LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Vetëvendosje pas 6 tetorit nuk do të lejojë që toka bujqësore të shndërrohet në sheshe ndërtimi

Kurti: Vetëvendosje pas 6 tetorit nuk do të lejojë që toka bujqësore të shndërrohet në sheshe ndërtimi

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën zgjedhore në Vushtrri.

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti premtoi para qytetarëve të Vushtrrisë se epoka e zhvillimit e përparimit do të njohë 2-fishimin e prodhimit bujqësor përmes granteve, subvencioneve e mbrojtjes së prodhimit vendor dhe se fitimi nga bujqësia do të 5-fishohet nga nxitja e hapjes së fabrikave për përpunimin e produkteve bujqësore.


“Lëvizja Vetëvendosje pas 6 tetorit nuk do të lejojë që toka bujqësore të shndërrohet në sheshe ndërtimi ku shpërlahen paratë e kontrabandës e krimit të organizuar, Kosova nuk ka tokë për të shitur, ndotur e lënë djerrë. Ne do t’ia kthejmë bujkut arën cilësore dhe arës rendimentin e lartë, Lëvizja Vetëvendosje ofron mbrojtje sociale, sepse me program nëpërmjet mbrojtjes sociale edhe punëtori edhe i papuni, dhe jo vetëm pronari e i pasuri, bëhen qytetarë të Republikës me të drejta të barabarta e të barabartë para ligjit”, tha Kurti, transmeton Telegrafi.

Në fund të fjalimit Kurti iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve se, “gënjeshtra është si kredia, kënaqu sot e paguaj nesër. Këta kanë gënjyer sa kanë mundur e me 6 tetor bëni që ta paguajnë shtrenjtë duke votuar Lëvizjen Vetëvendosje”.

Besim Muzaqi, si kandidat dhe si Kryetar Qendre, në fjalën e parë tha se erdhi dita për fëmijët që të kenë shtesa, erdhi dita për bujkun, fermerin e prodhuesin qëë të subvencionohen drejt, për pacientët që të kenë trajtim e shërim, për profesionistët që të kenë punë e llogari, studentët bursa e sigurime shëndetësore për policët e zjarrfikësit.

Ndërsa kandidati i ri Gazmend Gjyshinca shprehu me bindje se “pas çdo rrënimi të kobshëm ka një shpresë që vjen hovshëm, pas Kosovës që e kanë gjunjëzuar është një Lëvizje që po vjen për ta shpëtuar, rinia është gjenerata që ka më së shumti nevojë për ndryshim dhe do ta votojë më së shumti qeverinë Kurti”, tha ai.

Kandidatja Albulena Haxhiu po ashtu iu drejtua qytetarëve.

“Qytetarët dhe Lëvizja nuk kanë asnjë dilemë, sepse të gjithë e dimë se ne nuk e duam pushtetin për ta kthyer në parti, por e duam pushtetin për ta vënë shoqërinë në Lëvizje”, tha Haxhiu.

Në fjalën e radhës, Glauk Konjufca, kujtoi se në politikën tonë kemi më shumë se kurrë nevojë për shembullin e Hasan Prishtinës.

“Ne në këtë sallë e kemi shembullin e tij, modelin e Hasan Prishtinës dhe ky është Albin Kurti. Në gjurmët e Hasan Prishtinës dhe besnike ndaj Republikës së Kosovës, Kurti në punësim do të vendosë merita, në arsim dija, në shëndetësi përgatitja, në ekonomi profesionalizmi, sepse në qeveri do të vendosë Vendvendosje. /Telegrafi/