LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi ratifikon dy marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 150 milionë euro

Kuvendi ratifikon dy marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 150 milionë euro

Me 86 vota për është ratifikuar marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Agjencionit Ndërkombëtar për Zhvillim si anëtare e Bankës Botërore, lidhur me financimin e projektit emergjent COVID-19 për Kosovën.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami thotë se marrëveshja ka vlerë prej 46 milionë euro ku norma efektive e interesit është vetëm 1.20 për qind.


“Marrëveshja ka kushte shumë të volitshme krahasuar me institucionet tjera bankare pasi qëllimi i tyre është të ulin varfërinë në botë. Kredia ka afat kthimi prej 25 viteve”, tregoi më tej Hykmete Bajrami.

Marrëveshja tjetër e miratuar është ajo mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës,  në vlerë prej 100 milionë euro me afat 15 vjeçar.

Kjo marrëveshje është përkrahur me votë nga 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Norma e interesit me këtë marrëveshje do të jetë fikse dhe përcaktohet me kërkesën për disbursim dhe do të bazohet në normën e tregut dhe aplikohen në momentin e emetimit të borxhit që është obligacion i tipit “EEE”… Sidoqoftë rreziku i interesit është i ulët dhe i menaxhueshëm”, ka thënë Bajrami.

Këto marrëveshje ndërkombëtare u miratuan në unanimitet të plotë të gjitha grupeve parlamentare./Telegrafi/