundërvihen argumente bindëse politike.

Po përmendim vetëm disa se Kosova nuk bënë të ndahet. Argumenti i parë, Kosova ka dalë nga dezintegrimi i ish Jugosllavisë me të drejta kushtetuese dhe juridike nga kushtetuta e vitit 1974, deri tek avancimi politik i rendit kushtetues të Kosovës ka ardhur me një luftë në të gjitha fushat në mes të një kolonie të shtypur mizorisht dhe një republike shtypëse, këtë po e them për shkak se në Serbi ekziston një opinion po ashtu i sheqerosur se Kushtetuta e vitit 1974 është “dhuratë e Titos”, më pas Kosovën e ka pritur aparteidi, dhuna, tmerri dhe lufta shkatërruese deri në gjenocid në kohën kur zëdhënës i këtij regjimi mizor dhe gjenocidal ishte kush tjetër pos jush z. Dacic.

Dëshiroj në këtë kohë të tregoj se ç’kuptim kanë bisedimet me shtetin tuaj për Kosovën, një tregim që lidhet me ju dhe me kohën kur zbulonit “aktor të maskuar të NATO-s”, të cilët me një planifikim makabër deri në detaje u ekzekutuan nga regjimi zëdhënës i të cilit ishit pikërisht ju…Në Ballkan kur flitet për masakra të organizuara si Srebrenica apo Meja flitet për një mëngjes, grumbullime të meshkujve të rajonit, te shkolla, koperativa bujqësore, kodra apo livadhe të kumbullave. E kur jemi tek livadhi i kumbullave shumë nga trupat e regjimit të Milloshevit pinin raki kumbullash pranë kufomave të viktimave civile që i kishin ekzekutuara më parë.

Është një fshat i vogël 3 km larg Gjakovës i quajtur Meje i cili me 27 prill 1999 u bë sinonim i një masakre të tmerrshme, më e madhja në luftën e Kosovës ku u ekzekutuan saktësisht 377 shqiptarë etnik nga 15 fshatra të rrethit të Gjakovës shtëpi për shtëpi nga mosha 15 vjeçare, dhe në këtë kohë zëdhënës lufte i regjimit ishit ju z. Dacic dhe e mbrojtët me devotshmëri mahnitëse këtë krim, ju njoftoj publikisht se ne këto fshatra nga secila familje dhe shtëpi u vranë deri edhe nga 25 meshkuj civilë dhe të paarmatosur. Atë natë apo të nesërmen ti dole në media dhe i quajte 377 meshkujt e vrarë shqiptarë dhe të gjuajtur në grumbuj plehu pranë varrezave katolike të Mejes si “aktorë të maskuar të NATO-s”.

Kur jemi tek livadhi i kumbullave, është një livadh i tillë që të kujton tmerret ballkanike, pranë shtëpisë së Kristë Sokolit në Meje, është livadhi i kumbullave, por më nuk ka kumbulla, sepse nuk ka kush për t’i vjelë. Të zotin e shtëpisë së bashku me vëllezër atë mëngjes trupat tuaja z. Dacic e ekzekutuan mizorisht në prani të syve të nënës. Dajën tim 25 vjeçar Antonin së bashku me 25 meshkuj nga fshati i tij e dërguan nën kërcënimin e armëve dhe shkopinjve të bejsbollit në këtë livadh dhe e ekzekutuan së bashku me Sheh Ramën… Kur trupat e juaja ikën një ditë qershori, kapelën e Sheh Ramës dhe kryqin e Antonit e kam gjetur në këtë vend si të vetmet relikte që kishin mbetur pasi edhe gjakun e viktimave e kishin fshirë romët e detyruar me ujë Ereniku, më duhet ta pranoj botërisht se kam qarë shumë pasi edhe trupat e viktimave i kishit vjedhur dhe dërguar në Batajnicë afër Beogradit. Tashmë janë varrosur shumica e tyre në grupe dhe konvoje në rreth 20 rivarrime të mëdha po edhe ca copa kufomash…ndoshta edhe një asht i dikujt ka mbetur ende diku…kanë mbetur gjurmët dhe kujtimet…

Sipas shënimeve edhe të Tribunalit të Hagës në këtë masakër kanë marrë pjesë Ushtria jugosllave, policia, beretat e kuqe, trupat e Arkanit dhe Sheshelit, njësi ruse të paguara, huliganë burgjesh të droguar dhe fqinjë të maskuar… Ekziston edhe vija me e qartë komanduese nga secila masakër në hapësirat e ish Jugosllavisë sipas Fondit për të Drejtën humanitare, por z.Dacic ende askush nuk është arrestuar për këtë masakër të tmerrshme!. A keni fytyrë dhe mundësi që tani si i konvertuar në “demokrat”, ministër policie dhe zv.kryeministër t’i arrestoni kolegët e dikurshëm që kanë vra dhe pre “aktorë të maskuar të NATO-s” me gjuhën tuaj të dikurshme, që kanë kryer një krim mizor, kanë vrarë meshkujt e 15 fshatrave të një qyteti nga mosha 15 vjeçare…Kanë “merita historike” për të hyrë në antologjinë e Hitlerit…

Dikund këtu duhet të përfundojnë bisedimet e mundshme Kosovë-Serbi. Këtu është kufiri i veriut të Mitrovicës…Por kjo duhet të kuptohet nga të gjithë si shansi i fundit para lojës me zjarrin…

Nga famullia e Shën Rrokut,
Në muaj të gushtit 2010

Në trend

Më shumë
Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Premier League
Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Jehona Hulaj
Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bundesliga
Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Boks
Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Boks
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Kalo në kategori