ASK raporton rritje vjetore të çmimeve, inflacioni në Kosovë në 6,8 për qind


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e inflacionit vjetor në muajin maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind, ndërsa krahasuar me muajin prill 2026 është shënuar një rënie prej 0,4 për qind në nivel mujor.
ASK ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në maj 2026 ishte 6,8 për qind më i lartë krahasuar me majin e vitit 2025.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori të shpenzimeve të konsumit, përfshirë transportin me rritje prej 14,1 për qind, strehimin, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe lëndët e tjera djegëse me 13,2 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhanin dhe narkotikët me 5,6 për qind.
Rritje janë regjistruar gjithashtu në restorante dhe shërbime akomodimi me 5,3 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 5,1 për qind, shëndetësi me 4,1 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 3,6 për qind, si dhe në kategori të tjera si rekreacioni, veshja dhe komunikimi.
Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e shërbimeve arsimore me 0,6 për qind.
Sa i përket ndryshimeve mujore, ASK ka bërë të ditur se në maj 2026 krahasuar me prillin 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind.
Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport me 2,0 për qind, strehim dhe energji me 0,7 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 0,2 për qind, si dhe në disa kategori të tjera me luhatje më të vogla.
Në anën tjetër, rritje mujore e çmimeve është regjistruar në pijet alkoolike dhe duhan me 0,7 për qind, shëndetësi me 0,7 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 0,6 për qind, si dhe në kategori si informacioni, veshja dhe shërbimet e restoranteve. /Telegrafi/






































