LAJMI I FUNDIT:

“Legjenda” Agim Bahtiri më 2014 zbatoi me përpikëri thëniet e Visar Arifajt: Besoju fjalëve, jo veprave!

“Legjenda” Agim Bahtiri më 2014 zbatoi me përpikëri thëniet e Visar Arifajt: Besoju fjalëve, jo veprave!

Nga oponentët politikë ishte vlerësuar që në fillim si një mashtrues, i cili e përdor gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve të Mitrovicës për të përfituar politikisht. Në garën elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ai kishte hyrë thuajse krejt rastësisht, duke qenë një figurë krejt e panjohur në sferën politike. Premtimet e tij marramendëse dhe kritika e ashpër ndaj ish kryetarit të Mitrovicës, Avni Kastrati, pastaj edhe ndihma e ofruar nga LDK-ja në balotazh, kishin bërë që Bahtiri ta fitojë betejën për të parin e Mitrovicës.

Bahtiri gjatë fushatës njihej për premtimet e tij megalomane dhe lëvdatat për veten. Në këtë aspekt ai ishte politikani më “kreativë”, madje më shumë se kryetari lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, transmeton Telegrafi.

Gjatë fushatës Bahtiri prezantonte “investitorë” gjermanë të kultivimit të kërpudhave në zonën e Mitrovicës, që do të investonin në vlerë prej mbi 10 milionë eurove dhe do të hapnin njëmijë vende të reja pune. Në fakt, premtimet për punësime ai i vazhdimisht rriste: nga 3500 deri në 15 mijë! Bahtiri madje premtoi se televizorët do të prodhohen në Mitrovicë dhe se ekspertët do të vijnë nga Japonia e Koreja e Jugut. Po ashtu, ai ceku fabrikën tjetër për riciklimin mbeturinave, që sipas tij do të kushtojë 43 milionë euro.


Por, nga premtimet e tij për fabrika nuk doli asgjë. Madje, nga ato punësime që janë bërë, thuhet se janë familjarë të tij. Për akuzat për nepotizëm, Agim Bahtiri u arsyetua: “71 mijë banorë të Mitrovicës janë familja ime e ngushtë”!

Ndërkaq, ndaj akuzave se nuk ka punuar asgjë si kryetar i Mitrovicës, ai thotë: “Ju mendoni që nuk kam bo, po unë kam bo shumë"! Ai madje tregohet shumë “modest” dhe thotë se “do të mbetet legjendë për 50 vitet e ardhshme".

Duke mos pranuar se nuk i mban fjalët, Bahtiri nuk heziton ta japë një premtim tjetër.

“Brenda muajit do ta hapi fabrikën (e kërpudhave). E kam një plan tjetër, por nuk e tregoj se është sekret”, tha ai më 6 tetor. Por, fabrika askund!

Barrikada me zhavorr e beton mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e vendosur tre vite më parë nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr më 18 qershor rreth orës 5:00 të mëngjesit. Bahtiri nuk hezitoi të thoshte se ai ishte meritor për këtë. Por, kur barrikada nuk u hoq po u zëvendësua me atë që njihet si “Parku i Paqes”, ai bëri një kërcim: “Durimit i ka ardhur fundi. Kjo barrikadë duhet të hiqet sonte. Nëse jo, atëherë do ta shihni nesër”, ka kërcënuar Bahtiri më 21 qershor, për ta shtyrë këtë “ultimatum” për vitin 2015.

Partia e Fortë jepte premtime plot ironi, si mjeti më i fortë kundër politikës së ditës. Kryetari lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, thoshte: "Ajo që mund të them për të gjithë qytetarët që votojnë për ne është se ne premtojmë që nuk do të mbajmë asnjë premtim” apo “Qytetarët tanë duhet me i besu fjalëve tona, jo me u marrë me veprat tona”. Nëse Arifaj me këto thënie parodizonte me realitetin, Agim Bahtiri këto thënie i bëri realitet. /Telegrafi/