LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i RMV-së sot diskuton për zgjatjen e gjendjes së krizës energjetike

Kuvendi i RMV-së sot diskuton për zgjatjen e gjendjes së krizës energjetike

Vendimi për zgjatjen e situatës së krizës në fushën e energjisë është vënë në rendin e ditës të seancës së 86-të të sotme parlamentare.

Sipas propozimit të qeverisë, gjendja e krizës në të gjithë territorin e vendit duhet të zgjatet deri më 30 prill të vitit të ardhshëm.


Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri dje ka diskutuar për Propozim-vendimin për zgjerimin e situatës së krizës në fushën e energjisë.

Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, shpallja e gjendjes së krizës do t’u mundësojë mekanizmave që të përballen me krizën energjetike.

“Kemi mjaft argumente për të kërkuar një periudhë gjashtëmujore të krizës energjetike, sepse mendoj se qytetarët meritojnë të respektohen siç duhet me masat e duhura që të paktën mos ta ndjejnë krizën”, tha Bytyqi në seancën e djeshme të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri.

Në rast se Kuvendi vendos që situata e krizës të mos vazhdojë, theksoi Bytyqi, mundësia për të ndërhyrë në kohën e duhur do të jetë e pamundur.

Opozita akuzoi se qeveria nuk merr masat e duhura dhe në kohë për të përballuar krizën, ndërsa ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke iu përgjigjur akuzave të tilla, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të dalin me masa konkrete për tejkalimin e krizës.

Propozim-vendimi për zgjatjen e gjendjes së krizës deri më 30 prill 2023 është përcaktuar në seancën e qeverisë më 13 shtator dhe nëse kalon filtrin parlamentar, duhet të fillojë të zbatohet nga 1 tetori.

Në seancën e sotme deputetët duhet të diskutojnë për vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në zonën e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësinë e shfrytëzimit të lëndëve djegëse alternative dhe gjendjes në tregun e energjisë termike.

Në rend dite janë edhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për disiplinën financiare.