LAJMI I FUNDIT:

Ledion Halitaj fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Bullgari

Ledion Halitaj fiton çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Bullgari
Ledion Halitaj

Kitaristi nga Prishtina, Ledion Halitaj, ka fituar çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pleven të Bullgarisë, në kategorinë A, e cila përfshinë grupmoshën 9-11 vjeç.

Në këtë festival, që sivjet është mbajtur në mënyrë virtuale shkaku i pandemisë, Halitaj ka luajtur katër vepra klasike dhe i është nënshtruar vlerësimit të një jurie prej pesë anëtaresh. Në Festivalin e Plevenit kanë marrë pjesë kitaristë të moshave të ndryshme, nga 28 shtete të botës.


Suksesi i arritur në Festivalin e Plevenit është i treti brenda tre muajve që ka shënuar Ledioni. Muajin e kaluar, ai ka fituar çmimin e parë në kategorinë për të vegjlit në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo”, që është mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, në tetor, Halitaj ka fituar çmimin e parë të jurisë dhe çmimin e publikut në kategorinë “Junior”, në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë.

Mësimet për kitarë, Ledioni po i merr nga profesori Erhan Mujka, në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë. /Gazeta InFokus/