LAJMI I FUNDIT:

Kurti vizitoi fabrikën e Frutex/Golden Eagle në Suharekë

Kurti vizitoi fabrikën e Frutex/Golden Eagle në Suharekë

Vazhdën e vizitave nëpër biznese vendore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e kanë vazhduar sot edhe tek fabrika e Frutex/Golden Eagle, me pronar Shaqir Palushi, në komunën e Suharekës, që përkon edhe me rastin e lëshimit në punë të linjës së re të prodhimit të kësaj fabrike.

Kryeministri Kurti përgëzoi pronarin dhe punëtorët për shtimin e eksportit në shtatë muajt e parë të këtij viti krahasuar me shtatë mujorin e vitit të kaluar për 35 për qind.


‘’Përderisa eksporti është rritur për 35 për qind krahasuar me 1 janarin e këtij viti, kemi edhe rritje të punësimit për 28 për qind. Me 1 janar të këtij viti i kanë pasur 272 punëtorë ndërkaq sot që po flasim i kanë 349 punëtorë’’, u shpreh ai.

Në këtë vizitë, e cila është e treta brenda javës që kryeministri Kurti po i realizon tek bizneset vendore, falënderoi të gjithë punëtorët për kontributin që po e bëjnë duke i inkurajuar edhe bizneset e tjera gjithandej Kosovës që të shohin të gjitha mundësitë për rritjen e pagës mesatare të punëtorëve.

Kryeministri bashkë me ministrin Murati, shprehën gatishmërinë dhe interesimin që bizneseve prodhuese të cilat e ndihmojnë shumë edhe fermerin e bujqësinë vendore,  do t’iu gjenden pranë dhe t’i ndihmojnë.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, tha se është kënaqësi të shohim një linjë të tillë prodhimi që mund të shihet në çdo vend të zhvilluar evropian. “Sa na përket neve si qeveri siç e tha kryeministri jemi të gatshëm që të mbështesim të gjithë prodhuesit vendor, sidomos këta që tregojnë vullnet dhe gatishmëri që t’i kthejnë edhe komunitetit sidomos, dhe t’i mbështesim qoftë nga lënda e parë duke mbështetur bujqit dhe fermerët përmes subvencioneve, qoftë në investime dhe zgjerimin e kapaciteteve siç ka qenë Masa 2.1 apo edhe në mbështetjen e zhvillimit dhe resurseve humane dhe rritjes së punësimit, siç është masa me “Superpunën” dhe masat tjera që kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, grave dhe të gjithë personave të tjerë pra që kërkojnë vende pune”, tha ministri Murati. /Telegrafi/