Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Albulena Haxhiu pritet të jetë sërish kandidatja e kësaj partie për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se, ndonëse çështja nuk është diskutuar ende në organet e partisë, pret që propozimi të mbetet i njëjtë, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së LVV-së.


“Unë mendoj që kryetaren e Kuvendit tashmë e kemi vendosur, ajo është zonja Haxhiu. Dhe ma merr mendja që do jetë propozimi i njëjtë”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.

Duke folur për përpjekjet për tejkalimin e ngërçit politik, Konjufca tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar në takim të gjitha partitë që deri më tani ishin në opozitë.

Sipas tij, përgjigjet e shpejta ndaj këtyre ftesave tregojnë se ekziston një vullnet më i madh për të shmangur zgjedhjet e reja.

“PDK më shumë qëndron në pozicione të cilat i kemi parë më moti, ato janë pozicione të vjetra që i kemi parë dhe u shprehën edhe në takim me Kryeministrin Kurti. Sa i përket LDK-së përshtypja jonë është që përkundër herave të kaluara, kësaj here ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova”, u shpreh ai.

Konjufca theksoi se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje varen nga gatishmëria e partive për bashkëpunim.

“Opsionet që dalin në tavolinë për marrëveshje janë në përpjestim me vullnetin dhe sa më shumë ka gatishmëri për bashkëpunim rriten edhe opsionet për zgjidhje”, tha ai.

Ai shtoi se LDK-ja ka autonominë e plotë për të marrë vendimet e saj të brendshme, duke theksuar se LVV nuk synon të ndërhyjë në proceset e kësaj partie.

“LDK e ka krejt autonominë e vet për me vendos për gjërat e saj të brendshme. Nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë sepse LDK është parti që ekziston moti në Kosovë dhe besoj që dinë me i rregullu punët e veta”, deklaroi Konjufca.

Në fund, ai u shpreh optimist se bisedimet e fundit kanë krijuar një atmosferë më pozitive për zgjidhjen e krizës institucionale.

“Mua më është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin e Abdixhikun ka pasur tjetër natyrë diskutimi krahasuar me herët e kaluara. Kjo na ka bërë më optimist se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, përfundoi Konjufca. /Telegrafi/