LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuta, tetë vjet me sfida: Kur Ahtisaari t’i fut këmbët në një këpucë!

Kushtetuta, tetë vjet me sfida: Kur Ahtisaari t’i fut këmbët në një këpucë!

Gjatë tetë vjetëve, që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e deri më sot, aktin më të lartë juridik të vendit e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta përcjellin sfidat e ndryshme, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve të larta të Kosovës, si dhe ekspertë të çështjeve juridike dhe kushtetuese në vend. Ata thonë se zbatimi i kësaj Kushtetute në tërë territorin e Kosovës, ka qenë dhe mbetet një nga sfidat kryesore, ashtu sikurse edhe të kuptuarit e interpretimit të Kushtetutës dhe të tjera.

Hajredin Kuçi, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ministër i Drejtësisë, gjatë një seminari që është mbajtur në Prishtinë, me temën “Kushtetuta e Republikës së Kosovës 8 vjet pas: vlerat, sfidat dhe perspektiva”, ka thënë se Kushtetuta ka për qëllim ruajtjen e sistemit unik në tërë territorin e Kosovës.


Sipas, tij nuk është faji i kësaj Kushtetute për krijimin e dilemave nëse ajo po zbatohet edhe në veri të vendit, por është mungesa e kapaciteteve zbatuese, si dhe mungesa e gatishmërisë së ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në këtë rast.

Ndër sfidat tjera përballë Kushtetutës, gjatë këtyre viteve, sipas tij, kanë qenë misionet ndërkombëtare në Kosovë, prania e të cilave në vend nuk është mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, por mbi bazën e dokumenteve ndërkombëtare, sikurse Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, Kuçi ka theksuar se sfidë tjetër ka qenë edhe zbatimi i Kushtetutës përballë funksionimit të institucioneve, ku shpeshherë është tentuar që problemet politike të zgjidhen përmes kushtetutshmërisë. Po ashtu, ka shtuar se interpretimi i Kushtetutës ka qenë dhe mbetet sfidë e veçantë dhe se për aq sa kuptohet drejt Kushtetuta nga cilido qytetar dhe institucion, për aq edhe do ta ketë fuqinë e zbatimit në praktikë.

Kuçi ka theksuar se bazuar në përvojën e deritashme, Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për rishikim, por bazamenti i saj nuk duhet dhe nuk do të ndryshojë.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë se sfida kryesore përballë Kushtetutës së vendit ka qenë dhe mbetet mospërputhja ndërmjet tekstit kushtetues dhe kulturës materiale të shoqërisë së Kosovës.

“Çdo interpretim i Kushtetutës, për cilado çështje qofshin, domosdo që shkakton keqkuptime, derisa të formësohet identiteti kushtetues i Kosovës sipas tekstit aktual që ekziston. Pak a shumë, këtë sfidë e kanë hasur gati se të gjitha shoqëritë e ish-Lindjes komuniste”, ka potencuar Hasani.

Por, Osman Ismajli, profesor në pension i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, thekson se brenda Kushtetutës së Kosovës ka edhe gjëra të tejkaluara.

“Asnjë kushtetutë e rajonit nuk i pranon pakicat dhe as që i përmend. Ata quhen qytetarë. Prandaj, kur thuhet ‘qytetarë të barabartë’, nuk ka nevojë të thuhet ‘njerëz të veçantë’, sepse nuk ka njerëz të veçantë. Ky është problemi. Rreth 10 faqe, do të thotë, afër 10 nene në Kushtetutë i kushtohen komunitetit, përveç edhe te kapitujt te të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo është e tepruar. Këto duhet të ndryshojnë, por Ahtisaari ua ka futur ‘këmbët në një këpucë’, sepse kërkohet kjo vota e dyfishtë e serbëve. Kjo reflekton politikë. Prej këtu del politika”, vlerëson Ismajli.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Lajme
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë
“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

Lajme
Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Kronika e Zezë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Lajme
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Lajme
Kalo në kategori