LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Veprimet e strukturave kriminale në veri, po cenojnë rëndë sigurinë në Kosovë

Kurti: Veprimet e strukturave kriminale në veri, po cenojnë rëndë sigurinë në Kosovë

Kryeminsitri Albin Kurti ka takuar komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Siç njofton Qeveria, në takim u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve dhe KFOR-it.


Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

Në takimin e përbashkët me ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla, Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

Komandanti i KFOR-it përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës.

Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë./Telegrafi/