LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Komunës diskuton edhe për gjendjen e sigurisë në Podujevë

Kuvendi i Komunës diskuton edhe për gjendjen e sigurisë në Podujevë

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Raportin financiar për vitin 2016 dhe disa vendime të tjera me interes për qytetarët.

Por para se të miratohet rendi i ditës, sipas një njoftimi, këshilltari Avni Ajeti, njoftoi Kuvendin se nga kjo seancë kalon në grupin e këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse deri tash ai ishte këshilltar i pavarur.


Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, prezantoi një informatë për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës.

Duke folur për gjendjen e sigurisë, kapiteni Bislimi tha se krahasuar me periudhën raportuese të vitit të kaluar, sivjet ka rënie të veprimtarive dhe rasteve të raportuara kriminale.

Kapiteni Bislimi përmendi si shqetësim rastet e aksidenteve me fatalitet dhe raste të incidenteve të ndryshme.

Mirëpo, sipas njoftimit, ai tha se Komuna e Podujevës prinë në mesin e të gjitha të komunave në Kosovës për gjendjen më të mirë të sigurisë.

Për gjendjen e sigurisë dhe masat që duhet të ndërmerren diskutuan edhe këshilltarët komunalë. /Telegrafi/