LAJMI I FUNDIT:

Lekë Tasi pas 44 vitesh i ekspozon vizatimet e bëra fshehtas si internuar në Grabjan

Lekë Tasi pas 44 vitesh i ekspozon vizatimet e bëra fshehtas si internuar në Grabjan
Lekë Tasi (foto: Agron Shala, 2019)

Dyzet e katër vjet më parë, teksa ishte në internim, Lekë Tasi do ta mbante një ditar pamor vizatimesh ku përjetëson portrete e peizazhet nga ditët në Grabjan të Lushnjës. “Barakat përballë” janë vizatime që vijnë para publikut për herë të parë, kur kujtesa koletkive i mohon fatet si të tijat dhe tri dekadat e pluralizmit i kanë fshirë gjurmët e asaj që ndodhte në jetët si të tijat.

“Janë punime nga 1970-1990. Të fshehta sepse kisha favorin të mos quhem piktor e të mos marr pjesë në realizmin socialist. Kështu janë ruajtur. Mendoj se është një mënyrë e re për atë kohë”, thotë Tasi.


Muzikanti që u çua në internim pas dënimeve të babait e xhaxhait, do ta mbante ditarin pamor duke fiksuar portrete viktimash e persekutorësh, duke dashur të japë tablonë e plotë të një vendi ku populli u nda në një luftë të përditshme, nën një regjim që e vendoste vetë se cilët qenë heronj e cilët tradhtarë.

Ai vëren se gjithçka “ka qenë spontane”. “Syri sheh në nënndërgjegje dhe dora e gjesti bën punën e vet”, thotë Tasi.

Ekspozita e hapur nga Instituti I Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, mund të vizitohet në galerinë Zenit deri më 25 dhjetor. /BalkanWeb/