LAJMI I FUNDIT:

Lamtumira e gjatë e Angela Merkelit

Lamtumira e gjatë e Angela Merkelit
-->

Me Angela Merkelit që ka lajmëruar se do të largohet si lidere e Bashkimit Kristian Demokratik (CDU) dhe nuk do të kërkojë rizgjedhjen si kancelare kur mandatit të saj t’i vijë fundi në vitin 2021, Gjermania po i afrohet një çasti vendimtar. Që nga viti 1949, vendi ka pasur vetëm tetë kancelarë, që do të thotë se largimi i Merkelit nuk do të jetë një ngjarje e përditshme. Për më tepër, ndryshimi në krye të Gjermanisë shoqërohet gjithmonë nga ndryshim më i gjerë politik dhe social.

Vendimi i Merkelit nuk ishte plotësisht i papritur. Pasi u zgjodh për të katërtën herë në shtator 2017, votuesit gjermanë kishin pak gjasa t’i jepnin një mandat të pestë. Njerëzit lodhen me liderët me kalimin e kohës. Edhe pa lajmërimin e saj të fundit, mund të supozohej se ky mandat ishte i fundit për Merkelin.

Por, transformimi në vazhdim i pozicionit të politikave të brendshme dhe të jashtme gjermane është më i rëndësishëm se një ndryshim në lidership. Thyerjet ndërkombëtare po tronditin bazat e demokracisë së pasluftës në Gjermani. Nën presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë Perëndimin dhe gjithçka që ai përfaqëson. Më 29 mars 2019, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE. Dhe në lindje, Kina është shfaqur si një pushtet i ri global.

Më gjerësisht, qendra e botës ekonomike po ndryshon ngadalë nga Atlantiku i Veriut drejt Azisë Lindore. Revolucioni digjital, të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën si punojmë dhe jetojmë. Dhe krizat e brendshme të BE-së jo vetëm kanë vazhduar, por janë intensifikuar, ndërsa trazirat kronike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë përfaqësojnë një rrezik të jashtëm ndaj stabilitetit të Evropës.

Këto dhe zhvillime të tjera kanë tronditur bazën, dikur të fortë të politikës së jashtme gjermane. Për vite, modeli ekonomik i vendit dhe strategjia e sigurisë janë përqendruar rreth integrimit dhe rolit të Perëndimit dhe Gjermanisë brenda BE-së. Por sfidat e sotme kërkojnë një pikëpamje tjetër strategjike. Çështja e kancelarit të ardhshëm do të jetë: “Quo vadis, Gjermani?” (Për ku po marshon, Gjermani?)

Kudo që Gjermania të jetë duke shkuar, një gjë është e qartë: tranzicioni nga Merkeli te pasardhësi i saj do të sjellë riorganizim të gjerë të sistemit partiak të vendit. Për dekada, qendra e djathtë CDU (në aleancë me Bashkimi Kristian-Social me bazë në Bavari) dhe Partia Demokratike Sociale e qendrës së majtë kanë shërbyer si dy nga garantuesit më të mëdhenj të vazhdimësisë dhe stabilitetit politik. Por, si partitë tradicionale në Evropë, CDU/CSU dhe SPD janë tani në krizë. SPD ka humbur aq shumë mbështetje sa mund të mos mbijetojë; dhe ndërsa CDU/CSU është ende forca më e madhe politike në Gjermani, ajo po përballet me një sfidë të thellë strukturore.

Që nga viti 1949, struktura “parti-motra” CDU-CSU ka lejuar vazhdimisht që ajo të sigurojë kancelarinë si bllokun më të madh partiak në koalicionet e mëdha. Por në një Gjermani të madhe dhe të ribashkuar, me shtatë parti të ndryshme që mbajnë vende në Bundestag, ky sistemim nuk duket se funksionon si dikur.

Në vitet pas zgjedhjes së parë të Merkelit si kancelare në vitin 2005, Gjermania është qeverisur nga një koalicion i përbërë nga SPD dhe të Gjelbrit (ku kam shërbyer dhe unë si zëvendëskancelar dhe ministër i Jashtëm). Gjatë asaj periudhe, Gjermania kaloi një sistemim të dhimbshëm teksa pati përshtatje të mirëqenies me realitetin e post bashkimit duke marrë parasysh papunësinë e lartë dhe gjeografinë ekonomike të re. Njëkohësisht, politika e jashtme gjermane duhej të rregullohej sipas rolit të ri të vendit në kontekstin e luftërave post-jugosllave të viteve 1990 dhe të adresohej kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Pas rënies së Murit të Berlinit, ribashkimit dhe një periudhe të gjatë papunësie dhe reformave në dukje pa fund, gjermanët kanë përjetuar mjaftueshëm entuziazëm. Kancelaria e Merkelit duhej t’i jepte fund kësaj. Pragmatizmi i ftohtë u bë rendi i ditës. Me ekonominë në lulëzim, dukej se dielli po shkëlqente dhe qiejt ishin përherë blu. Mbi gjithçka ishte “Mutti” (Mamaja) e cila kishte kontrollin dhe që i çonte gjërat në vendin e vet. Votuesit gjermanë nuk kishin shumë arsye për të mos e zgjedhur atë edhe tre herë të tjera.

Tani, ditët me diell kanë ikur. Shfaqja e një rendi të ri global përfaqëson për politikëbërësit dhe politikanët çështje të mëdha strategjike që nuk mund të injorohen apo shmangen. Në krye të tyre është pyetja se çfarë roli duhet Gjermania – dhe Evropa – të marrë në vitet e ardhshme. Një dekadë më pas, ku do të qëndrojmë ne si Evropianë dhe për çfarë do të luftojmë?

Merkel nuk ofron përgjigje të kënaqshme për pyetje të tilla. Me pragramizmin e saj të përsosur, ajo është bërë armiku më i keq i vetes. Edhe pse ka marrë vendime të mëdha – historike, ato kanë qenë bazuar në konsiderata politike të ngushta dhe afatshkurtra. Nxjerrja nga qarkullimi i impianteve bërthamore të Gjermanisë, pezullimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe përgjigjet ndaj krizës financiare të vitit 2008 ishin thjesht lëvizje taktike. Një përjashtim erdhi në vitin 2015, kur ajo mori një qëndrim moral dhe i hapi dyert e Gjermanisë për një milionë refugjatë.

Qasja e Merkelit ndaj krizës financiare rezultoi të ishte një nga gabimet më të mëdha të saj. Në atë kohë, ajo kundërshtoi një përgjigje të bashkuar evropiane, duke mbrojtur masa në nivel kombëtar dhe koordinim të dobët me qeveritë e eurozonës. I gjithë projekti evropian ka dalë nga shinat që atëherë.

Sigurisht që Merkel do të kujtohet si kancelarja e “paqes së pjesshme” dhe me gjasa si kancelarja e fundit e sistemit partiak të pasluftës në Gjermani. Por kriza e vazhdueshme e Evropës do të jetë tani pjese e trashëgimisë së saj dhe do të jetë një sfidë e vështirë për pasardhësit e saj.

Se çfarë do të vijë pas kësaj, askush nuk e di. Shumë do të varet nga vendimi nëse Gjermania, bashkë me Francën, do të vazhdojnë të ndjekin misionin evropian. /Project Syndicate/BIRN/