LAJMI I FUNDIT:

Largimi nga BE-ja mund t’i kushtojë Britanisë 100 miliardë stërlina

Largimi nga BE-ja mund t’i kushtojë Britanisë 100 miliardë stërlina

Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian mund t’i kushtojë 100 miliardë stërlina ekonomisë britanike dhe të pezullojë rreth një milion vende të reja pune, sipas një studimi të kryer nga CBI-ja, organizata kryesore e punëdhënësve në vend.

Sipas këtij studimi, realizuar nga kompania “PwC” me kërkesë të Konfederatës së Industrisë Britanike (CBI) dhe publikuar një ditë më parë, fenomeni “Brexit” do të shkaktonte “një situatë koatike mjaft serioze për ekonominë e Britanisë së Madhe, të cilës do t’i kushtonte rreth 100 miliardë strëlina (128 miliardë euro apo 145 miliardë dollarë) në dëm të prodhimit, që domethënë sa 5 për qind e PBB-së vjetore.


“Kjo analizë tregon në mënyrë të qartë mundësinë e një distancimi nga Bashkimi Evropian, i cili do të shkaktonte një goditje të rëndë për standardin e jetesës, punësimin dhe rritjen ekonomike”, deklaroi Carolyn Fairbairn, drejtoresha e përgjithshme e CBI-së, shkruan Ekonomia-ks.com.

“Edhe në rastin më të mirë, ky fakt do të shkaktonte një situatë kaotike për ekonominë e Britanisë së Madhe”, u shpreh ajo.

Fenomeni “Brexit” do t’i kushtonte Londrës përafërsisht 950.000 vende punësimi, që do të thotë se shkalla e papunësisë në vitin 2020 do të regjistrohej në një nivel 2-3 për qind më të lartë sesa në rastin kur vendi do të qëndronte në BE, referuar studimit. /Telegrafi/