LAJMI I FUNDIT:

Lamtumirë Rusisë dhe doktrinës Sinatra

Lamtumirë Rusisë dhe doktrinës Sinatra
Ilustrimi nga: James Ferguson

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Urime/përgëzime që je në listën e sanksioneve të Rusisë”, lexova tekst-mesazhin e një kolegu. Kështu, kuptova se tashmë jam në listën e armiqve të Kremlinit – i ndaluar për të hyrë në Rusi.

Kur kuptova se tashmë mund ta kem mbaruar vizitën time të fundit në këtë vend, kjo më bëri të mendoj për udhëtimin tim të parë të vitit 1987. Më duket sikur Rusia e ka bërë qarkun e plotë – përsëri në autokracinë, agresionin dhe izolimin që e definonte epokën sovjetike.

Më 1987, Bashkimi Sovjetik ishte në ditët pranë vdekjes – megjithëse atë kohë ne s’e dinim këtë. Isha në Moskë për t’i mbuluar bisedimet për armatim mes ShBA-së dhe BRSS-së. Ngjarja e madhe për korrespondentët vendas ishte hapja e restoranteve të para private në vend. Gjërat po ndryshonin dhe kjo u reflektua në mënyrë pothuajse lozonjare përmes Gennadi Gerasimovit, zëdhënësit të atëhershëm sovjetik.

Ishte Gerasimovi tipik ai që më vonë e përdori një shaka për ta shpallur në fakt fundin e imperializmit sovjetik. Doktrina e Brezhnevit ishte kod për të drejtën e vetëshpallur të Moskës për të pushtuar fqinjët e vet, për t’u siguruar se ata do të rrinë në orbitën e Kremlinit. I pyetur në vitin 1989 nëse kjo ende zbatohet, Gerasimovi u përgjigj se ajo është zëvendësuar me “doktrinën e Sinatrës” – tash e tutje të gjithë do të mund ta bëjnë këtë sipas mënyrës së vet.

Ky zhvillim e tmerroi të riun Vladimir Putin, i cili atë kohë ishte agjent i KGB-së i stacionuar në Gjermaninë Lindore. Më vonë, ky me hidhërim ka kujtuar se teksa regjimi komunist i Gjermanisë Lindore shembej përreth tij, ai e kishte kërkuar mbështetjen ushtarake, por përgjigja e vetme që merr është se “Moska hesht”.

Në kohën kur nisa ta vizitoja më shpesh Rusinë – nga viti 2004 e tutje – Putini ishte në krye të vendit. Sipërfaqësisht, vendi kishte ndryshuar me të madhe. Hoteli Kombëtar afër Kremlinit – një hale e stilit sovjetik kur qëndrova atje më 1987 – ishte shumë atraktiv dhe i shtrenjtë për të qëndruar aty. Statuja e Felix Dzerzhinskyt, themeluesit të policisë sekrete sovjetike, ishte hequr prej qendrës së Moskës dhe ishte vendosur në një park të degraduar monumentesh.

Kalimi nga despotizmi në kapitalizmin e globalizuar u simbolizua nga ndryshimi i fatit të familjes së Solzhenitsynit. Aleksandr Solzhenitsyn e kishte fituar çmimin Nobel për romanet e tij për gulagët sovjetikë dhe ai u detyrua të mërgojë. Djali i tij, Yermolai, tani ishte konsulent i kompanisë McKinsey, me qendër në Moskë.

Por, fakti se kishte ndryshuar kaq shumë nga epoka komuniste e bëri shumë të lehtë anashkalimin e faktit se sa shumë gjëra mbetën të njëjta. Nën sipërfaqen e konsumit perëndimor, autokracia, dhuna dhe imperializmi ishin ende thelbësorë në mënyrën e qeverisjes së Putinit.

Kundërshtarët politikë të regjimit persekutoheshin ende dhe ndonjëherë ata vriteshin. Boris Nemtsov, liberali kryesor që e takova si në Moskë ashtu edhe në Londër, u vra brenda oborreve të Kremlinit në vitin 2015. Rusia e pushtoi Gjeorgjinë fqinje më 2008 dhe e sulmoi Ukrainën më 2014, duke e aneksuar Krimenë. Këto akte sqaruan se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij kurrë tamam s’e kishin pranuar pavarësinë e vendeve që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Vendet e tilla si Polonia, të cilat dikur ishin në bllokun më të gjerë sovjetik, shqetësohen se instinkti imperialist rus do të vazhdojë të shtrihet tek ata.

Fyodor Lukyanov, akademik i afërt me liderin rus, më tha dikur se Putini ishte i shtyrë mbi të gjitha nga frika se Rusia, për herë të parë ndër shekuj, mund ta humbasë statusin si fuqi e madhe. Me një ekonomi që renditet e njëmbëdhjeta në botë (e matur me produktin nominal të brendshëm bruto), pretendimet e mbetura të fuqisë së madhe të Kremlinit bazohen në fuqinë ushtarake të vendit dhe te armët bërthamore.

Nderimi që elita ia bënte luftës, zuri sërish vend në vitin 2014, në një bisedë në Parlamentin rus me Vyacheslav Nikonovin – anëtar i Dumës dhe nip i Vyacheslav Molotovit i cili ka qenë ministër i Jashtëm i Stalinit. Kur i diskutuam marrëdhëniet e Rusisë me vendet Bric-ut, ku përfshihet Brazili, Nikonov tha se është një problem i madh me Brazilin si aleat: “Ata nuk e kuptojnë luftën. Ata e kanë bërë vetëm një luftë në historinë e tyre”. “Dhe, kjo ishte me Paraguain”, shtoi ai me përbuzje. Sipas Nikonovit, aneksimi i Krimesë nga Putini ishte hap i moderuar: “Molotovi do ta kishte pushtuar Ukrainën dhe do ta kishte marrë brenda një jave”.

Në fakt, Putini e kishte të njëjtën arrogancë dhe agresion ndaj Ukrainës. Kjo e shtyri ta nënvlerësonte keqas rezistencën që do ta haste Rusia kur ajo e nisi pushtimin e shkallës së plotë gjatë këtij viti.

Në epokën e Putinit, si në kohët sovjetike, imperializmi jashtë vendit shkon paralelisht me shtypjen brenda vendit. Për shumë vjet, Rusia nën Putinin lejoi shumë më tepër hapësirë për mospajtime politike sesa Bashkimi Sovjetik. Kam qenë dëshmitar i demonstratave të mëdha kundër Putinit, në rrugët e Moskës më 2012 dhe më 2019. Por, Putini e ka përdorur si mbulesë operacionin e tij special ushtarak në Ukrainë për ta shuar përfundimisht çdo opozitë politike në vend. Me mijëra janë arrestuar për pjesëmarrje në demonstratat kundër luftës dhe tashmë po çmontohet lëvizja opozitare e udhëhequr nga i burgosuri Alexei Navalny.

Pushtimi rus i Ukrainës gjithashtu e ka zhytur vendin sërish në një izolim ndërkombëtar, i cili ndihet edhe më thellë se ai që u përjetua nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1987, nga Londra në Moskë fluturova me linjë direkte. Ato fluturime nuk janë më. Nuk jam optimist se së shpejti do të rikthehen. /Telegrafi/