Nga: Norma Cohen / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pavarësisht operacionit të gjerë luftarak që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, Kremlini është përmbajtur nga mobilizimi i plotë ushtarak dhe ka refuzuar të pranojë se është në luftë. Ka shumë arsye strategjike për këtë vendim, por dobësia e theksuar demografike po ashtu mund të jetë fajtore e pjesshme: Rusia ka lindur shumë pak foshnja që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991 – për ta mbajtur popullsinë e saj të qëndrueshme, e lëre më për të ndërtuar ushtri.

Ky trend nuk është specifik për Rusinë – për disa dekada, rënia e nivelit të lindshmërisë ka qenë karakteristikë e pothuajse të gjitha ekonomive të zhvilluara. Teksa bota është në paqe, përshtatjet e nevojshme për rritjen e jetëgjatësisë dhe rënien e lindshmërisë priren të fokusohen në politikat ekonomike dhe sociale. Siç e kemi parë në gjithë Evropën dhe në ShBA, qeveritë po rrisin moshat e pensioneve shtetërore dhe po kërkojnë mbështetje për nënat që punojnë. Lufta, megjithatë, hedh dritë tjetër te rënia e lindshmërisë.

Sipas Institutit “Max Planck” për Kërkimet Demografike, të dhënat për Rusinë tregojnë se shkalla e saj totale e fertilitetit ka rënë në rreth 1.3 foshnja për grua të moshës 15-44-vjeçare që në fillim të viteve 1990. Për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme, mesatarja kombëtare duhet të jetë afër 2.1 foshnjave. Kombet tjera që kanë rënë nën këtë prag përfshijnë Kinën dhe disa vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ukrainën – e cila i ka ndaluar burrat e moshës 18-60-vjeçare të largohen nga vendi, që nga pushtimi.

Moska është përpjekur të ndryshojë shkallën në rënie të lindjeve, përfshirë këtu programin e vitit 2007 për të ofruar shpërblime financiare për ata që kanë fëmijë. Por, Dmitri Jdanov, kreu i laboratorit të të dhënave në “Max Planck”, vëren se teksa kjo rezultoi me një rritje të lehtë të lindjeve, kryesisht i inkurajoi gratë të kenë më shpejt fëmijë të dytë pas lindjes së të parit.

Tre vjet më vonë, shqetësimet u rritën në mesin e udhëheqjes ushtarake të Rusisë se lindshmëria e ulët po bëhet çështje e sigurisë kombëtare, me gjeneral-lejtnant Vladimir Shamanov – atëherë komandant i forcave ajrore – duke e shpallur këtë si “rrezik të madh që ne nuk mund ta injorojmë më”.

Frika e Shamanovit dëshmohet nga të dhënat: derisa numri i burrave të moshës 18-27-vjeçare pritet të rritet ndjeshëm nga nivelet e dëshpërimit të rëndë deri në vitin 2035, madhësia e grupit pak më të vjetër të moshës 30-35-vjeçare do të bie me 50 për qind në të njëjtën kohë periudhë, kjo sipas një studimi të kryer në emër të Agjencisë Kërkimore të Mbrojtjes të Finlandës.

Ata të moshës kryesore të rekrutimit, 20-24 vjeç, arritën kulmin në vitin 2015 dhe filluan të bien më 2020, thotë studimi. Deficiti i fuqisë punëtore nuk do të bëhet më i lehtë pas vdekjes së të paktën 15 mijë trupave ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Kjo nuk do të thotë se shqetësimet për popullsinë kanë vepruar si ndërprerës i mobilizimit masiv ushtarak në konfliktin aktual. Julian Cooper, profesor emeritus i studimeve ekonomike ruse në Universitetin e Birmingemit, argumenton se Kremlini është shumë më i shqetësuar për efektet potencialisht turbulente sociale dhe politike në një “shoqëri kryesisht të papërgatitur që tashmë vuan nga ndikimi i sanksioneve në konsumin e tyre”.

Është e qartë se Putini po përpiqet të mbahet pas sajesës se pushtimi i Ukrainës nuk është luftë. Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore është reale. Këtë vit e hoqi moshën maksimale në të cilën burrat mund të regjistroheshin për shërbimin ushtarak, e cila më parë ishte 40-vjeçare.

Andrew Lohsen, ekspert për Rusinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, sugjeron se problem më i ngutshëm është fakti se shërbimi ushtarak është opsion jo tërheqës për të rinjtë që kanë zgjedhje më të mira. Pagat e dobëta dhe trajtimi i ashpër i rekrutëve, për dekada të tëra kanë shkaktuar frikë te aplikantët e mundshëm.

Vështirësia për shefat e mbrojtjes është se teksa lufta po vazhdon, faktorët e rinj demografikë mund t’i përkeqësojnë gjërat. Që nga vitet 1990, vdekjet kanë tejkaluar lindjet pothuajse për çdo vit, megjithëse emigracioni e ka kompensuar afërsisht gjysmën e rënies së popullsisë. Kjo është domethënëse duke pasur parasysh se të huajt e moshës 18-30-vjeçare janë lejuar të shërbejnë në ushtrinë ruse që nga viti 2015.

Një komb në luftë, duke i vuajtur problemet ekonomike, do të luftojë për të tërhequr numrin e emigrantëve të rinj që kishte në të kaluarën.

Tashti që konflikti i Ukrainës po përparon nga sulm akut në një luftë të zgjatur rrënuese, efektet e popullsisë – emigracioni i shtetasve rusë, shtypja e nivelit të lindjeve për shkak të pasigurisë politike dhe pakësimi i numrit të emigrantëve të rinj – parashikojnë telashe të mëtejshme për të ardhmen afatgjate të forcave të armatosura.

Siç paralajmëron Lohsen: “Efektet afatgjata të demografisë së një kombi duhet të merren parasysh në një luftë të gjatë”. /Telegrafi/