Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher – tashmë analist i njohur televiziv, beson se skuadra e Arne Slot po kalon një periudhë të thellë ndryshimesh dhe se shumë emra të mëdhenj mund të largohen së shpejti nga “Anfield”.

Carragher theksoi se ndeshjet e fundit kanë zbuluar një realitet të ri për Liverpoolin.


“Kjo është një pamje e së ardhmes së Liverpoolit – një ekip pa Alisson, Van Dijk dhe Salah. Alisson po lëndohet shumë shpesh, Van Dijk nuk është më i njëjti lojtar dominues i së kaluarës, ndërsa Salah nuk ka më atë shpërthimin dhe shpejtësinë që e karakterizonte”, deklaroi ai.

Sipas tij, mungesa e formës së tre liderëve kryesorë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e dobëta të skuadrës.

“Është shumë e vështirë të fitosh ndeshje kur figurat qendrore nuk janë në nivelin e tyre më të mirë. Liverpoolit ndoshta po i afrohet një kapitull i ri, dhe transformimi i ekipit mund të jetë i pashmangshëm”, shtoi Carragher.

Liverpooli aktualisht po kalon periudhën më të dobët në vitet e fundit, pasi ka pësuar nëntë humbje në dymbëdhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat – një statistikë alarmante që ka ngritur pikëpyetje rreth stabilitetit të skuadrës dhe të ardhmes së disa prej yjeve kryesorë.

Në mediat angleze po përflitet se drejtuesit e Liverpoolit mund të përgatitin një rindërtim të plotë në verë, me disa largime të mundshme dhe transferime të profilit të lartë./Telegrafi/

telegrafi sport app